Protestat e dhunshme, ndalohen drejtuesit e opozitës në Mal të Zi

Saimir Lleshi

Pas protestave të dhunshme të opozitës malazeze sot në Podgoricë situata është e qetë. Në kryeqytetin e Malit të Zi vërehen shenjat e dhunës: shkatërrimi dhe thyerjet e disa institucioneve, shitoreve dhe të shtëpive.

Policia malazeze ka ndërhyrë mbrëmë me gaz lotsjellës dhe me shock-bomba ndaj protestuesve të opozitës malazeze, të cilët u përpoqën që me forcë të hyjnë në Parlamentin e Malit të Zi. Pas ndërhyrjes së shpejtë të policisë protestuesit janë shpërndarë nga qendra e qytetit ndërkohë që nëpër rrugë u vendosën forca të mëdha policore, autoambulancat dhe skuadrat e zjarrfiksëve. Sipas të dhënave të ministrit të Brendshëm, Rashko Konjevic në këto përleshje u plagosën afro 30 protestues dhe 15 pjesëtarë të policisë. Po ashtu bëhet e ditur se u arrestuan liderët e opozitës Andrija Mandic dhe Slaven Radulovic.

Opozita malazeze kritikoi ashpër dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve duke e akuzuar kryeministrin Gjukanoviq dhe pushtetin e tij për autokraci dhe diktaturë. Ndërkohë partitë e koalicionit në pushtet thanë se protestat nuk ishin as popullore,as qytetare e më së paku ishin demokratike. Sipas tyre kjo ishte një përpjekje e opozitës për grushtshtet me qëllim të destabilizimit të Malit të Zi dhe rajonit.

Protesta e opozitës malazeze “Fronti Demokratik” nisi të shtunën mbrëma në orën 19 dhe ishte planifikuar të zgjaste deri sot në mëngjes në orën 6 . Sipas të dhënave të mediave të pavarura morën pjesë afro 5 mijë persona të ardhur nga disa qytete të Malit të Zi. /Voa/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *