Policia e Hong Kong-ut ka përdorur forcën dhe gazin lotsjellës për të larguar protestuesit që sulmuan parlamentin e rajonit autonom.
Aktivistët pushtuan Këshillin Legjislativ për orë të tëra, duke shkatërruar fotografi dhe duke shkruar në muret brenda ndërtesës.
Përleshjet ndodhën në përvjetorin e dorëzimit të ish-kolonisë britanike (Hong Kong-ut) në sundimin kinez.
Ashtu si Dita ka raportuar, Hong Kongu është përfshirë nga protestat masive që kundërshtojnë një ligj, i cili do të lejonte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë që prej disa javëve.
Qeveria e ka pezulluar ligjin e propozuar për një kohë të pacaktuar, por protestat vazhdojnë ende, pasi qeveria konsiderohet pro regjimit kinez nga qindra mijëra.
Këtë të hënë, policia është përleshur edhe me protestuesit që kishin bllokuar edhe një rrugë pranë vendndodhjes së ceremonisë që shënonte përvjetorin e dorëzimit të rajonit nga Britania te Kina.
Protestat e ditës së hënë synonin t’i tregonin liderëve kinezë të pranishëm në ceremoni pakënaqësinë e qytetarëve të Hong Kongut me ndikimin e saj në qeverinë që i kërkohet të dorëhiqet.
Hong Kongu është pjesë e Kinës që nga viti 1997, nën marrëveshjen “një shtet, dy sisteme” që i garanton një nivel të konsiderueshëm autonomie, në krahasim me Kinën. Ceremoni për të shënuar dorëzimin britanik mbahen çdo vit, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
