Të larguarit nga puna në Korçë kanë protestuar para DRSSH-së, duke ndezur qirinj në nder të 52-vjeçares. Shoqata e të larguarve nga administrata ka zhvilluar ditën e sotme një protestë në qytetin e Korçës. Protestuesit, në shenjë nderimi dhe kujtese, vendosën qirinj para Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, në ndër të të ndjerës Brunilda Mekës. “Brunilda u pushua pas 20 vjetësh dhe u vetëvra pas largimit nga puna”-kështu u shpreh Nertila Qafzezi, kryetarja e Shoqatës së të larguarve nga puna. Ditën e djeshme, në media u publikua rasti i vetëflijimit të 52-vjeçares nga Korça, e cila u vetëhelmua pasi u pushua nga puna. Rasti në fjalë shkaktoj debate të mëdha, mes qeverisë dhe opozitës. Opozita theksoj se Brunilda Meka u vetëhelmua, pasi u transferua dhe më pas pushua nga puna. Ndërkohë, nga ana tjetër, deputetja e Partisë Socialsite, e qarkut të Korçës, bëri me dije se 52-vjeçarja nuk ishte pushuar nga puna. Opozita ka akuzuar kohët e fundit qeverinë se po bën spastrime të mëdha në administratë. Kjo ishte protesta e radhës e të pushuarve nga puna, largime që sipas tyre nuk janë të drejta.
