Aleanca Kuqezi denoncon ndalimin dhe keqtrajtimin e aktivistëve të saj nga policia, pas kthimit nga Vlora, ku protestuan kundër zhvillimit të mbledhjes së qeverisë.
Sipas kreut të Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, 35 aktivistë të kësaj force politike janë ndaluar nga policia në Kavajë, teksa ktheheshin me autobus nga Vlora.
Sipas kreut të Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, 35 aktivistë të kësaj force politike janë ndaluar nga policia në Kavajë, teksa ktheheshin me autobus nga Vlora. “35 aktivistë të Aleancës Kuqezi janë ndaluar në komisariatin e Kavajës. Gjatë shoqërimit, ata janë keqtrajtuar. Policia kishte ngritur një postbllok posaçërisht për ta”, tha Spahiu.
Aktivistët e Aleancës Kuqezi protestuan sot paradite në Vlorë kundër mbledhjes së qeverisë, aty ku 100 vjet më parë Ismail Qemali mblodhi qeverinë e tij për herë të parë. Me parullën “Këta janë firmëtarët e tradhtisë”, AK zhvilloi një protestë, të cilën nuk arriti ta përfundonte për shkak të ndërhyrjes së policisë së Vlorës, forcave RENEA dhe Gardës së Republikës.
Policia: Nuk kishin marrë leje
Zëdhënësja e policisë së Tiranës, përmes një deklarate për shtyp, tha sot se tubimi i Aleancës Kuqezi në Vlorë ishte i paligjshëm, pasi nuk ishte marrë leje më parë për t’u zhvilluar.
Ajo tha se pas tubimit aktivistët nuk i janë bindur kontrolleve rrugore të policisë.
“Pas tubimit ata janë larguar me automjete në drejtim të Tiranës dhe në Kavajë nuk i janë bindur urdhrave të policisë për të ndaluar”, tha Katragjini, duke shtuar se mbi disa prej të ndaluarve nga policia rëndojnë akuzat e organizimit dhe pjesëmarrjes në tubime të paligjshme, kundërshtimit me dhunë të forcave të policisë dhe bllokimit të lëvizjes së automjeteve.