Hong Kongu po përjeton ditë tensioni. Kjo për shkak të mënyrës se si do të zgjidhet lideri i ri këtij rajoni të Kinës. Lëvizja “Occupy Central” merr një protagonizëm që nuk është aspak komod për autoritetet qendrore në Pekin. “Ne manifestojmë kundër urdhrave të qeverisë qendrore të Pekinit, kështu që jemi të gatshëm të arrestohemi.
Jemi profesorë, intelektualë, qytetarë të zotë, jemi të vetëdijshëm për atë që po bëjmë, edhe pse është paqësore është ilegale. Nëse na arrestojnë ne do të mbrohemi me avokatë. Duke bllokuar qendrën dhunojmë ligjin, por e bëjmë për të zgjuar vetëdijen”, thotë një profesor i sociologjisë dhe një prej themeluesve të “Occupy Central”.
Përleshje, gaz lotsjellës, plumba gome dhe rrugë të zëna. Tensioni në Hong Kong mbetet i lartë edhe pas disa ditë protestash kundër Kinës dhe forcave të rendit, që kanë kërkuar në të gjitha mënyrat të shpërndajnë turmën.
Ndërkohë Pekini ka paralajmëruar se qeveria kineze është “kundër lëvizjeve ilegale” duke mbështetur plotësisht qeverinë territoriale. Guvernatori i ish-kolonisë britanike ka njoftuar se ka urdhëruar tërheqjen e trupave nga rrugët e mbushura me demonstrues.
Duke injoruar apelin e qeverisë, mijëra njerëz vazhdojnë të mbeten në rrugë dhe tani Pekini po përballet me një nga sfidat më të vështira politike nga sheshi Tiananmen, që prej 25 vjetësh. Në qershor, 200 mijë njerëz kanë përmendur në ishull revoltën e studentëve të vitit 1989. Ky është i vetmi rajon në Kinë, ku mund të ndodhin ngjarje të tilla.
Ndërkohë, Pekini shpërthen kundër Perëndimit. Ministria e Jashtme kineze, siç raportohet nga gazeta e “South China Morning Post”, paralajmëroi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që të mos përzihen në punët e Hong Kongut, sepse protestat janë një çështje e brendshme. “Hong Kongu është kinez. Është një rajon me administrim të veçantë dhe çështjet e Hong Kongut janë ekskluzivisht çështjet e brendshme të Kinës”, ka deklaruar Hua Chunyng, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Pekin.
Paralajmërimi vjen pasi Britania e madhe kishte kërkuar fillimin e një dialogu konstruktiv përballë kërkesave për demokraci nga populli. “Urojmë që negociatat do të mundësojnë një hap të rëndësishëm drejt demokracisë në Hong Kong dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për diskutime konstruktive në këtë drejtim”, nënvizoi një zëdhënës i Zyrës së Jashtme Britanike. Londra, si një ish-fuqi koloniale, ka të drejtë të ndërhyjë në territorin për 50 vjet që nga viti 1997, datën e kthimit të ishullit në Kinë.
Protestat kanë provokuar rënie të madhe të bursës në Hong Kong që ka rënë në 1.9 %. Tensionet në ish-koloninë britanike po ndikojnë negativisht edhe në tregjet ndërkombëtare. Qeveria kineze dje paralajmëroi lëvizjen për demokraci dhe zgjedhje të lira të Hong Kongut se nuk do të tolerojë asnjë lloj “sjellje të paligjshme”. Protesta e pa precedent në ish koloninë britanike është nxitur nga vendimi i Pekinit për të vënë limite të forta zgjedhjeve në vitin 2017. Pekini ka limituar në 2, apo 3 numrin e kandidatëve në detyrën e shefit ekzekutiv.
Për më tepër qeveria qëndrore ka vendosur që kandidatët duhet të aprovohen nga një komision i veçantë elektoral prej 1400 vetësh, anëtarët e të cilit emërohen nga Pekini. Për lëvizjen “Occupy Central” kjo përfaqëson një hap pas në lidhje me premtimin e Kinës për të vendosur demokracinë e plotë politike.

si gjithmone ,keta zoterinjte evrehe zjarrin e ndezin ne shtepite te tjereve .!!!!11