Pakti me Iranian është kthyer në një çështje për Perëndimin duke vendosur përballë Trump , i cili shprehet se do të tërhiqet nga nënshkrimi i 2015, treshen evropiane Merkel-Macron-May, që i qëndrojnë idesë për fuqizimin e paktit aktual dhe jo prishjen e tij.
Ndërkohë mes gjullurdisë së Perëndimit ka një shtet që më shumë se të tjerët është armik i Iranit dhe ai është definitivisht Izraeli i drejtuar nga Benjamin Netanjahu, që po përpiqet me çdo formë t’i mbushë mendjen SHBA-ve për një marrëveshje të re, e cila do ta detyronte Iranin të denuklearizohej totalisht.
Më herët gjatë ditës së sotme Netanjahu, tha se vendi i tij ka “prova të reja dhe bindëse” se Irani e ka fshehur aktivitetin e vet bërthamor, duke shkelur marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015, që synonte ta kufizonte ndërtimin nga Teherani të armëve bërthamore.
Kjo deklaratë u mbështet edhe nga Trump, por Teherani zyrtar ka reaguar ashpër në mesditë, duke e quajtur Netanjahun “një gënjeshtar famëkeq”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Bahram Ghasemi tha se pretendimet nga Netanjahu se Teherani kishin gënjyer për ambiciet bërthamore janë “të lodhura, të padobishme dhe të turpshme”.
Ndërkohë ministri i Jashtëm i Iranit Javad Zarif më parë tha se kjo ishte veçse një lëvizje nga Netanjahu për të ndikuar në vendimin e Trump nëse SHBA duhet të qëndrojë ose jo me marrëveshjen bërthamore.
Ai tha se dokumentet ishin një përmbledhje e akuzave të vjetra të trajtuara tashmë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila ka qenë e ngarkuar me hetimin e së kaluarës bërthamore të Iranit.
o.j/dita
