Prej javës së dytë të muajit mars e në vijim të këtij viti, mësuesit do ti nënshtrohen provimit të shtetit i cili do të zhvillohet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Kjo e fundit bën me dije se kandidati duhet të paraqitet në QSHA 30 minuta para fillimit të testimit. ‘Gazeta Shqiptare’ publikon sot dokumentacionin që duhet të paraqesin ditën e provimit aplikantët e interesuar. “Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal); kopje të Kartë ID ose Pasaportë; faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes; si dhe kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MASR, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit”,-thekson QSHA. Ndërkohë, kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga Universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Skualifikimi nga testi
Qendra e Shërbimeve Arsimore bën me dije se nuk do t’u mundësojë kandidatët të cilëve u mungojnë këto dokumente, të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit. “Mbështetur në ligjin nr. 10171, datë 22.10.2009, neni 7, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe nenin 4 pika 6 të Rregullores, “Për organizimin e provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 82, datë 22.02.2011, e ndryshuar, kandidatët që regjistrohen për provimin e shtetit, duhet të jenë të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga IAL-të përkatëse. Neni 7 i ligjit nr. 10171, datë 22.10.2009 thekson sa më poshtë: Neni 7 “Formimi dhe kualifikimi profesional për ushtrimin e profesionit të rregulluar”: “Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi”,-nënvizohet në njoftimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.
Vlefshmëria e pagesave
Tarifa e depozituar për llogari të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është e pakthyeshme dhe e vlefshme vetëm për sezonin aktual të provimit të shtetit. Në bazë të vendimit Nr. 560, datë 29.09.2018 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore” është parashikuar zhvillimi i provimeve të shtetit nga kandidatët, më shumë se pesë herë. “Për të gjithë kandidatët, lutemi të verifikoni emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën e provimit në faqen zyrtare të QSHA në adresën ëëë.qsha.gov.al, rubrika lista e kandidatëve. Kandidatët lutemi të paraqiten VETËM në orarin e përcaktuar dhe publikuar në faqen web të QSHA. Në rast pasaktësie në të dhënat e paraqitura në web, lutemi të njoftoni përpara se të hyni në ambientin e provimit”,-nënvizon QSHA-ja.
Rregullorja
Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh se ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter s ‘kualifikimi; ndalohet duhani, dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit; ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.
Dokumentacioni:
- Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal);
- Kopje të Kartë ID ose Pasaportë;
- Faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes; {Vëmendje: fatura të ketë vulën e bankës përkatëse};
- Kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MASR, në rast përfundimi të programeve
*Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me Diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga Universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
burimi: gsh/Voltiza Duro
V.l/ Dita

Kur fillon java e dyte e marsit?!
Dhe kur fillojne provimet!?
Emrat nuk kane dale ende!!!!!!!