Për të shmangur pakënaqësitë e krijuara ndër vite me përmbajtjen dhe vlerësimin e tezave për provimet e Lirimit dhe ato të Maturës Shtetërore, autoritetet e arsimit kanë rishikuar skemën se si do të përzgjidhen mësuesit që do të marrin pjesë në procesin e vlerësimit dhe hartimit të tezave finale që do të plotësojnë nxënësit e secilit cikël.
Nëpërmjet udhëzimit të miratuar dy ditë më parë, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shpallur kriteret e reja që do të duhet të përmbushin të gjithë mësuesit që do të duan të marrin pjesë në procesin e hartimit të testeve dhe vlerësimit të provimeve kombëtare që do të zhvillohen në arsimit e detyruar dhe gjimnaze përgjatë muajit qershor.
Duke u ndalur veçanërisht tek sesioni i maturës, autoritetet e arsimit sqarojnë se për provimet e këtij viti, tezat e provimeve do të hartohen nga një ekip mësuesish, të cilët do të ngujohen në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit (nën kushtet e ruajtjes së sekretit të plotë) për përzgjedhjen e pyetjeve që do të jenë pjesë e testit final që çdo maturant do të plotësojë për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje.
Kriteret e reja për hartimin dhe korrigjimin e testeve
Pesë janë kriteret që duhet të përmbushin të gjithë mësuesit që duan të jenë pjesë e procesit të hartimit dhe vlerësimit të testeve të provimeve kombëtare që do të zhvillohen për nxënësit që përfundojnë studimet e shkollës së mesme, apo klasën e 9-të në ciklin e detyruar.
Sipas kushteve të përcaktuara nga MAS, kandidat për hartimin dhe vlerësimin e testeve mund të jetë çdo arsimtar që ushtron profesionin e mësuesit sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi, që ka të paktën dhjetë vite përvojë pune si mësues për hartuesit, si dhe pesë vite përvojë pune në rastin kur do të aplikohet për të qenë pjesë e skemës së korrigjimit. Po ashtu mësuesit duhet të ketë dhënë lëndën përkatëse të paktën një herë në të gjitha klasat e nivelit arsimor, të kenë fituar të paktën kategorinë e kualifikimit si “Mësues i kualifikuar” në të cilën duhet të jetë vlerësuar me “Shumë mirë” për hartuesit e testeve, si dhe me të paktën “Mirë” kur aplikohet për procesin e korrigjimit. Një tjetër kriter është se preferohen kandidatë që kanë përvojë në hartimin e pyetjeve për provimet kombëtare.
Përjashtimisht vetëm për Maturën Shtetërore 2022, procedurat e përcaktuara për hartimin e testeve do të zbatohen rreptësisht për provimet e lëndëve: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikës, si dhe për provimin me zgjedhje për lëndët:kimi, biologji, dhe fizikë. Për lëndët e tjera të provimit me zgjedhje nuk do të zbatohen këto procedura të parashikuara në nenin për hartimin testeve.
Aplikimi për hartimin dhe vlerësimin e testeve
Qendra e Shërbimeve të Arsimit fillimisht shpall interesin për hartues të provimeve kombëtare dhe korrigjues të këtyre testeve. Për të qenë pjesë e këtyre proceseve mësuesit duhet që të aplikojnë. Pas publikimit të shpalljes së interesit për hartues dhe vlerësues të testeve çdo kandidat duhet që të plotësojë formularin e aplikimit dhe të dërgojë zyrtarisht në QSHA dokumentacionin e përcaktuar.
Kandidati për hartues të testeve duhet që të dorëzojë në dosje këto dokumente: “Jetëshkrimin, dy rekomandime nga drejtues të shkollave, ose zyrës vendore të arsimit parauniversitar, fotokopje të noterizuar të librezës së punës, kopje të dëshmisë së provimit të kualifikimit”. Po të njëjtat dokumente do të duhet të dorëzojnë edhe kandidatët që do të marrin pjesë në procesin për vlerësimin e testeve.
Kandidati më pas merr pjesë në programin e trajnimit që do të realizohet nga QSHA. Pas përfundimit të këtij programi trajnimi, kandidati për hartues dhe vlerësues do t’i nënshtrohet një testi, dhe vetëm nëse do të rezultojë kalues në të, do të mund të pajiset me certifikatën përkatëse, çka do t’i hapë udhë edhe pjesëmarrjes në procesin e përgatitjes apo korrigjimit të provimeve të këtij viti.
Autoritetet e dikasterit të arsimit sqarojnë se pagesa e hartuesve dhe vlerësuesve të provimeve të Maturës Shtetërore do të kryhet nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit, ndërsa pagesat për ata që do të hartojnë dhe vlerësojnë provimet e lirimit, si dhe ato të klasave të pesta do të kryhen nga Zyra Vendore për Arsimit Parauniversitar, sipas kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi.
Organizimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2022
Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2022, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila është përzgjedhur sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale.
Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të zgjasin për dy orë e gjysmë. Testi për secilin nga provimet do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë, ndërkohë që do të ketë në përmbajtje pyetje me alternativa, si dhe pyetje me zhvillim. Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur edhe programet orientuese me temat që duhet të rishikoni me kujdes për zhvillimin e provimeve. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të tre lëndëve të detyruara janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Programet e lëndëve me zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë aplikuar me plotësimin e formularit A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë, si dhe asaj me zgjedhje.
Në rregulloren e provimeve të miratuar më herët nga dikasteri i arsimit, përcaktohet se në provimet e Maturës Shtetërore për këtë vit kanë të drejtë që të hyjnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme të përgjithshme, atyre profesionale apo artistike, dhe që kanë plotësuar në kohë formularin A1 dhe A1Z. Ndërsa të gjithë kandidatët që në maturat e zhvilluara ndërmjet viteve 2012-2019, dhe që rezultojnë kalues në një prej provimeve me zgjedhje, e nuk janë pajisur me diplomën apo certifikatën e maturës do të pajisen me të, dhe nuk do të japin më provime gjatë sezonit të këtij viti shkollor.
Për kandidatët të cilët kanë marrë një dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, do t’u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje, ose provimet e njëvlershme me to, të njehsuara nga Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar përkatës. Në lidhje me këta kandidatë, në rregullore specifikohet se në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje, ose i kanë dhënë dhe kanë rezultuar jokalues, kanë të drejtë që të japin një provim me zgjedhje vetëm kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private në vend. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por që nuk janë pajisur me një diplomë, apo certifikatë, nuk e japin gjuhën e huaj si provim të detyruar në maturën e këtij viti. Pasi të kenë fituar provimet e maturës, këta kandidatë do të marrin diplomën dhe certifikatën përkatëse ku të konfirmohet përfundimi me sukses i studimeve të shkollës së mesme.
Çdo maturant që përfundon gjatë këtij viti shkollën e mesme, me marrjen e notave kaluese në provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje do të pajisen me diplomën e shkollës së mesme, çka më pas i hap udhë konkurrimit për studimet e larta. Diploma e Maturës Shtetërore për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme, atyre artistike apo shkollave profesionale lëshohet vetëm një herë. Maturanti dhe kandidati që nuk do të rezultojë kalues në provimet e planifikuara për t’u zhvilluar gjatë sezonit të muajit qershor, në sezonet e ardhshme do të japë vetëm provimet e detyruara apo lëndën me zgjedhje në të cilën do të rezultojë mbetës.
Struktura e provimeve të lirimit për klasat e 9-ta
Tre janë provimet që do të zhvillojnë nxënësit e klasave të nënta. Këta të fundit do të testohen për njohuritë e fituara në lëndën e gjuhës shqipe, matematikës, si dhe gjuhës së huaj. Sipas modeleve të përcaktuara testi lëndës së gjuhës shqipe do jetë i strukturuar në tre pjesë. Pjesa e parë do ketë pyetje rreth një fragmenti letrar, pjesa e dytë pyetje rreth një fragmenti joletrar, si dhe pjesa e tretë do të ketë pyetjet rreth njohurive të sistemit gjuhësor. Fragmentet ose tekstet në test janë të panjohura për nxënësit dhe nuk janë pjesë e teksteve. Për sa i përket përfaqësimit të teksteve letrare dhe teksteve jo letrare, në program sqarohet se do të jenë në raportin: 70 për qind me 30 për qind.
Për lëndën e matematikës, përmbajtja e testit do të jetë e bazuar në kurrikulën e miratuar, ku përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë në përgatitjet për provimin final të kësaj lënde përfshin 5 tematika kryesore, që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni, statistika dhe probabiliteti, rreth të cilave do të jetë edhe përmbajtja e testit. Sa i takon testit të gjuhës së huaj, lëndët që do të jepen si provim i detyruar për nxënësit e klasave të nënta në përfundim të vitit shkollor 2021-2022, janë: Anglisht, Frëngjisht, Italisht dhe Gjermanisht. Në udhëzim përcaktohet se testi i gjuhës së huaj do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët, trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2.
Datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2022:
- Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 9 qershor.
- Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet në datën 11 qershor.
- Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 17 qershor.
- Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në datën 24 qershor.
Datat e provimeve të lirimit për klasat e 9-ta:
- Provimi në lëndën e gjuhës shqipe do të zhvillohet më 20 qershor.
- Provimi në lëndën e matematikës do të zhvillohet më 23 qershor.
- Provimi në lëndën e gjuhës së huaj do të zhvillohet më 29 qershor.
- Provimi në lëndën e gjuhë amtare për pakicat kombëtare zhvillohet më 21 qershor.
Kriteret për hartimin dhe vlerësimin e testeve
- Kandidat për hartimin dhe vlerësimin e testeve të provimeve kombëtare do të jetë mund të jetë çdo arsimtar që ushtron profesionin e mësuesit sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi.
- Ka të paktën 10 vite përvojë pune si mësues për hartuesit, si dhe 5 vite përvojë pune në rastin kur do të aplikohet për të qenë pjesë e skemës së korrigjimit.
- Ka dhënë lëndën përkatëse të paktën një herë në të gjitha klasat e nivelit arsimor.
- Ka të paktën kategorinë e kualifikimit “Mësues i kualifikuar” ku duhet të jetë vlerësuar me “Shumë mirë” për hartuesit e testeve dhe me të paktën “Mirë” kur aplikohet për procesin e korrigjimit.
- Preferohen kandidatë që kanë përvojë në hartimin e pyetjeve për provimet kombëtare.
