Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon datat e nisjes së provimeve për të gjithë kandidatët aplikantë për profesionin e mësuesit. Sipas AKP-së, provimet do të zhvillohen tri javët e para të muajit korrik, çka do të thotë se që në fillim të këtij muaji të gjithë mësuesit e rinj do t’i nënshtrohen provimit për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Ata do të pajisen me licencën e ushtrimit të profesionit vetëm pasi të kenë marrë notë kaluese në provimin e shtetit.
Provimet do të zgjasin 3 javë dhe kandidatët do t’i nënshtrohen provimit sipas rregullave të përcaktuara nga agjencia. Gjithashtu, në rast se një kandidat nuk arrin të marrë provimin, ai ka të drejtë të japë provimin deri në 5 herë.
Fillimisht të gjithë kandidatët duhet të paraqiten pranë zyrave të AKP-së ditën e provimit 30 minuta para nisjes së tij. Gjithashtu është e nevojshme që ata të marrin me vete një mjet identifikimi apo edhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit, raporton Shqip.
“Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim, kartë ID ose pasaportë për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal); kopje të Kartë ID ose Pasaportë; faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP në një bankë të nivelit të dytë apo postë, sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të AKP; në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim”, sqarohet në njoftimin e Agjencisë së Provimeve.
