Ndryshe nga sa ndodh me maturantët, provimet kombëtare të arsimit bazë të klasave të 9-ta për sezonin e vjeshtës do të zhvillohen në 10 ditët e fundit të muajit gusht. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini pak ditë më parë ka miratuar udhëzimin me datat e provimeve të vjeshtës për provimet e lirimit të 2019-s.
Në udhëzim saktësohet se provimet do të nisin me lëndën e gjuhës së huaj, që do të zhvillohet në datën 20 gusht.
Tre ditë më pas, në datën 23 gusht nxënësit do të zhvillojnë provimin e dytë në lëndën e gjuhës shqipe. Ndërkohë që testi i matematikës do të jetë edhe prova e fundit që nxënësit duhet të kalojnë.
Sipas udhëzimit të MASR, provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 28 gusht, duke përmbyllur edhe sezonin e vjeshtës për klasat e 9-ta.
Më tej në udhëzim saktësohet se nxënësit e pakicave kombëtare duhet të japin edhe provimin e lëndës së gjuhës amtare, testi i të cilës do të zhvillohet në datën 19 gusht.
Edhe provimet e vjeshtës do të fillojnë në orën 10-00, teksa nxënësit do të kenë në dispozicion dy orë e gjysmë për të plotësuar të gjitha pyetjet e testit me shkrim.
ORGANIZIMI I TESTIT TË GJUHËS SË HUAJ
Testi i gjuhës së huaj vlerëson aftësitë e nxënësit për konceptet bazë gramatikore, ortografike, leksikore, etj, përzgjedhjen e fjalorit të duhur në kontekste të ndryshme shoqërore, njohjen dhe zbatimin e rregullave sipas të cilave mesazhi gjuhësor organizohet dhe strukturohet, etj.
Testi i gjuhës së huaj do të jetë i nivelit A2.
Sipas ekspertëve të Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, nxënësi duhet të jetë i përgatitur kryesisht për këto tre situata gjuhësore që janë: të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar, përdorimin e drejtë të gjuhës, përdorimi i drejtë i gjuhës, si dhe të shkruarit.
Të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar
Vlerësimi i kësaj aftësie do të bëhet mbi bazën e një teksti të panjohur mbi të cilin do të ndërtohen pyetje që do të testojnë aftësinë e nxënësit për të kuptuar një pjesë jo letrare.
Nxënësi duhet të jetë në gjendje të lexojë dhe të kuptojë në mënyrë të përgjithshme informacionin e dhënë në pjesën e leximit, të mbledhë informacionet që i kërkohen rreth tekstit apo të japë një vlerësim të shprehur me gjuhë të thjeshtë mbi atë çka i kërkohet.
Pyetje mbi përmbajtjen e tekstit do të përfshijnë ushtrime me përzgjedhje fjalësh ose frazash, plotësimin e vendeve bosh me informacionin e duhur, ushtrime me përgjigje po/jo, me disa alternativa (përzgjedhje e alternativës së saktë nga 4 alternativat), vendosjen e paragrafëve sipas rendit të duhur në renditjen e ngjarjeve, bashkimin e elementeve të dy kolonave, etj.
Përdorimi i drejtë i gjuhës
Njohuritë kryesore që nxënësi ka marrë mbi përdorimin e gjuhës ndër vite, do të testohen në këtë pjesë të testit përmes ushtrimeve që trajtojnë njësi të ndryshme gramatikore ose leksikore, pra kryesisht fjalori dhe gramatika e mësuar.
Pyetjet do të përfshijnë ushtrime me zëvendësim, zëvendësimi i një fjale me të ngjashmen e saj, ushtrime me shumë zgjedhje, me plotësime vendesh bosh, me kombinime, si dhe vendosjen e fjalës së duhur në fjali.
Të shkruarit
Në këtë pjesë të testit, nxënësi duhet të jetë në gjendje të prodhojë tekste të shkruara mbi temat e trajtuara në program duke i lidhur elementet përbërës në mënyrë koherente, duhet të jetë në gjendje të bëjë përshkrime jo shumë të hollësishme mbi tema të njohura, të tregojë me shkrim përvojat e tij duke përshkruar 10 ndjenjat dhe reagimet e tij, të përshkruajë një ngjarje, një udhëtim real duke përdorur gjuhë të thjeshtë dhe të pangarkuar me detaje, të shkruajë një letër personale, një email joformal duke respektuar formatet e mësuara gjatë viteve që nxënësi ka studiuar këtë gjuhë etj. Për vlerësimin e kësaj aftësie, nxënësi duhet të paraqesë një produkt të shkruar prej 60-80 fjalësh.
Nxënësi vlerësohet për përmbajtjen, leksikun, korrektësinë gramatikore, strukturën e rrjedhën logjike. Të shprehurit me shkrim përfshin të shprehurit me shkrim në formën e një përshkrimi, letre, etj, për një gamë të gjerë temash të njohura e komplekse që janë trajtuar ndër vite, në nivelin A2.
ORGANIZIMI I TESTIT TË GJUHËS SHQIPE
Testi do jetë i strukturuar në tre pjesë. Pjesa e parë do ketë pyetje rreth një fragmenti letrar, pjesa e dyte pyetje rreth një fragmenti joletrar, si dhe pjesa e tretë do të ketë pyetjet rreth njohurive të sistemit gjuhësor. Ekspertët e MASR thonë se fragmentet ose tekstet në test janë të panjohura për nxënësit dhe nuk janë pjesë e teksteve.
Të lexuarit e teksteve letrare dhe jo letrare
Nxënësi zhvillon njohuritë dhe aftësitë për të kuptuar, për të analizuar dhe për të vlerësuar tekste të ndryshme jo letrare, si: kronika, biografi, kujtime, udhëpërshkrime, intervista, rregullore, përmbledhje, udhëzime, reklama, ese të ndryshme dhe fjalime.
Nxënësi duhet të lexojë dhe të punojë me tekste nga krijimtaria popullore gojore, nga letërsia shqipe dhe ajo botërore, si dhe nga periudha e gjini të ndryshme; përshkruan dhe diskuton për kohën, vendin, mjedisin dhe ngjarjet, duke dhënë detaje nga teksti; veçon temën kryesore.
Ai analizon personazhet, dallon dhe shpjegon figurat letrare, si dhe gjykon e vlerëson elemente të formës dhe të përmbajtjes së një teksti letrar. Nxënësi përcakton tiparet kryesore të disa teksteve në prozë, si: përralla, tregimi, novela, romani.
Nxënësi përcakton tiparet kryesore të tragjedisë, komedisë dhe dramës, analizon tiparet e personazheve dhe tregon funksionet e elementeve të veçanta të dramës.
Të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale
Në këtë pjesë të tetsit nxënësi ndjek të gjithë hapat e domosdoshëm të procesit të të shkruarit (planifikimi, organizimi i ideve, rishikimi dhe redaktimi).
Ai shkruan duke zbatuar karakteristikat e formës, të përmbajtjes dhe të strukturës, tekste të tilla si: kronika, rrëfime personale, intervista, letra, ese, udhëzime, fletëpalosje, CV, ftesa, përshkrime.
Përdorimi i drejtë i gjuhës
Në këtë pjesë të testit nxënësi demonstron njohuri, shkathtësi dhe qëndrime: për gjymtyrët kryesore dhe të dyta, për llojet e fjalive sipas kumtimit, pohimit dhe mohimit dhe sipas gjymtyrëve kryesore, për përdorimin e ligjëratës së drejtë dhe të ligjëratës së zhdrejtë, për fjalët e ndryshueshme (kategoritë e tyre gramatikore) dhe fjalët e pandryshueshme, për përbërësit e fjalës dhe mënyrat e formimit të saj. Nxënësi, gjithashtu, zbaton rregullat drejtshkrimore.
ORGANIZIMI I TESTIT TË MATEMATIKËS
Bazuar në kurrikulën e miratuar, përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës dhe jo vetëm, arrihet nëpërmjet 5 tematikave kryesore që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni, statistika dhe probabiliteti. Për secilën tematikë është paraqitur pesha që zë secila pre tyre në numrin e pyetjeve që do të ketë testi i kësaj lënde, të cilën e gjeni të detajuar në vijim. Tematikat dhe renditja e tyre nuk presupozojnë që përmbajtja e testit duhet të zhvillohet në këtë renditje. Në përgatitjen për përmbushjen e këtij programi do të përdoren kryesisht tekstet mësimore të lëndës së matematikës, klasa VI-IX.
Struktura e testit të gjuhës së huaj

Struktura e testit të gjuhës shqipe

Struktura e testit të matematikës

Datat e provimeve të lirimit të vjeshtës janë:
- Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet me 20 gusht.
- Provimi i gjuhës amtare për pakicat kombëtare jepet në 19 gusht.
- Provimi mi gjuhës shqipe do të zhvillohet në 23 gusht.
- Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 28 gusht.
- Provimet e lirimit do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin për dy orë e gjysmë.
- Për të mos rrezikuar përjashtimin, ditën e testimit nxënësi duhet të paraqitet në qendrën e përcaktuar një orë e 30 minuta para orarit zyrtar, si dhe duhet të kenë dokumentin e identifikimi.
p.k/dita

Keto jane per provimet e lirimit apo per provimet e atyre qe jane per vjeshte? Ju lutem mos me keqkuptoni , sepse pashe qe ishin datat ne gusht dhe ne titull thonte per provimet e lirimit, mos ka ndonje ndryshim , se un e di qe jan ne qershor ato te lirimit