Provimi për mjekët, stomatologët e farmacistët jepet në tetor

redaktor

Mjekët, stomatologët dhe farmacistët që janë në mungesë me kreditet për ushtrimin e profesionit do testohen në muajin tetor. Sipas të dhënave paraprake, rezulton se janë me qindra punonjësit që rrezikojnë vendin e punës, pasi për pesë vite rresht kanë refuzuar ndjekjen e aktiviteteve për të mbledhur kreditet e kërkuara. Në mbledhjen e djeshme të zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë, Bordi i Ricertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shëndetësisë, ka detajuar rregullat që do të ndiqen për gjithë personelin mjekësor që nuk ka respektuar ndjekjen e këtij programi. Për shkak të numrit të lartë të punonjësve që janë në mungesë me kreditet, drejtoresha e QKEV-së, Entela Shehu ka konfirmuar se këtyre punonjësve u është dhënë edhe një mundësi e dytë për dorëzimin e dokumentacionit. Çka do të thotë se deri në datën 30 prill mjekët, farmacistët dhe stomatologët që kanë kryer aktivitete, por nuk kanë vlerësuar kreditet e fituara, mund të paraqesin dokumentet faktuese pranë kësaj qendre. Me këtë shtyrje të afatit, Shehu thekson se personelit shëndetësor i është dhënë një shans i dytë për të vërtetuar kreditet që ata mund të kenë, ndërkohë që deri tani nga të dhënat e grumbulluara rezulton se mangësitë më të shumta shfaqen tek stomatologët. Sipas vendimeve të marra gjatë mbledhjes së bordit, bëhet e ditur se deri në datën 10 maj do të bëhen publike të gjithë emrat e personelit shëndetësor që kanë përmbushur detyrimet, si dhe ata që do t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit sipas afateve të përcaktuara. Personeli që është me zero kredite, automatikisht do lirojnë vendet e tyre të punës. “U vendos që t’u jepet një afat kohor deri në datë 30 prill që të dorëzojnë pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, të gjithë dokumentet që vërtetojnë kryerjen e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm nga ana e tyre, për periudhën kohore 1 janar 2010-21 dhjetor 2014. Pra, u është dhënë një mundësi tjetër profesionistëve që të vërtetojnë kryerjen e aktiviteteve nga ana e tyre. Për profesionistët që rezultojnë me një numër zero kreditesh është parashikuar që do të shpallen vendet e punës vakante, për ata që punojnë në sektorin publik. Gjithsesi besoj që me këtë mundësi të dytë që u është dhënë profesionistëve tani për të dorëzuar dokumentacion shtesë, besoj që numri i tyre do të jetë minimal. Ai mjek që ka marr disa kredite, po jo numrin e mjaftueshëm do të japë provimin e ricertifikimit, për të kompensuar atë mangësi që ka në edukimin e vet të vazhdueshëm”, shprehet Shehu. Në mbledhje është miratuar edhe rregullorja, në bazë të cilës përcaktohen procedurat për zhvillimin e provimeve për këta profesionistë. Ndërsa në ditët që vijnë do të zbardhen edhe programet orientuese në lidhje me përgatitjen që personeli mjekësor me mungesë kreditesh duhet të bëjë për të dhënë provimin e muajit tetor. Sipas rregullores, programi orientues i provimit të ricertifikimit shpallet së paku 3 muaj përpara datës së parë të provimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Ai hartohet nga departamentet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë dhe urdhrat profesionalë në bashkëpunim me shoqatat e profesionistëve.

Dhënia e provimit

Pjesëmarrës në provim do jetë i gjithë personeli që nuk ka përmbushur kërkesat e programit të ricertifikimit për profesionet e shëndetësisë. “Provimi i ricertifikimit kryhet për të vlerësuar nivelin e njohurive dhe kompetencave të profesionistëve që nuk janë angazhuar plotësisht në edukimin e tyre në vazhdim përgjatë një cikli ricertifikimi dhe për të garantuar përputhjen me kërkesat bashkëkohore të praktikës së tyre profesionale”, shprehet Shehu. Sipas saj, përmbajtja e provimit hartohet nga Komisioni i Provimit të Ricertifkimit në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale dhe me zhvillimet e reja shkencore në këtë fushë. Për profesionistët e së njëjtës fushë specialiteti testimi kryhet në të njëjtat data. Pas përfundimit me sukses të provimit pjesëmarrësit në provim i jepet dëshmia përkatëse, e cila dorëzohet pranë Urdhrit Profesional. Provimi i ricertifikimit zhvillohet gjatë periudhës prill-tetor të vitit pasues të secilit cikël ricertifikimi. Datat e provimit të ricertifikimit për secilën fushë të specialitetit caktohen nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Provimeve.

 

Regjistrimi dhe pranimi në provim

Profesionisti i cili njoftohet për detyrimin për të kryer provimin e ricertifikimit duhet të bëjë një kërkesë me shkrim për tu regjistruar për provim pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

Kërkesës për regjistrim duhet t’i bashkëngjiten dokumentet e mëposhtëm:

  • Fotokopje e kartës së identitetit.
  • Fotokopje e lejes së ushtrimit të profesionit.
  • Fatura e pagesës për provimin e ricertifikimit.
  • Dokumentacioni i mësipërm dorëzohet vetëm në regjistrimin e parë dhe shërben edhe për regjistrimin pasardhës në rast përsëritjeje.

Pjesëmarrësi në provimin e ricertifikimit duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme:

  • Të jenë të pajisur me dokument identifikimi në ditën e provimit.
  • Të jenë të pajisur me vërtetimin e regjistrimit për provim.
  • Të paraqiten të paktën 30 minuta përpara fillimit të provimit.
  • Të mos përdorin celularin ose mjete të tjera të komunikimit gjatë provimit
  • Të mos komunikojnë gjatë zhvillimit të provimit.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *