Provimi të hënën, gabimet që nuk duhet të bëni në testin e matematikës

Elena Tase

Maturantët kanë nisur tashmë me përgatitjet finale për provimin e tretë të detyruar të Maturës Shtetërore që do të zhvillohet ditën e hënë (17 qershor) në lëndën e matematikës. Sikundër ka ndodhur me dy provimet e tjera, edhe për lëndën e matematikës testet do të diferencohen sipas llojit të shkollës së mesme që maturanti ka ndjekur. Çka do të thotë se edhe niveli i vështirësisë së pyetjeve që do të jenë në përmbajtje të testit do të kushtëzohen nga ky fakt. Ekspertët e përzgjedhur të kësaj lënde janë ngujuar tashmë në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit për të hartuar përmbajtjen finale të testit që do të plotësojnë të hënën maturantët.

Struktura e testit

Bazuar në kurrikulën që nxënësit kanë zhvilluar në shkollë, përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës dhe jo vetëm, arrihet nëpërmjet 5 tematikave kryesore që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni (përfshirë derivatin dhe integralin), statistika dhe probabiliteti. Për secilën tematikë është paraqitur pesha që zë secila prej tyre në përmbajtjen e pyetjeve që do të ketë teza finale e këtij provimi,si për maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme, atyre profesionale, artistike dhe sportive, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit. Testi i matematikës do te ketë në përmbajtje rreth 30 pyetje, 20 prej të cilave do të jenë me alternativa.

Rastet kur humbisni pikët

Duhet të bëni kujdes në plotësimin e pyetjeve me zgjedhje. “Në pyetjet me zgjedhje duhet të rrethoni vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë, ndërsa për pyetjet me zhvillim është dhënë hapësira e nevojshme për të shkruar përgjigjen”, bëjnë me dije ekspertët e QSHA-së. Kështu, nëse për një pyetje keni mbushur dy rrathë, përgjigja juaj për këtë pyetje do të konsiderohet e pavlefshme dhe do të vlerësohet me 0 pikë. Ndërsa në rastet kur për një pyetje nuk keni mbushur asnjë rreth, ajo pyetje do të vlerësohet po me 0 pikë. Nëse për një pyetje keni qarkuar alternativën e saktë në test, por nuk e keni mbushur rrethin përkatës në tabelën e mëposhtme, edhe në këtë rast ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë. Gjithashtu kujdes duhet të bëni edhe me zbatimin e rregullave të hyrjes dhe zhvillimit të provimit.

Pikët që duhen për të kaluar

Për të qenë kalues, edhe në këtë provim të detyruar, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara, duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të 60 pikëve totale me të cilat vlerësohet testi. Kandidatët që nuk sigurojnë këtë nivel të kërkuar pikësh, e humbasin të drejtën për të qenë pjesë e garës së pranimeve për studimet në shkollat e larta, përgjatë raundit të parë të pranimeve që do të zhvillohen në mbyllje të muajit korrik. Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish këtë testim dhe vetëm në rast se rezultojnë kalues do mund të përfshihen në garë për studimet larta duke aplikuar në raundin e dytë të pranimeve që do të zhvillohet përgjatë muajit shtator.

Afatet për të parë testet e korrigjuara

Referuar kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve, maturantët dhe kandidatët e tjerë do kenë mundësi që të kërkojnë tërheqjen e kopjes së korrigjuar të testit të secilit provim, por pavarësisht kësaj nuk do të ketë rivlerësim të tij. Kjo procedurë do të mund të kryhet vetëm pas përfundimit të të gjitha provimeve. Ndërkohë që vendimi më i fundit i marrë nga dikasteret përgjegjëse të arsimit lejon që krahas tërheqjes së kopjes së korrigjuar të testit sipas modeleve të praktikuara në maturat e shkuara, për 2019-n, maturantët do mund të shohin edhe online një kopje të testit të korrigjuar, shërbim për të cilin nuk do të paguajnë asnjë tarifë, ndryshe nga sa ndodh në rastet kur aplikimi do të bëhet në shkollë. “Informohen të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë, se kërkesat për fotokopje të testit dhe të fletëpërgjigjes mund të kryhen online në portalin e-albania, duke përdorur shërbimin “Kërkesë për kopje të testit të Maturës”, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultateve të secilit provim” detajohet në shkresën e zbardhur nga QSHA rreth kësaj procedure. Pas trajtimit të kërkesës, Qendra e Shërbimeve të Arsimit, do të nisë kopjen e testit për secilin kandidat që e ka kërkuar atë, në:  “Hapësira ime”, seksioni “Dokumentet e mia”, në llogarinë përkatëse që secili pjesëmarrës i provimeve të maturës ka hapur në portalin e-albania. Dy ditë më parë MASR ka përcaktuar edhe datën e nisjes së vitit të ri akademik 2019-2020. Sipas urdhrit të këtij dikasteri, universitetet do të hapin dyert për nisjen e vitit të ri akademik në 14 tetor, kohë në të cilën do të ketë përfunduar edhe raundi i tretë i pranimeve.

Kujdes në ditën e provimit:

  • Duhet të paraqiteni në ambientet e provimit një orë e gjysmë para nisjes zyrtare të kohës së plotësimit të testit. Me vete duhet të keni detyrimisht mjet identifikimi, si dhe pajsijet e lejuara për plotësimin e testit.
  • Maturanti apo kandidati i viteve të shkuara përjashtohet nga provimi kur konstatohet se: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
  • Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga Kopoted, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
  • Nëse për një pyetje me alternativa keni mbushur dy rrathë, përgjigja juaj për këtë pyetje do të konsiderohet e pavlefshme dhe do të vlerësohet me 0 pikë.
  • Nëse për një pyetje me alternativa nuk keni mbushur asnjë rreth, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë.
  • Nëse për një pyetje me alternativa keni qarkuar alternativën e saktë në test, por nuk keni mbushur rrethin përkatës në tabelën e mëposhtme, ajo pyetje do të vlerësohet me 0 pikë.

 

 

e.t./ dita

         

Share This Article
3 Comments
  • Nje jave kisha qe isha larguar nga Shqiperia dhe menjehere gjeta punen ne profesionin tim si matematikan. Punoje qe prej 28 vitesh me shume sukses ne perendim ne profesionin tim si matematikan. Jam diplomuar ne Degen Matematike te Fakultetin te Shkencave te Natyres te Universitetit te Tiranes ne 1965 dhe fale pergatitjes ky Universitet qe trashigonte traditat patriotike te shkolles shqipe, veçanerisht pedagoget atdhetare si Aleko Minga, Petraq Pilika, Agim Karçanaj, Shaban Baxhaku, Osman Kraja, Kristian Bukuroshi, Agim Berdulla e tjere. Ne emigracion perballova me sukses konkurencen e pameshirshme ne perendim. Uroje dhe deshiroje qe nxenesit e sotem te studiojne matematiken qe eshte tashme themeli i çdo shkence dhe i kerkimit shkencor. Suksese ne provimin e matematikes, shkences me te dashur e me te vlereshme te njerezimit.

  • Hartoni si duhet kete test se anglishten dhe sidomos gjuhen shqipe i keni katranosur te pakten çelesin mos e vendosni me mesues se nuk dine vete anglisht dhe shqip, marrin tekste te pa perpunuara apo te perkthyera ku daltoniku qe shpreh ndjenjat e tij ne raport me boten trajtohet thjesht nga ana emotive dhe jo si nje defiçence fizike qe personi e mbush me aftesi me te zhvilluara per tu pershtatur.
    Lexoni mire ju hartues testesh se vetem aureola budallalleku keni mbi koke.
    Prandaj vene punet çorap dihet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *