Llaqi Janko, ish-Drejtori i Kooperativave Bujqësore të Republikës tregon kalvarin dhe jetën e burgut
Janko: Në thirrjen e katërt në hetuesi, pasi nuk pranova akuzat, më shtuan dhe nenin 55/1, atë për ‘Agjitacion dhe propagandë’!
(Vijon nga numri i kaluar)
Pas arrestimit në zyrën e tij në Ministrinë e Bujqësisë, Llaqi Janko, ish-Drejtor i Kooperativave Bujqësore të Shqipërisë, dërgohet në qelitë e policisë në Fier, rreth në të cilin akuzohet se kishte kryer aktivitetin e tij të ‘sabotimit e përvetësimit në ekonomi’. Por pas pak orësh, ai përballet me hetuesit, të cilët i komunikojnë disa akuza. Ndër to, është dhe akuza e ‘Agjitacionit e propagandës’, Neni 55/1. “Që isha vënë në shënjestër si ‘armik’, me të përcaktuarit si i tillë, tashmë dhe pse nuk ndjeja të kisha bërë shkelje ligji, unë duhet të mësohesha. Por nuk munguan dhe provokimet e akuza absurde, ndër të cilat dhe ajo se ‘në kundërshtim me rregullat, në një vizitë pune në Tropojë me Ministren e Bujqësisë Themije Thomaj, ke fjetur në Shtëpinë e Partisë së këtij qyteti’. Jam paraqitur katër herë në hetuesi për akuzat që më bënin, ku unë nuk pranova asnjërën prej tyre. Përballë këtij fakti, pra, për të vërtetuar akuzat, hetuesit thirrën dhe disa nga vartësit e bashkëpunëtorët e mi” -vazhdon rrëfimin e tij Llaqi Janko, ish-Drejtor i Kooperativave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë…
Në cilin burg ju dërguan pas arrestimit?
-Më çuan në burgun e Tiranës. Atje më lanë 3-4 orë dhe po atë natë u nisëm për në Fier. Mbërritëm vonë në mbrëmje dhe më fusin në qelinë nr. 8 të degës së punëve të brendshme të Fierit. Qelia ishte me një dimension 2 x 3 m, e shtruar me dërrasë dhe pa asnjë orendi ose batanije. Unë, me rrobat e trupit atë natë fjeta direkt në dysheme, aq sa fjeta, sepse pothuajse nuk vura fare gjumë në sy. Në mëngjes më vjen polici roje, hap derën dhe më pyet nëse kisha ndonjë kërkesë apo ankesë. Dua të shënoj se gjatë tërë viteve, që bëra në burg, nuk bëra asnjë kërkesë apo ankesë, edhe kur më pyesnin policët e shërbimit.
Kur ju morën në hetuesi dhe çfarë akuzash zyrtare u komunikuan?
-Ditën e dytë në qelinë e Fierit. Sa u ngrita e filloj të bëja 2-3 hapa aq sa lejonte qelia, vajtje-ardhje, më thirrën në zyrën e hetuesisë. Pra, erdhi polici i shërbimit dhe më shoqëroi në zyrën e hetuesisë. Një tavolinë dërrase, një karrige, ku ulej ai që hetohej, e ngulur në çimento dhe karrige të tjera për hetuesit. Hetuesi Bajraktari më thotë: “Të tradhtuan bozallarët!” Kjo shprehje më mbeti në mendje dhe nuk e kam mësuar pse e përdori. “-Më në fund erdhe Llaqi”, -më tha Shkëlzeni, “-me një qëndrim triumfues.” “Jo erdha, por më sollët ju”, -i thashë unë. “Këtu do vijnë të gjithë njerëzit e tu”, -më tha Shkëlzeni. “Asnjë s’ka për të ardhur”, -ja ktheva unë, “-por ti mos më bëj presion mua me njerëzit e familjes, se nuk i sjell dot. Edhe unë këtu jam kot!” Ishin këto fjalë për të më thyer që në fillim, duke më frikësuar se po të mos pranoja akuzën do arrestonin edhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Unë ja dhashë përgjigjen, se isha i bindur se një gjë të tillë ai s’mund ta bënte, e nuk mundi.
Sa vazhdoi thirrja e parë në hetuesi?
-Pak. Vetëm sa më morën edhe një herë gjeneralitetet dhe më çuan
përsëri në qeli. Unë vazhdoja “shëtitjet” prej 3 metrash. Këtë ritual e vazhdoja gjithë ditën, deri sa errej dhe pastaj shtrihesha.
Kur ju thirrën përsëri në hetuesi?
-Pas disa ditësh më thirrën për herë të dytë në hetuesi… Hetuesi më pyet: “Pse Ministrja Themije Thomai, sa herë del me shërbim të merr edhe ty me vete?” Kjo pyetje m’u duk paksa e çuditshme, por unë aty për aty u thashë: “Për këtë pyeteni vetë Ministren. Unë jam drejtor i Kooperativave Bujqësore në Ministri dhe shkoj me punë dhe atje ku më thotë Ministrja.” Për një moment mbetën. E panë edhe vetë që ishte një pyetje pa vend. Nisën më pas nga disa provokime, lidhur përsëri me ministren Themije Thomai…
Cilat ishin këto pyetje provokuese?
-Ja njëra: “Kur ke qenë me shërbim në Tropojë, më 2 shtator 1976, ke qenë me Ministren në Shtëpinë e pritjes. Si e shpjegon ti këtë, në një kohë që s’të takonte të flije atje?” U habita pak se kishte kaluar afro katër vjet, që me të vërtetë kisha qenë me shërbim në Tropojë duke shoqëruar edhe ministren. Aq thellë ishin futur këta sa kishin të dhëna edhe për atë periudhë, kur unë s’kisha mbushur muajin, që isha në detyrë në Ministri. Megjithatë, m’u kujtua plotësisht ngjarja, sepse ishte hera e parë që shkoja në Tropojë, duke përjashtuar një vizitë në Fierzë, që e kam përshkruar më lart.
Çfarë shpjegimesh dhatë lidhur me vizitën tuaj e të ministres në Tropojë, në shtator të vitit 1976?
-Po. Kur vajtëm në qytetin “Bajram Curri”, na pritën sekretari i parë Hysen Papa, i shoqëruar edhe nga Sekretarja e Komitetit të Partisë së rrethit, që ishte grua… Si duket për t’i krijuar edhe Ministres një mjedis më të ngrohtë e shoqëror, në darkë na thanë se do darkonim të gjithë në shtëpinë e pritjes. Në atë darkë ka qenë, veç këtyre edhe Bajram Neza, kryetari i Komitetit ekzekutiv të rrethit e Avni Mustafa, nënkryetari i komitetit ekzekutiv. Avniu ishte specialist bujqësie dhe njiheshim me njëri-tjetrin. Pas darke, Avniu më shoqëroi për në të vetmin hotel që kishte Tropoja dhe unë nuk fjeta në Shtëpinë e pritjes. Të nesërmen ishte edhe festa e Çlirimit të Tropojës dhe më kujtohet se, pas ceremonive të rastit, na çuan për të parë bukuritë e mahnitshme të Luginës së Valbonës dhe te memoriali, që përkujtonte vrasjen e Bajram Currit, por edhe te një memorial tjetër, që ishte ngritur me rastin e vizitës aty të udhëheqësit të partisë Enver Hoxha.
Unë ruaj përshtypjet më të mira nga se çfarë pashë në Tropojë dhe u çudita që një Shkëlzen nga Tropoja, një hetues, pas katër vjetësh më pyeste për këtë gjë, për të më nxjerrë mua se kisha bërë shkelje, që kisha shkelur në Shtëpinë e pritjes, që ishte i destinuar vetëm për anëtarët e udhëheqjes. Se çfarë lidhje kishte kjo, unë ftoj edhe lexuesin ta gjykojë, jo vetëm me syrin e sotëm, por edhe me syrin e asaj kohe, që kishte ndodhur ngjarja. Megjithatë ua shpjegova pak a shumë dhe u thashë se po të duan le të pyesin personat që përmenda për të vërtetuar thëniet e mia. “Pyesni Themien, mos më pyesni mua” -u thashë, duke e mbyllur këtë shpjegim. Nisën më pas me akuza të tjera…
Çfarë akuzash të tjera ju komunikuan në hetuesi?
-Ja njëra: ”Ke prishur unitetin parti-popull, sepse ke përdorur praktika në kundërshtim me udhëzimet e partisë. Për shembull, për ndërtimin e shtëpive të reja ke dhënë tullat pa lekë si dhe mjetet po falas, për transportin e tyre. Po kështu ke dhënë fasule më tepër se sa ishin udhëzimet. Bukë gruri ke dhënë për gjithë vitin, kur në kooperativa të tjera jepej për disa muaj gjatë vitit. Po kështu ke krijuar fond ndihme dhe e ke dhënë atë sipas preferencave të tua.”
Këto ishin akuzat e tjera që më ngritën. Që ishin absurde këto akuza dukej fare qartë. Ata sillnin si shembull kohën kur të gjitha shtëpitë e anëtarëve ishin të shpërndara dhe si rrjedhojë e sistemimit të tokës, ne i mblodhëm në tre qendra. Në këtë kohë dhënia e tullave dhe transporti falas u bë masiv dhe përfituan të gjithë. Nga ana tjetër për këtë, në atë kohë, s’kishte ndonjë udhëzim, por vendosej nga mbledhja e përgjithshme e kooperativës. Dhe kështu ishte vepruar. Hetuesit nuk pranonin të më sillnin procesverbalet e këtyre mbledhjeve dhe të ballafaqohesha me to, se ku e kisha shkelur vendimin e asamblesë së kooperativës. Akuza për dhënien e fasuleve dhe bukës së grurit për gjithë vitin, ishte fare në hava, sepse kooperativa në atë kohë ndante në natyrë prodhime të saj dhe gatuante bukën sipas prodhimit. Ne mbillnim 800 ha grurë dhe 70 ha misër. Pasi shlyenim detyrimin ndaj shtetit, unë nuk mund të blija misër për t’u dhënë fshatrave bukë misri, kur kishim vetë prodhim gruri. Krahasimi bëhej me kohën, kur unë merresha në pyetje, kooperativistët hanin vetëm 4-5 muaj bukë gruri. Kjo sigurisht kishte ngjallur pakënaqësi te kooperativistët, por për këtë nuk isha unë fajtori. Ai, faji, duhej kërkuar te ata që drejtonin në atë kohë. Të gjitha këto akuza, që ata po më bënin, kishin ndodhur 5-6 vjet më parë, kur situata në kooperativa ishte krejt ndryshe, nga koha kur isha marrë unë nën akuzë dhe interpretimi bëhej sipas gjendjes së ditës…
Edhe fondin e ndihmës, ne e krijuam, sipas statutit, jo më shumë se 2% të të ardhurave. E ndanim këtë sipas propozimeve që bënte këshilli popullor i fshatit për familjet në nevojë. Këto propozime vinin tek këshilli popullor i kooperativës së bashkuar. Mbi këtë bazë i shikonim edhe një herë në kryesi, pastaj, siç janë rregullat, këto fonde jepeshin me dy firma, timen dhe të shefit të llogarisë. Por, ne ishim hallka e fundi, sepse propozimet, të dokumentuara kishin ardhur në rrugën që thashë më lart. Në ato vite kishte propozime që ky fond të mos krijohej më dhe pati edhe një udhëzim të qeverisë në formë rekomandimi për këtë gjë. Por në kohën që ne krijonim dhe zbatonim këtë fond, ky udhëzim nuk kishte ardhur në kooperativë. Kjo ishte e gjitha. Dhashë e mora t’ua shpjegoja, por ata nuk mbanin asnjë shënim nga ato që thosha unë dhe vazhdonin avazin se ke qenë fajtor, ke përvetësuar dhe ke prishur unitetin parti-popull. Unë asgjë nuk pranova. Në çdo faqe vazhdoja të shkruaja kundërshtimet dhe firmën time. Nga që unë nuk pranoja, filluan presionet, veçanërisht në thirrjen e katërt në hetuesi…
Më konkretisht në këtë aspekt?
–Herën e katërt në zyrën e hetuesit ishte edhe Zija Shahini, prokurori rrethit. Ai kishte ardhur, sepse prokuroria do hartonte akuzën, por duhej që unë të bindesha ta pranoja atë më parë në hetuesi. Hetuesit i thonë prokurorit se ai nuk po pranon asgjë, si t’ia bëjmë? Ai më thotë mua se do ta shohim këtë gjë. “I ke bërë edhe letër Naunkës”, -më tha Zijai. Ja shpjegova edhe letrën që i kisha dërguar asaj dy-tre muaj më parë, sepse vëllai më tha se po më bëjnë edhe mua presion. Unë i shkruaja që ata kanë ç’kanë me mua, ta lënë rehat vëllanë, se ai një kooperativist i thjeshtë është dhe s’ka e s’mund të ketë asnjë përgjegjësi. Si duket, Naunka u kishte thënë këtyre se Llaqi po ankohet që i bëni presion vëllait. Kjo kishte qenë e vetmja letër që kisha bërë. “Mirë, mirë, do ta shohim edhe këtë”, më thanë. Këtë herë qe fare i shkurtër “ballafaqimi”, si e quanin ata “për të më vënë me shpatulla pas murit” me akuzat e tyre. Mirëpo pasojat më erdhën menjëherë.
Cilat ishin këto pasoja?
-Ishte parashikuar në rregullore që një herë në 15 ditë familjarët të më sillnin ushqime. Unë nuk konsumoja asgjë nga ato që më sillnin nga kuzhina e burgut. Ja çfarë bënë. Ndërprenë ushqimin nga jashtë. Lejuan vetëm të më sillnin ndërresa. Me këtë donin të më bënin presion dhe shpresonin që unë të firmosja akt-akuzën. Përsëri unë nuk u dorëzova. Në këto kushte, ata përdorën ‘armën’ e fundit që mua as më kishte shkuar dhe as nuk më shkonte ndërmend.
Cila ishte kjo armë?
-Një ditë më parë, pra më 14 gusht, më thërrasin në zyrën e hetuesisë dhe më thonë se ti akuzohesh edhe sipas nenit 55/1, pra “për agjitacion e propagandë”. Kjo ishte, sipas tyre akuza që do më trembte më shumë dhe të nesërmen kishin organizuar një ballafaqim. Për të vërtetuar këto akuza të veprimtarisë sime armiqësore, ata kishin thirrur dhe disa kuadro e persona të tjerë që kishin punuar direkt apo indirekt me mua.
Kur u organizua ky ballafaqim dhe kush mori pjesë në të?
-Ballafaqimi u organizua të nesërmen, pra më 15 gusht të vitit 1980.
Sigurisht, në ballafaqim ishin hetuesit dhe prokurorët e përditshëm që më pyesnin, provokonin e më akuzonin mua për shumë gjëra… Ishin në këtë ballafaqim ish-kryetari i kooperativës së Topojës, i cili kur u bashkua kjo kooperativë mbeti me detyrën e nënkryetarit, si me mua edhe në vazhdim, Petro Lule; kryetari i këshillit popullor në shkallë kooperative Todi Kote; Sekretari i byrosë së partisë në shkallë
kooperative Lami Sollaku e një kaminaxhi (kështu quheshin ata punonin në sektorin e prodhimit të tullave) Llukan Mone… (Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Akuzat e kolegëve për Jankon. Ka thënë: Nuk ka pse të bëjmë zbor ushtarak, le të vijë Italia të na pushtojë!
-Kush ishin të përpunuarit e Sigurimit të Shtetit që me dëshmitë e tyre konfirmuan akuzat e parapërgatitura për ‘Veprimtarinë armiqësore’ të ish-kreut të Kooperativave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë.
-Futja në grevë urie e të akuzuarit Janko, presioni i fundit për të firmosur fajësinë nga i pandehuri dhe seanca e parë e gjykimit më 20 janar të vitit 1981
O Janko!Me vjen qe ke vuajtur pa te drejte por une mezi pres te na thuash si te ka ndihmuar Ismahil Kabarea ne keto telashe te medha qe ke kaluar se me ate e nise rrefimin?!Na e bere me hile,me duket.Ismailin e perdore si karem per ne qe te terheqesh audiencen.C’hyn ketu Ismaili?!