Zogu i kaltër
Këputa një degë
Këputa një degë ulliri dhe në derë të dashurisë e vendosa.
Këputa një degë palme dhe te shtegu i lavdisë e vura.
Këputa një degë pishe dhe në buzë të honit të kohës e lëshova.
Këputa një degë mimoze dhe te pragu i dashurisë e vendosa.
Këputa një degë shege dhe ballin e shtëpisë zbukurova.
Këputa një degë shelgu dhe te ura e kujtimeve e lashë.
Këputa një degë ferre dhe te gardhi e vura.
Gjoksi yt
Gjoksi yt, pus i shterur, ku ujërat nuk burojnë më dhe lulet nuk mbijnë si më parë. Gjoksi yt, tokë e shkretë, ku drurët nuk rriten më. Gjoksi yt, fole e prishur, ku zogjtë s’këndojnë më. Gjoksi yt, breg i tharë, ku dallgët nuk rrahin më.
Para pasqyrës
Në fëmijëri njeriu habitet para pasqyrës. Në rini i gëzohet fytyrës së tij. Kur burrërohet, bie në mendime. Kur plaket, më mire pasqyra të mos ekzistonte.
Shega
Oh, ç’gaz të ëmbël ndjej, kur çaj shegën dhe kokrrizat e saj të kuqe hapërdahen rreth meje. Është bukuria jote e shpërndarë gjithandej. Janë sytë e tu të trëndafiltë, që më vështrojnë nga çdo kokrrizë. Në çdo kokrrizë çelen buzët e tua, nuri yt i purpurt, që vezullon nëpër to. Të qash e argalisesh brenda tyre. S’ka pemë në botë, ku të vezullojë nuri yt si në kokrrat e shegës.
Njeriu dhe qingji
Ti zemërdhembshuri, ti delikati, ti fjalëholli, si guxove ashtu dhe s’t’u drodh dora, kur ia ngule thikën në grykë qingjit tek blegërinte i lebetitur?! Gjaku i tij mbuloi fytyrën dhe ti thirre i nervozuar: “Sa i egër paskësh qenë ky qingj!”.
Martesa dhe liria
(Sipas Bahait)
Në dashurinë tonë të bashkohemi, po mes nesh të lemë hapësirë, që të vallëzojnë erërat e qiellit dhe flladet e tokës. Në dashurinë tonë të bashkohemi, por mes brigjeve të shpirtrave tanë, deti të lëvizë lirisht.
Në dashurinë tonë të bashkohemi, po, kur të këndojmë, secili të jetë vetëvetja. Ashtu si telat e lirës, që dridhen më vete.
Në dashurinë tonë të bashkohemi, zemrën njëri-tjetrit t’ia japim, por askush pronar të mos bëhet.
Në dashurinë tonë të bashkohemi, së toku të qëndrojmë, por të ndarë, si kollonat e një tempulli madhështor.
Në dashurinë tonë të bashkohemi, por hije të mos i bëjmë njëri-tjetrit, se edhe lisi me qiparisin nuk rriten në hijen e shoshoqit.
Si thua?
Si thua, a nuk do të kish qenë më mirë sikur dashuria jonë të kish mbetur aty ku nisi? Të kish mbetur zemra pa kapërcyer kufijtë e saj, te vështrimet magjepsëse, te fjalët zëdridhura, te largësia dhe fshehtësia e drojtur? Të kish mbetur te ëndrra, se, po të fitonim plotësisht njëri-tjetrin, do të fitonim botën? Si thua?
Sytë e vesës
Kur të dallosh dritën e syve të mi në pikën e vesës, atëherë mund të thuash se e ke njohur shpirtin tim.
Vrasja e kohës
Kohën e vret, kur ëndrra kuajsh sheh dhe ëndrra të tjera të vijnë. Kur rrëshqet nëpër kohë dhe arithmetikën e saj nuk e njeh. Kur mendja fluturon dhe mendimi fle. Kur fjalën e thua dhe peshën e saj s’e ndjen. Kur di të flasësh dhe s’di të heshtësh. Kur argëtohesh me jetën dhe jeta argëtohet me ty. Kur gjithë ditët i njëson dhe asnjë ditë nuk është e jotja. Kur merr frymë dhe nga fryma jote kënaqesh. Kur të tjerët vrapojnë dhe ti luan supet. Kur fjalët e tua mbllaçit dhe fjalët e botës i shpërndan. Kur këmbët luan dhe në vend qëndron. Kohën e vret kur me të nuk di ç’të bësh.
Heshtje të ndryshme
Kur ata dashuroheshin, heshtja e tij asaj i dukej mençuri. Me kalimin e viteve ajo kuptoi se ai heshtte, pse e kish të vështirë të mendonte.
Shuarja e katundit
Dalëngadalë katundi po shuhet. Më shumë kanë mbetur shtëpi se njerëz. Më pak ka të rinj se pleq. Mbi kalldrëme ka mbirë bari. Bagëtitë livadhisin nëpër kopshte. Ndër oxhaqet, vetëm ndonjë tek-tuk nxjerr tym. Në oborret e hapura, dritaret rrinë mbyllur. Poshtë çative të barkuara muret po plasariten e shkërrmoqen. Kambanat e kishës bien më shumë për të vdekurit se për të gjallët. Në varreza rrallëkush ndez ndonjë qiri. Tërfili në fusha ka mbetur i pakorrur. Qershitë e pjekura i vjel era e detit. Kroi i shkëmbit rrjedh, ndërsa bucelat e ronitura presin në qilare. Udhën e madhe e ka mbuluar heshtja. Katundi mpaket e plaketçdo ditë. Është një katund arbëresh, që rrënjët i ka në Arbëri dhe kurmin mbështetur ndanë një kodre të huaj.
Heshtja
O heshtje, limani im! Aty ku mendimet përplasen dhe marrin udhë. Ku kufiri mes së mirës dhe së keqes shembet. Ku gjej shtegun e mirësisë. Ku në pasqyrë shoh ditët dhe netët e mia. Ku me veten rri e bisedoj. Ku kujtimet flenë dhe zgjohen. Ku moshat japin e marrin me njëra-tjetrën. Ku bota hapet e mbyllet brenda meje. Ku një ditë domosdoshmërisht do të bashkohem me ty dhe pjesë e jotja do të bëhem.
Kostumi i lashtë
Mjaftoi që dikush e hapi atë sepet të harruar dhe sytë tanë morën dritë nga ai kostum i lashtë i gruas arbëreshe. Koha prehej e qetë mes palave të tij, ndërsa mendimet tona në sytë e njëri-tjetrit.
Sa breza e veshën dhe ç’bukuri njerëzore u ndez dhe u fik brenda tij.
Burri
Xhelati, më në fund, lëshoi i lodhur shkopin mes këmbëve dhe u ul në stol. I burgosuri, një malsor, i qëndronte përkarshi me duart e varura dhe trupin e përgjakur. Asnjë fjalë, asnjë rënkim. Xhelati pa dashur ngriti sytë dhe, kur ndeshi vështrimin e patrembur të viktimës së tij, u çua vrik ta godiste përsëri. Por u zmbraps përnjëherë, kur dëgjoi zërin e tij: “Më mirë më vrit, he burrë, se burri vritet, po nuk rrifet e shahet”.
Kur të humba ty
Ti nuk e di dhe s’ke për ta ditur kurrë se, kur të humba ty, u shndërrova në pelin. Me atë gjak që kish mbetur, mund të helmohej gjysma e botës. Dhe i pari kisha vdekur unë.
Pengu
Ishin në kulmin e lumturisë dhe prapë zemra u rëndonte nga pesha e pengut. Vështroheshin sy më sy, afroheshin e njësoheshin trupërisht, ndjenin zgjimin gazmor të gjakut dhe komunikonin në gjuhën e heshtjes. Pse u njohën kaq vonë?! Kujt i takojnë ato vite, kur ata nuk e dinin se ekzistonin mbi tokë? Cilat fjalë kanë mbetur pa u thënë? A nuk nis me ta dashuria në këtë botë? Si do të rrojë shpirti i tyre i ndarë në dy trupa?
Kështu pyesnin të dashuruarit atë çast, të përhumbur pas njëri-tjetrit, pa ditur se do të vinte një ditë që të fshiheshin të gjitha këto nga kujtesa.
Vetmia e përjetshme
Avioni fluturonte krenar sipër maleve. Nga një kënd i tij sodis vargun e lartësive të tyre. Sytë më mbeten te maja e majave, një shkrep i thinjur si i varur në hapësirë. Aty pushonte vetmia e përjetshme, të cilën, veç njeriut, askush tjetër nuk arrin ta pushtojë.
Rrënimi i kohës
Oh, sa e pashpirt u tregua koha me ty, o bukuri e rinisë sime! Si ta rrënoi ashtu fytyrën? Si ta meku dritën diellore të syve? Si t’i fishku gonxhet e buzëve? Si ta shtrembëroi vijën e … mbi ballë? Ç’ishte ajo ngricë që t’i thau hiret? Dikur bukuri e lulëzuar, tani kopsht i rrënuar e i braktisur.
Ditët e harrimit
Zërin tënd e mbylla në një guackë për ta dëgjuar në ditët e harrimit.
Zëri yt
Si u tret ashtu kumbimi i argjendtë i zërit tënd vajzëror?! Kush flet tani me atë zë metalik? Je ti apo dikush tjetër?
Dashuri
Ikin e vijnë brezat dhe sytë e tu dashuri nuk arrijnë t’i lexojnë deri në fund. Sfinks i përjetshëm mbete.
Ku së pari përtërihet koha
Në qoftë se do t’i dalësh kohës përpara, eja me mua, i dashur mik. Eja të shkojmë në Oqeanin Paqësor e të zbresim në ishullin e humbur të Togës. Atje është vendi, ku më parë se gjithkund agon dita dhe bien rrezet e para të diellit. Atje nis kryeviti dhe përtërihet koha, koha e jetës sonë. Eja t’i dalim përpara dhe të gëzohemi si fëmijë.
Flamuri i ronitur
Në majë të kodrës, buzë kufirit, nuk di se prej sa kohësh flamuri valëvitet natë e ditë. Valëvitet lehtë, valëvitet rreptë. Luan me flladin, përleshet me stuhitë. Koha e ka ronitur nga të katër anët. E, megjithatë, krahët e shqiponjës rrinë të tendosura dhe krerët kryelartë.
Për ty
Të kërkoja përtej dashurive dhe s’të gjeja. Dhe përtej urrejtjes të kërkoja e prapë s’të gjeja. U harrova i tëri pas teje dhe, duke kërkuar thellë vetes, papritur të gjeta te vetja ime. Ti ishe unë.
Bukuria e marsit
Marsi, më kallzonte një plak, na kishte një grua shumë të bukur, po ajo na paska patur një cen. Ishte e çalë. Dhe Marsin, sa e lumturonte bukuria e saj, aq e lëndonte ceni. Këtë ai e shfaqte çdo vit, gjatë një muaji të tërë, sepse, siç kallzonte plaku, kur gruaja rri ulur dhe Marsi e sodit bukurinë e saj dhe s’di si t’i gëzohet, retë shpërndahen, era pushon, hapet qielli dhe dielli shkëlqen duke zbukuruar çdo gjë mbi dhe. Kur gruaja ngrihet e lëviz, Marsi vrenjtet e zemërohet keq dhe atëherë qielli nxihet nga retë. Fryn erë, shkreptin e bubullon, bie shi dhe breshër. Eh, more djalë, më thoshte plaku, kur perëndive të qiellit bukuria ua merr mendjen kështu, po me njerëzit e gjorë çfarë ndodh?!
A e mban mend?
A e mban mend atë pllajë mali, kur u ngjitëm deri lart dhe u shtrimë të dy te një lirishtë plot lule, të harruar pas njëri-tjetrit?
Përballë kishim vetëm diellin, ndërsa poshtë gjarpëronte rruga ku kalonin njerëzit, kuajtë, qerret. Ne vështronim nga larg dhe nuk donim t’ia dinim për asgjë. Bota ishte jona dhe ne ishim zotër të saj. Ajo ditë nuk u përsërit më kurrë, por më zgjohet sa herë kaloj andej pari. Më rreh zemra si krah zogu dhe pamja atje tej më bëhet pasqyrë. Dalloj lirshëm blanat e luleve, shtogjet e drurit dhe shkëmbin prapa tyre.
Më pas nuk di sa herë pranvera çeli lule dhe vjeshta rrëzoi gjethe në atë pllajë. Dhe erdhi një ditë kur, gjaku m’u ftoh. Tani, kur kaloj andej pari, zemra nuk më rreh si një herë. Vështroj me sy të … dhe çdo gjë më mjegullohet. Është mjegulla e kohës, që e ka kthyer lirishtën e dikurshme në një njollë në mes të kaltërsisë së qiellit dhe ngjyrës gri të reve. Ndoshta një ditë do ta pyes veten, si të pyes ty tani: “A e mban mend?”.
Gëzimi i fundit
Pas shumë kohe lëngimi pa lëvizur nga shtrati, një mëngjes kur rrezet e diellit hynë gëzueshëm në dhomën e të sëmurit, burri kërkoi ta ngrinin dhe ta nxirrnin në ballkon. Të afërmit u habitën, vështruan njëri-tjetrin dhe me kujdes e ngritën peshë dhe e nxorrën atje ku donte. Burri, që për disa ditë pothuajse nuk ishte ndjerë, u çel në fytyrë, i regëtinë sytë e vagëlluar dhe u mundua të vështronte përpara. Mezi merrte frymë.
– Ç’mrekulli! Më shumë se fjalë kjo ishte një psherëtimë.
– The gjë? – e pyeti e shoqja e turbulluar.
– Thashë se çfarë mrekullie është bota, – u përgjigj burri me sytë e hapur tej mase. – Shikoni sa e bukur. Nuk gjej të ngopur. Shikojeni!
Ata që … shtangën. Iu lidh gjuha. Burri i ngazëllyer si fëmijë dridhej në duart e tyre. Pas disa orësh i sëmuri u shua në shtrat. Një tis i purpurt i kishte mbetur ende në fytyrë.
Krahët
Krahët e saj, degë mimoze. Krahët e tij, degë lisi. Në mes, dashuria e tyre e paepur.
Ujërat e nëndheshme
Bisedat e të dashuruarve u ngjajnë ujërave të nëndheshme të pyllit. Sa kohë që ata e duan njëri-tjetrin, ujërat rrjedhin gëzueshëm dhe drurët gjelbërojnë. Kur dashuria ftohet, burimet dhe drurët thahen.
Zogu i kaltër
Qëndrojnë ata të dy në breg të detit. Më tutje, në krah të tyre, mbi majën e shkëmbit, vjen e rri një zog i vogël në ngjyrë deti. Është mëngjes i kthjellët i një dite pranvere. Zogu shpupuris krahët, lëviz kokën me sqepin e gjatë, cicërin vetmueshëm. Ata e vështrojnë në heshtje me sy kurreshtarë. Nën këmbët e tyre shkumbëzojnë dallgët dhe ata dëgjojnë legjendën që i pëshpërit deti:
“Zogu i kaltër është zogu i dashurisë. Shtegtimi i tij i largët nga një breg në tjetrin është rruga, që pushton dashurinë. Një rrugë e gjatë e me zikzake nëpër hapësira, sipër honesh me ujëra. Zogu çan nëpër stuhi, ngrihet mbi kreshta dhe stërkala dallgësh. Përballon zjarrin e diellit dhe të ftohtin e hënës. Këndon dhe rënkon. Këlthet dhe hesht. Asgjë nuk e ndal.
Zogu i kaltër fluturon pa pushim sipër detit pa anë e pa fund. Kjo është rruga e tij, ashtu siç është dhe rruga e dashurisë. Rruga e mundimeve, por dhe e ngushëllimeve. Rruga e dhimbjes dhe e gëzimit. Rruga e lodhjes, por dhe e qëndresës. Askush sa zogu i kaltër nuk provon lirinë e hapësirave, ekstazën e lartësisë, misteret e thellësive. Është shpendi që fluturon më lart nga të gjithë, po dhe shpendi i vetëm që, kur rrëzohet, bie në fund të detit.
Vështroni zogun e kaltër, që tani po nis fluturimin. Ai fluturon dhe mbahet me dy krahët. Kështu dhe ju jeni krahët e dashurisë suaj. Asnjëri nuk bën pa tjetrin. Vetëm së bashku dashuria juaj do të përballojë shtegtimin e gjatë të jetës sonë të shkurtër.
Çifti i ri
Pas pranverës martesore erdhi një ditë dhe çifti për herë të parë ndjeu vetminë në jetën e përbashkët. Dukej sikur nuk u mjaftonin njëri-tjetrit.
Dhe zunë të mendojnë se ç’mund të bënin për të mbushur zbrazëtinë e krijuar. Për fëmijë ishte akoma shpejt. Të merrnin ndonjë kafshë?!Të dyve u shkoi ndër mend, por nuk e shprehën. Atë që nuk e shprehën, e realizuan. Blenë një akuarium me dy peshq të kuq, që i joshën së tepërmi teksa lëviznin gëzueshëm para syve të tyre. Çifti rrinte e sodiste vallzimin e tyre pas qelqit dhe hovte e belbëzonte si të ishin fëmijë. “Ky është i imi”, tregonte me dorë ajo. “Ky tjetri më mbetet mua”, ia priste ai.
Pastaj harroheshin pas tyre dhe vetes. Përqafoheshin dhe prapë harroheshin pas akuariumit dhe veç kur dëgjoje që secili i përsëriste njëri-tjetrit: “Ti je i imi dhe ai është i imi”.
Por ky refren naiv nuk vijoi gjatë. Një ditë, papritur, njëri nga peshqit pushoi së vallëzuari dhe me sytë e mbyllur doli në sipërfaqe të ujit. Çifti, kur e vuri re, u trondit. Sidomos ajo, që u përlot. Asnjëri nuk donte ta ngushëllonte tjetrin. Dhe heshtnin të munduar nga lloj-lloj parandjenjash. Ishte ky një ogur i keq i çastit apo një kumt për jetën e gjatë që i priste përpara?!
Çlirimi i vetvetes
Të gjithë jemi të burgosurit e vetvetes dhe varet prej nesh sa jemi në gjendje të çlirohemi.
Të çlirohemi nga thonjtë e egoizmit. Nga dalldia e pasioneve të çlirohemi. Të çlirohemi nga kurthet e dyshimeve. Nga gjarpërinjtë e zilisë të çlirohemi. Të çlirohemi nga tundimet e lakmisë. Nga marrëzitë e madhështisë të çlirohemi. Të çlirohemi nga makthi i lartësisë. Nga skllavëria e vetvetes të çlirohemi.
Të besova
Të besova aq shumë, sa të mbajta nën gjuhë. Dhe ishe ti pastaj që më kafshove si gjarpëri.
Kujtimet
Ka kujtime, që shuhen me ditën. Ka kujtime, që vyshken me stinët. Ka kujtime, që vjetërohen me vitet. Ka kujtime, që vdesin me ty.
Pengu i kohës
Dimë se çfarë fshihet pas kohës që shkoi. S’dimë se ç’qëndron pas kohës që vjen. Mbetemi gjithmonë peng mes dy kohërave.
Këngët
Këngët, këto mike që na gjenden pranë në çdo moshë. Që bartin dëshirat tona, që bartin dashuritë tona, që bartin kujtimet tona. Që zgjojnë gëzimet tona, që zgjojnë trishtimet tona. Që shfryjnë dufet dhe marrëzitë tona. Ashtu të heshtura dhe besnike qëndrojnë brenda nesh dhe presin të shpërthejnë dhe ta kthejnë shpirtin tonë në tinguj.

Nji shetitje ne kopeshtin e poezise ,kte fund jave
eshte mjaft inspirues e relaxues …mbas asaj mbyllje
te detyruar .
Respekt i nderuar z.N.JORGAQI
Faleminderit poet , per qetesimin shpirteror qe na solle ! Njeriu ka shume nevoje edhe per “terapi” artistike .
Shprehje “lakonike”,aforizma,pra “proze”;po poezia ku eshte!?Ku je Migjen ,me “Bukuria qe vret”me proze poetike te vertete!(“Dita-30-05-20-nga Nasho Jorgaqi,proze poetike?!)
Poezi
Gjoksi yt, pus i shterur,
ku ujërat nuk burojnë më
dhe lulet nuk mbijnë si më parë.
Gjoksi yt, tokë e shkretë,
ku drurët nuk rriten më.
Gjoksi yt,
fole e prishur, ku zogjtë s’këndojnë më.
Gjoksi yt,
breg i tharë, ku dallgët nuk rrahin më.
natyrishte qe ka edhe proze edhe aforizma ne forme proze .