Artur Qoraj
Familja Prroni nga Oblika e Shkodrës mohon se është e përfshirë në vrasjen për gjakmarrje të Ibrahim Manit në mesjavë, krim i ndodhur në vendin e quajtur “Shtëpia e Mushkonjës”, në periferi të qytetit. Në një deklaratë të ditës së djeshme pas lajmeve se policia ka shpallur në kërkim 26-vjeçarin Tarzan Prroni, familjarët reaguan duke e mohuar me alibinë se dy familjet kanë falur gjakun 12 vite më parë me një dokument të përbashkët pajtimi të firmosur nga dy palët. Dy fiset kishin pasur hasmëri të vjetra që ridolën në skenë në 1993 me vrasjen e babait të Prronit nga babai i 50-vjeçarit Mani në Oblikë. I dyshuari u arrestua dhe dënua 10 vite burg, ndërsa ndërroi jetë pas lirimit nga qelia për shkaqe natyrore.
Vetë Tarzan Prroni, në një reagim telefonik për mediat, mohoi akuzat e policisë për vrasje me motive gjakmarrjen. Ai pohon se prej vitesh gjendet si emigrant në Itali dhe se nuk ka shkelur në Shqipëri. Kurse xhaxhai i 26-vjeçarit tha se kjo mund të verifikohet edhe nga sistemi TIM-s prej policisë, e cila nuk ka fare dijeni as për faljen e gjakut mes fiseve 12 vite më parë. “Duke qenë në Itali, duke mos pasur lidhje në këtë punë që ka ndodhur, të hapin edhe njëherë prej fillimit një ngjarje që ka ndodhur prej shumë vitesh. Të flitet emri im në të gjithë Shqipërinë, të më bëjnë mua vrasës?! Kjo është një gjë mua më mundon, pse?”, thotë Tarzani. Sipas tij, hasmëria me familjen Mani e nisur që në vitin 1993, është mbyllur me pajtim.
“Në 2002, sipas zakoneve që janë në Shkodër, kemi dhënë dorën dhe kemi firmosur dokumentet në atë kohë me ndërmjetësimin e shoqatës së pajtimi, se nuk e mbaj mend mirë, kam qenë i vogël në atë kohë”, rrëfen 26-vjeçari. Prroni tregon se pas marrjes së njoftimit se ishte shpallur në kërkim është paraqitur në policinë e Firences, ku dhe jeton por atje i është komunikuar se nuk ka asnjë urdhër-ndalimi për të.
Në fund ai shton se është i gatshëm t’i paraqitet edhe te autoritet shqiptare, pasi nuk ka gisht në vrasjen e Brahim Manit. Ai shton se mund të vërë në dispozicion edhe dokumentacionet e firmës së ndërtimit ku edhe punon në Firence.
Të njëjtën gjë pohon edhe Skënder Prroni, xhaxhai i Tarzanit, njëkohësisht vëllai i personit të vrarë në 1993 nga një anëtar i familjes Mani. “Kemi shtrirë dorën e pajtimit në praninë e misionareve të paqes dhe pajtimit të gjaqeve dhe 40 burrave, prandaj besa e dhënë nuk thyhet. Fisi ynë dhe as nipi, Tarzani, nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë dhe se ato janë përfshirë padrejtësisht nga policia. Ai ndodhet në Itali dhe mund të verifikohet lehtë. Policia duhet të ishte informuar për pajtimin e gjakut”, thotë Prroni.
