Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj ka denoncuar abuzimet korruptive që sipas tij shteti shqiptar bën me konçesionet e naftës.
Gjatë fjalës së tij, Ahmetaj ka nënvizuar se, për shkak të këtyre aferave, vendit i shkaktohen dëme financiare kolosale që arrijnë mbi 100 milionë dollarë. Një tjetër pikë ku Ahmetaj është ndalur ka qenë menaxhimi, sipas tij, korruptiv dhe politik i kompanisë “Albpetrol”, që gjithashtu po i shkakton vendit humbje të mëdha ekonomike. Në emër të Partisë Socialiste, Ahmetaj ka premtuar se, me ardhjen e PS në pushtet sektori i naftës dhe interesat e tij do t’u kthehen qytetarëve shqiptarë.
Me poshte denoncimi i deputetit Arben Ahmetaj:
Sot dua të ndaj me qytetarët një tjetër arsye përse Sali Berisha nuk duhet votuar në 23 qershor: Dështimin e tij me sektorin e naftës duke filluar që nga kërkimi, prodhimi, përpunimi e deri tek tregtimi me pakicë, është në faliment të plotë.
Në këto 8 vjet kërkimi në sektorin e naftës ka dështuar. Asnjë pikë naftë e re nuk është zbuluar. Për më tepër, në mënyrë të qëllimshme dhe në emër të interesave klienteliste Sali Berisha ka krijuar kushtet për një shfrytëzim pa asnjë kriter të naftës në Shqipëri. Shkrirja e institutit të naftës, eliminimi i mbikëqyrjes së prodhimit dhe i monitorimit të impaktit në mjedis, janë veç disa nga veprimet e kësaj qeverie që kanë mundësuar daljen jashtë çdo kontrolli të këtij sektori.
Koncesionet jotransparente, klienteliste, korruptive dhe pa asnjë logjikë ekonomike në sektorin e naftës janë një tjetër dështim i Sali Berishës.
Të dhënat nga kjo qeveri janë.
Sot këto koncesione nuk kontribuojnë asnjë lek në buxhetin e shtetit si tatim fitimi. Imagjinoni një sektor nga më fitimprurësit deklaron 0 lekë fitim dhe zero kontribut nëpërmjet fitimit në buxhetin e shtetit.
Sikur të mos mjaftonte kjo sot koncesionet e naftës paguajnë minimumin për të drejtën sovrane. Për publikun shqiptar dua të shpjegoj që dëmi në buxhetin e shtetit nga mungesa e standardit ndërkombëtar të të drejtës sovrane, apo thënë ndryshe pjesa e buxhetit të shtetit, i mungojnë 150 milion dollarë në vit.
Sot Shqipëria eksporton vetëm naftë bruto. Nga mospërpunimi i naftës në vend ekonomisë kombëtare i humbasin çdo vit qindra miliona dollarë. Është e papranueshme që megjithëse vendi ka asete përpunuese ato nuk funksionojnë. Në një kohë kur Shqipëria prodhon çdo vit 1 milion tonë naftë ajo eksportohet bruto, ndërkohë që nevojat e tregut të brendshëm prej 650 mijë ton në vit, plotësohen nga importi, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 300 milion dollarësh për ekonominë shqiptare.
Qeveria ka dështuar edhe me Albpetrolin i cili sot është në faliment të plotë. Menaxhimi politik dhe korruptiv i një nga pasurive më të mëdha të vendit sjell dëme kolosale të përvitshme. Sot Albpetroli është katandisur në një pasuri që e grabisin përditë. 100 000 ton naftë vidhen çdo vit, që do të thotë në Albpetrol vidhen në një vit 45 milion dollarë. Dhe këtij abuzimi i shtohen edhe rastet e kontrabandës me të strukturave e njerëzve të pushtetit, siç ishte ai i kontrabandës së naftës vergin.
Pas 89 ditësh ky sektor do të fillojë të rilindë së bashku me ekonominë shqiptare. Ne sot premtojmë para shqiptarëve një cikël të plotë në sektorin e naftës në mënyrë që nafta shqiptare të kontribuojë seriozisht në buxhetin e shtetit, të përpunohet brenda vendit në mënyrë që shqiptarët të përfitojnë nga kjo pasuri prej të cilës sot po pasurohen vetëm një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin.