Vendimi i një dite më parë i qeverisë shqiptare sipas Partisë Socialiste do t’i japë fund abuzimit me ndërtimet pa leje.
Në një deklaratë për mediat deputetja e kësaj partie Esmeralda Shkjau përshëndeti këtë vendim dhe akuzoi kreun e Bashkisë Lulzim Basha se po jep leje abuzive në kryeqytet.
“Partia Socialiste përshëndet vendimin e qeverisë shqiptare për të ndalur vazhdimin e abuzimeve me lejet e ndërtimit që jepen jashtë normave ligjore e urbane. Ditët e fundit opinioni publik është njohur me një shkelje flagrante të një premtimi të Lulëzim Bashës. Kur i duheshin votat, njësoj si Sali Berisha Lulëzimi u zotua të ndërtojë një park sportiv tek diga e liqenit. Por njësoj si Sali Berisha edhe Lulëzim Basha, tjetër thotë e tjetër bën”, – u shpreh Shkjau.
Më tej ajo theksoi se kreu i Bashkisë e zëvendësoi parkun sportiv të parashikuar për tu ndërtuar në zonën e Liqenit Artificial me një mur gjigand betoni.
“Në vend të parkut sportiv kryebashkiaku i Tiranës ka dhënë lejen për të ndërtuar një mur gjigand betoni, me pesë kulla njëzetkatëshe vrojtimi, që ndan qytetin e qytetarët nga parku i mbetur i liqenit. Po nuk është vetëm kaq dhe nuk mbaron vetëm tek kjo leje abuzive, shpërdorimi i detyrës dhe i besimit të qytetarëve nga kryebashkiaku Lulëzim Basha.”- deklaroi deputetja e PS-së.
Ajo u shpreh se dhjetëra leje të tjera të dhëna në kundërshtim të plotë me interesin publik e qytetar, kanë marrë apo presin të marrin firmën e Lulëzim Bashës.
“Vendimi i djeshëm i qeverisë do ta ndalojë jo Lulëzim Bashën, po fenomenin Lul në mbarë Shqipërinë, që të vazhdoje të shkatërrojë e shëmtojë qytetet, bregdetin, peizazhin anës rrugëve, tokën bujqësore, ullishtat, me leje abuzive që pjellin masivisht shëmtira prej betoni. Fenomeni Lul nuk fillon e as mbaron në kufijtë e autoritetit vendor. Por së paku, vendimi i djeshëm i qeverisë shqiptare ka vënë një cak të qartë për këtë fenomen duke ndaluar shkatërrimin e mëtejshëm të territorit nga duart e këtij soji kryebashkiaku që tjetër thotë e tjetër bën”- përfundoi Shkjau.
Reagimi i Bashkisë
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Bashkisë së kryeqytetit, e cila vazhdon t’I tregojë qytetarëve se Tiranën e ka betonizuar Edi Rama kur ishte kryebashkiak. Sipas Bashkisë, ishte Rama ai që betonizoi 65 mijë metra katrorë lulishte.
“Edi Rama, njeriu që betonizoi mbi 65 mijë metra katrorë lulishte në zemër të Tiranës vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak hapi edhe sot gjirizin e shpifjeve dhe sulmeve kundër Bashkisë së Tiranës. Në vend të mashtrimeve që nuk i ha me askush, kryekarikatura e keqqeverisjes duhet t’i përgjigjet qytetarëve të Tiranës se pse ka bllokuar projektin e bulevardit të ri, ku përfshihen 7 parqe me mbi 300 mijë metra katrorë gjelbërim për kryeqytetasit dhe gjithë vizitorët e tij? Pse ka bllokuar garancinë sovrane për ndërtimin e tramit, projekti i të cilit është gati? Pse bllokon projektin e stacionit multimodal të pasagjerëve i cili pakëson ndotjen e ajrit në Tiranë me 6 ton gaz karbonik më pak në ditë?”, thuhet në deklaratë.

-ç’do njeri te pergjigjet per vete..pergjithesimi tregon injorance.