Në vijim të nismës “100 arsye për të mos votuar Berishën”, PS tha sot se kryeministri Berisha ka shkatërruar institucionet shtetërore duke i kthyer në shërbim të pushtetit personal. Në një deklaratë për mediat nga selia rozë, Milena Harito tha se Sali Berisha dhunoi institucionet publike duke dhunuar në thelb demokracinë. “Gjuha e dialogut, gjuha e ekuilibrave institucionalë është një gjuhë që as ai as skuadra e tij nuk e njohin. Shqipëria nën pushtetin e Sali Berishës, është Shqipëria e ç’demokratizimit, e instalimit të një modeli politik që në thelb ka dhunimin e vullnetit popullor, shpërdorimin e parave publike, promovimin e militantit dhe rrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë. Nën regjimin e tij 8-vjeçar rrënoi dhe ato institucione demokratike që ishin ndërtuar duke shkatërruar ekuilibrat institucionale të vendosur. Pas 8 vitesh rrënimi të vendit, shqiptarët janë dëshmitarë të një force politike e cila ka tradhtuar vullnetin e mbështetësve të saj duke u shndërruar në një parti familjare që ka privatizuar shtetin”, tha ajo.
Harito tha se Kuvendi, Presidenti, KLD dhe administrata shtetërore janë në shërbim të partisë familjare. “Kuvendi është tashmë një organ ratifikues i vendimeve autokratike të qeverisë dhe asfiksues ndaj opozitës, një organ që legjitimon rrënimin e institucioneve kushtetuese, shkatërron dialogun dhe konsensusin politik. Presidenti i Republikës është në të vërtetë presidenti i partisë familjare. Si i tillë u zgjodh dhe si ti tillë po vepron. Sot shqiptarët janë dëshmitarë të faktit që kjo presidencë e politizuar ka në duar frerët e sistemit të drejtësisë dhe udhëheq organin më të lartë të këtij sistemi, KLD-në, sipas linjave politike të partisë familjare. SHISH-i është tashmë në kontroll të drejtpërdrejt të mazhorancës, sepse po ky president i ka vënë në krye një shërbëtor të Sali Berishës. Tentativa e Sali Berishës për të rrënuar KQZ-në, tentativë që ka alarmuar të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, është gjesti më i fundit i një kryeministri pre e panikut dhe e vetmisë. Shteti dhe administrata publike është shndërruar në një makineri elektorale në shërbim të partisë familjare dhe të mbajtjes të pushtetit me çdo kusht. Me paratë tona, Televizioni Shqiptar, një institucion i ndërtuar si shërbim publik, është tashmë paturpësisht megafoni i propagandës qeveritare, instrument elektoral, tribunë nga ku Sali Berisha lëshon mashtrimet e radhës”, tha ajo.
Harito u ndal edhe në rastin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për të cilin u shpreh se pushteti po përpiqet ta kthejë në pronë private. Ajo u shpreh më tej se me ardhjen në pushtet pas 23 qershorit, PS do t’u rikthejë dinjitetin dhe pavarësinë institucioneve shtetërore.
“Rasti më i fundit, i dhunës ndaj institucioneve është kthimi i Këshillit Bashkiak në pronë private, së cilës merr guximin t’i ndërrojë brava e çelësa. Partia Socialiste angazhohet të ndërtojë institucione të vërteta demokratike, të bazuara në një kulturë demokratike. Ne do ta kthejmë Kuvendin, nga një institucion ku ratifikohen vendimet autokratike të qeverisë, në qendrën e gravitetit politik e vendimmarrës për Shqipërinë, si ushtrues i sovranitetit të popullit. Ne do të fuqizojmë institucionet kushtetuese duke vendosur një kufi të qartë e të pakapërcyeshëm mes shtetit dhe pushtetit”.