Partia Socialiste ka nisur që të denoncojë me emër të gjithë ata zyrtarë që detyrojnë mësuesit, mjekët, infermierët dhe të gjithë buxhetorët që të dalin në mitingjet e Partisë Demokratike dhe të angazhohen në fushatë me ta.
PS madje fton të gjithë që të denoncojnë me emër ata që bëjnë shkelje të tilla.
“Pas postimit të deputetit Taulant Balla, na u dërguan nga Librazhdi emrat e personave përgjegjës për këtë abuzim e shkelje të pastër të ligjit: Ferit Hysa, drejtor i Arsimit, Artenca Balla, drejtoreshë shkolle dhe Liman Menalla, Drejtor i Shëndetit Publik. Ju ftojmë edhe ju që të denonconi me emër e mbiemër të gjithë ata zyrtarë që në shkelje të ligjit po detyrojnë punonjësit e administratës të marrin pjesë në fushatën e kryeministrit në ikje,” thuhet në deklaratën e PS.
Ndërkohë pak më herët, deputeti Taulant Balla, duke iu referuar mitingut të Berishës në Elbasan, shkruante në FB: “Pas mësuesve tani sapo u nisën edhe infermieret dhe doktorët nga Librazhdi për në Elbasan. Ka dhënë urdhër doktori nga Tirana, të mos ngelet asnjë mësues dhe infermierë në Librazhd sot. Të gjithë në Elbasan. Për urgjenca, ju lutem prisni! Spitali i Librazhdit është i mbyllur. Shkollat i mbyllën që në mëngjes”.