Partia Socialiste ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë i cili në mbledhjen e sotme të qeverisë ia hodhi opozitës fajin për dështimin e statusit. Përmes një deklarate për shtyp, anëtarja e grupit të punës për Programin e PS, Milena Harito, tha se nga 12 kriteret e kërkuara nga BE-ja, 4 prej tyre janë përmbushur me kontributin e opozitës, ndërsa 8 të tjerat janë përgjegjësi e qeverisë.
“Nëse ka një person që është përgjegjës për dështimin e tretë rresht të Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat, ai person e ka emrin Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë. Nuk ndodh në asnjë vend të Bashkimit Europian që Kryeministri në detyrë të fajësojë opozitën për çdo problem që qeveria është e paaftë të zgjidhë. Dhe për sa kohë ne do të kemi për kryeministër Sali Berishën, sigurisht që shanset për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian do të jenë të vogla. Dje Shqipëria mori fatkeqësisht përgjigje negative për të marrë statusin e vendit kandidat. Por cilat ishin arsyet e kësaj përgjigjeje negative? Brukseli i kishte lënë Shqipërisë 12 detyra shtëpie. Nga këto, falë kontributit të opozitës janë përmbushur vetëm 4. 8 detyra shtëpie, kryekëput përgjegjësi të qeverisë vazhdojnë të mbeten të papërmbushura. Bashkimi Europian kërkon që ligjet të respektohen dhe zbatohen, jo vetëm të ekzistojnë në letër. Kërkesë kjo që përputhet plotësisht me qëndrimin e opozitës. Bashkimi Europian kërkon me ngulm që zyrtarët e lartë të korruptuar të shkojnë përpara drejtësisë siç ndodhi në Kroaci, Malin e Zi apo Bullgari e Rumani. Ndërkohë, vendi ynë nën drejtimin e Sali Berishës ka qeverinë më të korruptuar në Europë sipas Transparency International”, tha Harito.
Më tej, ajo theksoi se tashmë testi që Shqipëria ka përpara janë zgjedhjet e qershorit, edhe kjo një përgjegjësi e qeverisë nga e cila varet statusi. Për këtë, opozita do të vazhdojë të japë kontributin e vet, jo vetëm në letër , por në realitet.
“Bashkimi Europian i përcakton zgjedhjet e ardhshme parlamentare si një test për Shqipërinë. Një test të cilin ose do e kalojmë, ose do të ngelim. Përsëri është përgjegjësi e qeverisë që organizon zgjedhjet që Shqipëria ta kalojë këtë test, dhe të mos ngelë në klasë, njësoj siç ka ngelur 3 herë rresht. Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe opozita shqiptare janë krenare për të gjithë angazhimin që kemi dhënë në procesin integrues. Jemi krenare për të gjithë vlerësimin pozitiv të Bashkimit Europian, vlerësim që lidhet me kontributin e drejtpërdrejtë që ne kemi dhënë në Parlament. Ne do të vazhdojmë të punojmë për Shqipërinë e Rilindur dhe pjesë e Bashkimit Europian. Ne do të vazhdojmë të punojmë për Shqipërinë Europiane, jo vetëm në letër, por në realitet”, përfundoi Harito.