Partia Socialiste ka zhvilluar sot pasdite një aktivitet me temë “Rinia dhe Sporti”, të cilin është bërë një prezantim i asaj që parashikon programi për një Rilindje Shqiptare lidhur me sportin dhe përhapjen e masivizimin e tij në radhët e rinisë shqiptare. Kryetari i PS, Edi Rama shoqërohej në këtë prezantim nga deputeti socialist, Fidel Ylli dhe Sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj. Në fjalën e tij Veliaj ka theksuar hapat që do të ndërmarr PS në qeverisje pas 23 qershorit për t’u krijuar mundësi të gjithë të rinjve që të merren me sport. Kështu Veliaj tha se rikthimi i klasave sportive në të gjitha shkolla do të bëjë të mundur edhe futjen në punë të rreth 1200 mësuesve të kësaj lënde, ndërsa mjediset sportive të shkollave do të shtohen dhe do të kthehen në mjedise publike sportive që do të mund të përdoren nga fëmijët dhe të rinjtë edhe në orët e pasdites. Fidel Ylli e ka vënë theksin të rëndësia që ka sporti për rininë, ndërsa ka nënvizuar se në 22 vjet demokraci, kjo është hera e parë që një parti politike ka program të detajuar për sportin. Në pozicionin e kryetarit të grupit të punës për programin për sportin, Ylli ka bërë të ditur se deri tani ka pasur një interesim shumë të madh nga të gjitha rrethet e vendit dhe nga grupe të shumta të rinjsh për t’u njohur me këtë program të PS-së.
Kryetari i PS, Edi Rama duke marrë fjalën në këtë prezantim ka thënë:
Është hera e parë që ne kemi një program që i dedikohet në detaje sportit dhe ky program i dedikuar në detaje për sportin është pjesë e vizionit dhe e rrugës sonë për të rilindur Shqipërinë, duke ripërtërirë Shqipërinë. Për ne ripërtëritja e shoqërisë kalon edhe nga sporti, nga ripërtëritja fizike, nga kultura fizike, nga edukimi fizik. Ja pse kur flasim për sportin ne nuk kemi parasysh vetëm kombëtaren e futbollit, apo ato aktivitete që pushtojnë ekranet e televizioneve duke tërhequr gjithë vëmendjen e publikut. Por ne kemi parasysh sportin për të gjithë në radhë të parë. Kemi parasysh kulturën fizike si pjesë e edukatës qytetare dhe si një nga elementët më të qenësishëm të një kulturë komunitare dhe të një bashkëjetese demokratike dhe qytetare me njëri-tjetrin.
Përpara rreth një muaji, ne organizuam një kampionat minifutbolli, ku morën pjesë 1400 të rinj. Sigurisht që ishte kënaqësi shumë e madhe për ne që të shikonim një pjesëmarrje kaq të gjerë, por nga ana tjetër është diçka për të ardhur keq, që u desh një parti politike si Partia Socialiste, që 1400 të rinj të mund të përfshiheshin në një aktivitet sportiv me garë. Kjo është diçka që duhet të ndodhë normalisht dhe duhet të ndodhë vazhdimisht. Dhe ne në programin tonë kemi në plan të organizojmë jo vetëm klasat sportive, por edhe aktivitetet sportive me garë midis shkollave dhe midis universiteteve, në mënyrë që orët e kaluara bashkarisht në shkollë apo universitet të mos jenë vetëm orët e lodhshme, apo ndonjë herë edhe të mërzitshme të mësimeve, por të jenë dhe orët, kur të rinjtë mblidhen së bashku për t’u argëtuar dhe për t’i shërbyer trupit të tyre, fizikut të tyre, shëndetit të tyre. Është botërisht e njohur se 1 lek i investuar në sportin për të gjithë është baras me 2 lekë të kursyera në kujdesin shëndetësor për qytetarët. E pra ne e shikojmë këtë investim edhe si një investim për një shoqëri më të shëndetshme nesër.
Ne do ta organizojmë sportin për të gjithë në të gjitha nivelet dhe plani ynë është që në çdo shkollë të kemi mësuesit e edukimit fizik, dhe përveç klasave sportive të kemi dhe një organizim, që t’u lejojë, t’u mundësojë, t’u krijojë kushte të rinjve, nxënësve apo studentëve që të mund të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat sportive në shkolla apo në universitete falas, duke shtuar njëkohësisht edhe volumin e këtyre hapësirave, që sot janë të pamjaftueshme për të përballuar të gjitha kërkesat e të rinjve. Është shumë pozitive që të ketë edhe mjedise private për të luajtur futboll, për të luajtur basketboll, për të luajtur tenis, por këto mjedise private nuk janë të mundshme për të gjithë, sepse kushtojnë. Ne duam që të ketë krahas mjediseve private dhe një sasi të atillë mjedisesh publike sportive me qendër shkollën ku të gjithë të kenë mundësi të ushtrojnë sport dhe ku për të gjithë të jetë e mundur që të organizohen dhe të kenë edhe atë pjesë të sportit që është kompetitiviteti. Sepse nuk mund të vazhdohet më që i vetmi sport të mbetet lotoja dhe e vetmja mënyrë për të fituar të jetë x, 2, 1, 1, x, x. Sepse kjo krijon një vakum shumë të madh moral dhe psikologjik dhe njëkohësisht duke parë se si vrapon Kristiano Ronaldo apo Mesi, krijon idenë e gabuar se je dhe ti duke vrapuar dhe duke parë sesi fitojnë ata, të krijon idenë e gabuar se fitove edhe ti. Në fakt e vërteta është që kështu ne vetëm humbasim si shoqëri dhe kështu ne po humbasim një gjeneratë të tërë, që nuk po kalon përmes aktivitetit sistematik fizik dhe edukatës fizike të orientuar në radhë të parë si pjesë e edukimit të përgjithshëm në shkollë.
Së fundmi do doja të nënvizoja faktin se duke u angazhuar për sportin, ne jemi të bindur se angazhohemi për të ndërtuar një model suksesi që të jetë i bazuar tek sakrifica, që të jetë i bazuar tek konkurrenca, që të jetë i bazuar tek merita. Duke i dhënë mundësinë shoqërisë që përmes konkurrencës dhe meritën të krijojë ata shembuj që pastaj bëhen pika referimi për të gjithë të rinjtë, pse jo edhe për të gjithë fëmijët. Kur ne ishim më të rinj, erdhi dita ta themi këtë s’kemi ca bëjmë, nuk do kishim pasur aq shumë tërheqje ndaj sportit po mos të kishim parë kampionë dhe modele të suksesit në sport, që ishin pika referimi për shoqërinë. E pra Shqipëria i ka talentet për ti ndërtuar këto modele dhe për ti promovuar si histori suksesi që duhet të tërheqë të gjithë të rinjtë.
Programi ynë i sportit ka shumë element, por unë e ritheksoj, elementi kryesor dhe më i rëndësishmi për ne është kalimi i të rinjve nga sporti i shikuar në televizor, tek sporti i luajtur, i zhvilluar në mjediset që tu krijojnë të rinjve mundësinë që të zhvillojnë aktivitetin sportin. Sporti për të gjithë, sporti si pjesë e përditshme e jetës së çdo njërit nga ne, sporti si një mundësi për tu shoqërizuar me njëri tjetrin në kushte të ndryshme nga ato të shkollës, apo nga ato të kafenesë dhe si një hapësirë ku ajo çka përfitojmë fizikisht është në fakt edhe një përfitim moral, një përfitim psikologjik, një përfitim në energji mendore dhe në fuqi intelektuale. Jo më kot grekët e lartë thoshin mendja e shëndoshë në trup të shëndosh dhe jo rastësisht filozofët e mëdhenj grek ishin njëkohësisht dhe sportist shumë të spikatur, sepse asnjëherë nuk e ndanin aktivitetin mendor nga aktiviteti fizik. Madje gjithë herë, aktiviteti fizik shihej si fuqi mbështetëse e aktivitetit mendor. Këtë mund ta dëshmojmë të gjithë nga pak, është fare e qartë që kur i përkushtohemi aktivitetit fizik kemi shumë më tepër forca për të angazhuar në aktivitetin tonë të përditshëm dhe shumë më tepër energji për të menduar edhe përtej orareve të zakonshme të punës apo aktiviteteve të përditshme të njeriut.
Unë shoh me shumë kënaqësi që programi ynë për sportin i cili nisi si ambicia e një grupi njerëzish, e imja, e Fidelit, e një grupi miqsh të sportit, të cilët prej kohësh shqetësohemi dhe diskutojmë për mundësinë që t’ja kthejmë sportin këtij vendi, ta rilindim sportin në këtë vend, ta bëjmë sportin pjesë të të jetuarit të këtij vendi. Ka marrë një përmasë që me thënë të drejtën është e papritur dhe për ne vetë. Shumë interesim, shumë mbështetje, shumë entuziazëm për rrugëtimin e këtij programi dhe për çka programi ofron si zotimet tona. Unë jam i bindur që çështja e rilindjes së sportit, unë dua ta rinënvizoj e rilindjes së sportit në radhë të parë si aktivitet fizik për të gjithë nxënës e studentë, më shumë sesa një çështje parash dhe një çështje infrastrukture është një çështje vizioni dhe një çështje e të kuptuarit të botës.
Ne e kemi sportin pjesë të vizionit tonë dhe nuk e kuptojmë dot botën pa sportin dhe këtu fillon dhe angazhimi ynë, këtu fillon dhe rruga drejt rilindjes së sportit. Unë jam i bindur që ashtu si në shumë fusha të tjera edhe në sport ne mund bëjmë më shumë edhe me më pak para sesa shpenzohen sot për sportin. Sepse ne kemi të qartë se ku duam të shkojmë, kemi të qartë rrugën që duhet të përshkojmë për të shkuar drejt qëllimit tonë dhe mbi të gjitha kemi të qartë që rinia nëse sot nuk është shumë e përfshirë në sport, kjo jo sepse nuk e dëshiron sportin, por sepse jeton në një mjedis mbytës për sportin. Duke e çliruar këtë mjedis dhe duke ndërtuar një plan gjithëpërfshirës për të rinjtë ne do t’ja dalim që të kemi më pak para të humbura nëpër lloto dhe nëpër bingo dhe më shumë këmbë që vrapojnë nëpër terrenet sportive, nëpër pistat e vrapimit dhe nëpër të gjithë ato hapësira që ne dalëngadalë do të krijojmë për t’i përfshirë të rinjtë në sport. Dhe duke përfshirë të rinjtë sigurisht nuk do të thotë që do të lëmë pas dore ata më pak të rinj si puna jonë ose si puna e atyre që janë edhe më të lodhur se ne. Përkundrazi do t’ju krijojmë kushte të gjithëve që të kuptojnë se sa më shumë të merren me sport aq më e largët është dita kur do të ndjehen përfundimisht të lodhur edhe të plakur.
Unë dua ta falënderoj Fidelin, i cili jo vetëm ka një meritë të posaçme në koordinimin e të gjitha mendjeve që kanë kontribuar për këtë program dhe e shumë sportistëve apo dashamirësve të sportit pavarësisht përkatësive politike, por ka edhe meritën e transmetimit me një pasion të veçantë të këtij qëllimi shumë fisnik të programit tonë dhe të këtij zotimi shumë solemn. Një zotim që duhet ta dëgjojnë jo vetëm të rinjtë, por besoj duhet ta dëgjojnë edhe prindërit. Sepse nuk ka mbështetje më të madhe që ne mund t’ju japim prindërve në raport me fëmijët sesa krijimi i kushteve që fëmijët të merren shumë më tepër me sport dhe shumë më pak me atë pjesë të aktivitetit jashtëshkollor që është përgjithësisht e zvarritur, e tërhequr, e izoluar, në dukje e zhurmshme dhe argëtuese, por në të vërtetë e lodhshme dhe demotivuese.
Ne do të sjellim përmes sportit një element të ri në jetën e shkollës, në jetën e universitetit, në jetën e komunitetit, që jam i bindur do të çlirojë shumë energji pozitive dhe do të ulë në një masë të ndjeshme energjitë negative që prodhojnë rrugët e tjera alternative, aty ku mungon sporti, aty ku mungon komuniteti, aty ku mungon një sistem arsimor cilësor dhe aty ku kafeneja bëhet stacioni më i preferuar apo ku ato dyqanet e basteve edhe të bingove bëhen oazet në kërkim të një lumturie që është vetëm iluzion. Unë nuk jam absolutisht kundër që është kënaqësi që kur ti thua x del x, por megjithatë ta lësh jetën mbas x-it do të thotë që të shkosh drejt një të panjohure kaq të madhe sa në fund fare kur ta shohësh se vitet ikën, të mos kesh më mundësi të kthehesh mbrapa.