Hapja e garës për kreun e PS-së është diskutuar sot në mbledhjen që kryesia e socialistëve zhvilloi në mëngjes. Zyrtarisht është vendosur që sipas statutit, PS-ja të hapë garën për kreun e saj, pasi mandati i kryetarit Rama përfundon pas rreth dy javësh.
“Sipas statutit, mandati katër vjeçar i kryetarit të Partisë Socialiste është në përfundim, ndaj kryesia vendosi të ngrihet një grup pune që do të propozojë kohën e përshtatshme se kur do të zhvillohen zgjedhjet në parti”, njoftoi zyra e shtypit te PS pas mbledhjes së kryesisë.
Ndërsa në lidhje me emrat për postin e nënkryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve të grupit të PS dhe krerëve të Komisioneve Parlamentare që drejtohen nga PS, pritet të diskutohet javën e ardhshme pas seancës së parë të Kuvendit, e cila do të mbahet të hënën.
