Kryesia e selisë rozë ka vendosur që të verifikohet listat në të gjithë territorin
Kryesia e Partisë Socialiste ka hartuar një strategji të detajuar për zgjedhjet e vitit 2013. Burime nga mbledhja për gazetën “Dita” bëjnë me dije është vendosur që një grup pune me drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste do të monitorojë fushatën dhe do të nis verifikimin e listave të zgjedhësve në çdo njësi vendore. Grupi i punës përbëhet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, Sekretari për Koordinimin Fatmir Xhafaj, Sekretari Organizativ, Blendi Klosi si dhe Sekretari për Pushtetin Vendor, Bashkim Fino. Puna e tij do të jetë koordinimi i veprimeve nga qendra deri në bazë.
Organizimi i fushatës
“Një qytetar – një votë” është angazhimi i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 2013, që do të bëjë të mundur shmangien e çdo skeme manipulimi dhe mbrojtjen e rezultatit elektoral ashtu siç shqiptarët do të shprehin vullnetin përmes votës. Nga kryesia u konfirmua se diskutimi i anëtarëve të Kryesisë së selisë rozë është përqendruar rreth strategjisë për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në mbledhjen e kryesisë janë diskutuar të gjitha detajet e organizimit të zgjedhjeve, ku përfshihet edhe angazhimi i drejtuesve të partisë dhe grupit parlamentar në të gjitha qarqet e vendit. Kjo strategji ka bosht të saj ekonominë, arsimin, shëndetësinë, demokracinë dhe vizionin qeverisës që do të ofrojë partia më e madhe opozitare në vend për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme të Kryesisë u diskutua edhe për rishpërndarjen e të deleguarve, por u vendos që të mos jetë asnjë ndryshim të të deleguarve.
Strategjia
Unanimisht Kryesia miratoi planin e detajuar jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe monitorimin e rreptë të përgatitjes së tij nga Qeveria dhe institucionet shtetërore, si edhe procesin e numërimit te votave. Përveç leximit të drejtë të çdo vote, strategjia parashikon edhe periudhën paraelektorale për identifikimin e çdo shtetasi që mund të bëhet pjesë e skemës së manipulimit.
Katër “gardianët”
Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste ka konkluduar me ngritjen e një grupi pune të përbërë nga Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bashkim Fino e Blendi Klosi që do të monitorojnë impelementimin e strategjisë në të gjithë vendin. Raportimi i këtij grupi pune do të bëhet në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së PS-së.
Programi
Pjesë e strategjisë elektorale të socialistëve është shpalosja derë me derë e programit për një Rilindje Shqiptare, për të cilën kryesocialisti Edi Rama ka deklaruar se do të nisë turi i takimeve në janar të 2013-ës. Kjo strategji ka bosht të saj ekonominë, arsimin, shëndetësinë, demokracinë dhe vizionin qeverisës që do të ofrojë partia më e madhe opozitare në vend për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Opozita i drejtohet me një tjetër letër ministrit Noka
Partia Socialiste nuk heq dorë nga kërkesa e saj për të pasur në dorë informacionin zyrtar të Ministrisë së Brendshme mbi shpërndarjen e popullsisë. Kështu, pas refuzimit të parë, tre anëtarët e zgjedhur nga e majta në Komisionin Qendror Zgjedhor i kanë dërguar një tjetër letër ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, për të pasur mundësinë e zotërimit të këtij informacioni. Anëtarët, Denar Biba, Albana Shtylla dhe Jani Jani i kërkojnë ministrit informacion mbi lëvizjen e popullsisë në 4 komuna të qarkut të Kukësit. Këtë kërkesë anëtarët e majtë në KQZ e bazojnë në qëndrimin e deputetëve socialistë, të cilët nisur nga pakësimi i numrit të banorëve në këto zona kërkojnë të hiqet një mandat deputeti në këtë qark. Konkretisht, këto tre anëtarë të KQZ-së kërkojnë informacion për emrat, dokumentacionin e pronësisë së banesës dhe numrin e letërnjoftimit për të gjithë votuesit e Topojanit, Shishtavecit, Fierzës dhe Tropojës. Ndërkohë që në kërkesën e parë, Ministria e Brendshme refuzoi që ta japë këtë informacion me argumentin se shkelen të dhënat personale. Por duke tentuar që çështjen ta zgjidhin në KQZ, tre anëtarët e majtë argumentojnë në letrën e tyre se “janë plotësisht në ushtrim të detyrës së tyre për të kontrolluar procesin parazgjedhor, në rastin konkret, për një çështje me interes të lartë publik siç është ndarja e mandateve për zgjedhjet”. Projekt-vendimi për ndarjen e re të mandateve, e cila i heq një deputet Beratit dhe Korçës dhe ia shton Tiranës e Durrësit, pas ndryshimeve të popullsisë, nuk mori votat e nevojshme në KQZ duke e bërë të pamundur të procedohej me secilin qark. Ndërkohë që letra vjen në një moment kur ende demokratët nuk i janë drejtuar Kolegjit Zgjedhor, për të ankimuar rrëzimin në KQZ të vendimit për të rishpërndarë mandatet e deputetëve. Vota kundër e anëtarëve të majtë erdhi pas refuzimit të Ministrit të Brendshëm për të dhënë informacion mbi lëvizjet demografike në katër komunat e Kukësit.
Detaje nga mbledhja e Kryesisë: PS, “ushtri” me 10 mijë socialistë për të verifikuar listat
Monitoruesit e PS-së do të shkojnë shtëpi më shtëpi për të identifikuar emigrantët
Identifikimi i listave të zgjedhësve, lëvizjet demografike dhe një skaner i qartë i qendrave të votimit janë tri momentet kyçe nga do të nisë punë PS-ja dhe strukturat e saj për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s. Kryesia e PS-së ka vendosur dje gjithashtu krijimin e një “ushtrie” për të monitoruar çdo qendër votimi në çdo cep të Shqipërisë. Bëhet fjalë për 10 mijë socialistë, të cilët do të jenë përgjegjës për të verifikuar çdo banor që të jetë i regjistruar në zonën që i përket qendra e votimit. Kjo masë do të merret ekstra duke iu bashkangjitur komisionerit dhe vëzhguesit që PS e ka me ligj për çdo qendër votimi. Puna do të nisë prej muajit dhjetor dhe deri në ditën e zgjedhjeve. Duke parë manovrat që bën mazhoranca me votues lëvizës, PS-ja do të kërkojë që fillimisht të verifikohet çdo emër në listë, duke shkuar shtëpi më shtëpi, jo vetëm për të prezantuar programin, por edhe për të kontaktuar me vetë qytetarët. Sipas burimeve nga selia rozë, do të mbahen shënim të gjithë qytetarët që kanë emrat në listë dhe ndodhen emigrantë jashtë vendit.
Masat e PS-së për verifikimin
Verifikimi i listave do të bëhet emër për emër. Duke marrë një përgjigje refuzuese nga Ministria e Brendshme, PS do të jetë vetë në terren ku të deleguarit do të mbikëqyrin procesin e verifikimit të emrave të qytetarëve. Përveç masave për verifikim, Kryesia ka vendosur që të merren trajnues të huaj, si dhe ekspertë fushatash për të trajnuar komisionerët dhe vëzhguesit e PS-së, që do të jenë të angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me zgjedhjet.
Të gjitha këto masa që ka diskutuar dje kryesia e Partisë Socialiste lidhen me periudhën para dhe gjatë fushatës elektorale, ndërsa masat që do të merren për ditën e zgjedhjeve, do të vendosen në një periudhë tjetër. Kryesia ka caktuar kryetarin e grupit parlamentar Gramoz Ruçi, sekretarët Blendi Klosi, Bashkim Fino dhe Fatmir Xhafaj si grupin zbatues të këtij plani, duke qenë në krye të asaj që socialistët e kanë cilësuar si “makineria organizative” në kundërpërgjigje të asaj që ata e quajnë makineria manipulative e pushtetit.
Qendrat e votimit
Në zgjedhjet e fundit në gjithë territorin e Shqipërisë ishin 4883 qendra votimi. Në çdo qendër pritet të jenë 2 persona përgjegjës për të verifikuar emër për emër çdo votues. Do të bëhet kujdes me emigrantët apo personat që nuk jetojnë më, që në emër të tyre mos ketë të drejtë të votojë dikush tjetër.
Trajnues të huaj
Përveç masave për verifikim, Kryesia ka vendosur që të merren trajnues të huaj, si dhe ekspertë fushatash për të trajnuar komisionerët dhe vëzhguesit e PS-së që do të jenë të angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me zgjedhjet. Të gjitha këto masa që ka diskutuar dje kryesia e Partisë Socialiste lidhen me periudhën para dhe gjatë fushatës elektorale, ndërsa masat që do të merren për ditën e zgjedhjeve do të vendosen në një mbledhje tjetër të Kryesisë.
Koalicioni
Një nga pikat që është diskutuar në Kryesinë e selisë rozë ka qenë dhe krijimi i një koalicioni sa më të gjerë me aleatë natyralë ose dhe të krahut tjetër. Synimi i PS-së është rreshtimi në koalicion me Partinë Socialiste i sa më shumë partive politike, qofshin këto edhe me program të djathtë, siç është edhe FRD-ja e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi. Në këtë kuadër pritet që në të ardhmen të ketë diskutime më konkrete në lidhje me aleancat e PS-së për zbatimin e strategjisë së saj për zgjedhjet e ardhshme elektorale.
Skema bllokuese
PS do të jetë mjaft vigjilente dhe për monitorimin e kufirit sidomos pjesë që na lidh me Kosovën. Do të bëhet verifikim për çdo qytetar i cili do të hyj në Shqipëri ditën e zgjedhjeve dhe nëse vihet re një dyndje në periudhën afër zgjedhjeve atëherë do të merren masa për ti bllokuar.