Nga selia roze, studiuesi Artan Lame denoncoi sot te tjera aspekte te Planit Rregullues të Tiranës, i cili sipas Lames shndërron në zona ndërtimi shumë hapesira publike.
Ditët kalojnë, po mbushet muaji, por ende nuk ka asnjë përgjigje konkrete, për pyetjet konkrete, mbi çështje konkrete, të bëra nga ne rreth të Planit të posa-miratuar Basha-Malltezi për Tiranën.
Edhe sot dëshiroj t’ju përgjigjem me trishtim kontakteve dhe shqetësimeve të qytetarëve, për zona të ndjeshme të qytetit.
1. Lulishtja para Bibliotekës Kombëtare. (2/41).
Nën-njësi e Përzier (Mikse) Banim, Shërbime Publike dhe Përdorim i veçantë për qëllime fetare.
Lartësia e propozuar për strukturat e kategorisë banim është 9 kate.
Koeficienti i shfrytëzimit të tokës për banim, 50-70% (f. 112).
2. Zona e gjelbër tek SHQU, dhe Fusha e Zezë prapa Hotel Dajtit. (2/39).
Banim, Shërbime Publike, Monument kulture dhe qëllime fetare.
Lartësia e propozuar për strukturat banim është 9 kate.
Koeficienti i shfrytëzimit të tokës për banim, 50-70% (f. 110).
3. Fusha e Sportit prapa Stadiumit Qemal Stafa. (2/12).
Nën-njësi e përzier Banim dhe Shërbime Publike.
Lartësia e propozuar për banim është 9 kate (f. 84).
Me këto dy fusha, zhduken në fundmet fusha sporti brenda qytetit, ato që rëndom i kemi quajtur Fusha të zeza. Për secilën nga zonat e mësipërme dhe për të gjitha ato që kemi denoncuar deri tani, ne thjesht kemi cituar Planin e sapo-miratuar. Bashkia le të nxjerrë një hartë të vetme, një rresht të vetëm nga po ky Plan, ku thuhet se ato do të mbeten lulishte.
Vazhdojmë të ftojmë këdo nga ekipi Basha-Malltezi, të ulemi në një tryezë publike në çfarëdo televizioni të duan, për të debatuar për të gjitha denoncimet e bëra me përgjegjësi të plotë prej nesh.-tha Lame
