Tentativa e Partisë Republikane për të krijuar një grup të katërt në parlament, duke huazuar deputetët nga Partia Demokratike, ka gjetur kundërshtinë e Partisë Socialiste.
Kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla, tha se kërkesa nuk është në frymën e Kushtetutës, ndërsa i është drejtuar me një shkresë këshillit për rregulloren, ku kërkon një interpretim.
Balla, i është drejtuar me një kërkesë Këshillit për Rregulloren, mandatet dhe imunitetet, ku i kërkon interpretim, pasi e cilëson këtë antikushtetuese dhe në kundërshtim me rregulloren.
“Ka një kërkesë nga një grup deputetësh që përbëhet nga deputetë të Partisë Demokratike sipas vendimit të KQZ-së për të krijuar një grup parlamentar të Partisë Republikane i cili në vlerësimin tim nuk është në frymën qoftë të Kushtetutës apo rregullores së Kuvendit.
Për të mos mbajtur Kuvendin në një debat për këtë çështje unë do t’i kërkoj Këshillit për Rregullore që të bëjë një interpretim të kësaj çështje për të mos pasur më problematika në të ardhmen sepse në vlerësimin tim është e papranueshme që deputetë të caktuar të ndryshojnë identitetin e tyre politik jo për efekte të përkatësisë në grupe por për efekte të tjera që nuk i bëjnë mirë legjitimitetit të tyre politik”, shkruan Balla në kërkesë.
Parlamenti ende nuk ka marrë një vendim, por pas shkresës zyrtare të Taulant Ballës, pritet që Këshilli për rregulloren të mblidhet dhe të debatojë mbi kërkesën e Partisë Republikane për krijimin e një grupi të ri parlamentar.
