Shefi i opozitës ka organizuar nje dalje publike dedikuar tërësisht marrëveshjes detare me Greqinë. Rama tha se Berisha e ka futur vendin në një qorrsokak me një marrëveshje absurde dhe i kërkoi me ngulm qeverisë të ribëhen negociatat. “Në prag të 28 Nëntorit dua të përsëris apelin për rishqyrtimin e marrëveshjes së detit me Greqinë. Marrëveshja aktuale dhe harta bashkëngjitur saj është një zonë e minuar për marrëdhëniet mes dy vendeve. Rishikimi i hartës dhe vendosja e vijës së kufirit, aty ku i jepet fund kësaj gjendjeje të lënë pezull me potencial konflikti është një domosdoshmëri historike. Qeveria shqiptare duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për qorrsokakun që ka vizatuar në hartë dhe duhet të ulet menjëherë, pa humbur asnjë ditë me fqinjët për të gjetur rrugën e arsyes. Deti Jon është një pasuri e përbashkët e të dy vendeve dhe të dy popujt tanë kanë të drejtë të përfitojnë nga kjo pasuri, përmes projektesh e planesh strategjike të përbashkëta. Asnjëri nuk mund dhe nuk duhet të përfitojë në kurriz të tjetrit”, u shpreh shefi i opozitës.
Negociatat
Kryesocialisti Rama i kërkoi kryeministrit Berisha të korrigjojë gabimin e bërë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së parë. “Është përgjegjësi ekskluzive e kësaj Qeverie dhe e kryeministrit personalisht, që 100-vjetori i shtetit po e gjen Shqipërinë të cunguar territorialisht. Ashtu siç është detyrim ekskluziv i kësaj qeverie që kufiri i vendosur qorrazi prej saj në dëm të interesit tonë kombëtar, të spostohet në vendin e vet dhe çdo pëllëmbë deti i Shqipërisë të mbetet det i Shqipërisë”, theksoi Rama. Përveç shefit të opozitës në lidhje me marrëveshjen detare ka folur dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, PDIU, Aleanca Kuqezi, ndërsa është kaluar në heshtje të plotë nga ana e Partisë Demokratike.
Greqia nis të kërkoj naftë në detin Jon
Dy ditë më parë u dha lajmi se Greqia kishte nisur kërkimin për naftë në Detin Jon, duke shkelur marrëveshjen për ujëra neutrale dhe për më tepër kërkimet i bëri dhe në ujërat e Shqipërisë. Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Ekonomisë, Ndërtimit dhe Zhvillimit të Greqisë bëri me dije se ditën e diel 11 nëntor, fillojnë zyrtarisht kërkimet për naftë në hapësirën detare greke nga Joni Verior deri në jug të Kretës. Kërkimet do të zgjasin 3 muaj e në vazhdim ekzekutivi grek do të tenderojë zonat me interes kërkimi. Bëhet fjalë për një sipërfaqe detare prej 225.000 kilometra katrorë, ose gati sa dyfishi i sipërfaqes tokësore greke.
AK: Të mbrojmë kufirin detar
Një grup vullnetarësh të Aleances Kuqezi janë grumbulluar dje në një protestë fillimisht në Sarandë e më pas kanë udhëtuar drejt Ksamilit, për të reaguar lidhur me marrëveshjen e ujërave mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu tha se AK do të regjistrojë qindra vullnetarë që do të jenë të gatshëm të mbrojnë kufirin shqiptar nëse këtë nuk do ta bëjnë autoritetet shtetërore shqiptare. AK i ka drejtuar thirrje Presidentit të Republikës për të mbledhur sa më parë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për ruajtjen e ujërave territoriale të Shqipërisë.
Panariti: S’ka marrëveshje me Greqinë, e para është rrëzuar
Ministri i Punwve tw Jashtme, Edmond Panariti hodhi poshtë zërat se Greqia po kryen kërkime për naftë në zonën detare mes dy vendeve. Shefi i diplomacisë shqiptare tha se për sa kohë Greqia dhe Shqipëria nuk kanë një marrëveshje për kufirin detar, nuk mund tw kryehen veprime tw njëanshme nga njeri vend apo tjetri. Panariti theksoi se marrëveshja për kufirin është një domosdoshmëri dhe se është e rëndësishme që të arrihet, por nënvizoi se për këtë kërkohet kohë dhe marrëveshja e re duhet të jetë e pranueshme në mënyrë që të jetë afatgjatë dhe e qëndrueshme. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e anulon marrëveshjen e mëparshme dhe nuk ekziston asnjë marrëveshje e re për delimitimin e ujërave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. A jemi të interesuar ne për këtë? Po, por për këtë kërkohet kohë dhe marrëveshja e re duhet të jetë e pranueshme në mënyrë që të jetë afatgjatë dhe e qëndrueshme”, tha Panariti.
Idrizi: Shqipëria t`i kërkojë informacion Greqisë
Shqipëria duhet t’i kërkojë zyrtarisht Greqisë informacion mbi zonat ku kërkohet naftë dhe nëse ato përputhen me ndarjen sipas marrëveshjes së hedhur poshtë, atëherë duhet reagim i vendosur. Në një deklaratë për shtyp, PDIU-ja thekson se nëse vërtetohen lajmet e publikuara për kërkime nafte në detin Jon nga Greqia atëherë kemi të bëjmë me një veprim që kërkon ta vendosë Shqipërinë para faktit të kryer. “Nëse këto kërkime zhvillohen saktësisht në zonat e kontestuara dhe në përputhje me marrëveshjen e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe që nuk është formalizuar as nga Parlamenti grek, atëherë ky akt do të ishte një provokim i rëndë i shtetit shqiptar, i dinjitetit të tij, i interesave të tij madhore”, përfundon deklarata e PDIU-së.