Ligjvënësit socialistë paralajmërojnë përgatitjen e skenarit nga ana e qeverisë për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kështu, përveç projektvendimit për shpërndarjen e mandatittë deputetëve, deputetët e PS-së shohin dhe një tjetër tentativë, e konkretisht tek ligji për Shërbimin Informativ Ushtarak. Madje, duke e parë si një skenar të qartë manipulimi, PS argumentoi votën kundër ligjit për Shërbimin Informativ të Ushtrisë, pasi sipas saj, Kryeministri dhe mazhoranca po e shndërron SHIU-n në një super agjenci spiunazhi në prag të zgjedhjeve. “Është agjenci që tejkalon kompetencat dhe të vetë Shërbimit Informativ Ushtarak, është një super agjenci e cila po bëhet disa muaj përpara zgjedhjeve. Dhe ajo që deri sot nuk është mbrojtur me ligj, ju kërkoni ta bëni me ligj. Një agjenci për kryeministrin që ti shërbejë për zgjedhje dhe sa herë ti duhet kryeministrit për të nxjerr relacione, për të bërë konferenca shtypi dhe për të thënë broçkulla”, argumentoi deputeti socialist, Gazmir Bizhga. Në po këtë linjë është shprehur dhe deputeti, Ilir Gjoni. “Pa pasur mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes ne nuk mund të miratojmë një ligj për një agjenci e cila del se është një super agjenci, dhe për më tepër mbikëqyrjen ia kalojmë vetvetes”, vuri në dukje Gjoni.