Partia Socialiste ka reaguar sot në lidhje me deklaratën e kryeministrit Berisha, i cili u shpreh gjatë paradites se arsimi ka shënuar progres të madh gjatë qeverisjes së tij. Në një deklaratë për shtyp, anëtarja e grupit të punës për programin e PS, Milena Harito, se pavarësisht mburrjeve të kryeministrit, shifrat flasin ndryshe.
Buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm ka një rënie prej 35 për qind në krahasim me katër vjet më parë. Sipas saj, gjatë katër viteve të fundit, investimet në arsim kanë ardhur duke u ulur çdo vit, ndërsa aplikimi i taksës së sheshtë prej pesë vitesh u ka gllabëruar arsimtarëve pagën e trembëdhjetë.
“Kryeministri doli sot për t’u mburrur për progresin në arsim. Por edhe arsimin kjo qeveri po e le më keq se ç’e gjeti. Nga 10% katër vjet më parë analfabetizmi ka shkuar në 15% falë kësaj qeverie. 15-vjeçarët e sotëm të Shqipërisë në testin ndërkombëtar për njohuritë e përgjithshme PISA 2011, lavdi kësaj qeverie u renditën në vendin 62 nga 67 vende. Kryeministri mburret se ka katërfishuar numrin e studentëve, por buxheti për arsimin e lartë për vitin e ardhshëm ka rënë 35% më pak se buxheti i katër viteve më parë. Kryeministri pretendon për cilësi në arsim, por buxheti i qeverisë së tij për shkencën dhe kërkimin është sot 48% më pak se buxheti i katër viteve më parë. Në raport me prodhimin kombëtar shpenzimet publike për arsimin në buxhetin që po diskutohet në parlament, janë në nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit. Investimet në arsim kanë ardhur vetëm duke u ulur vit pas viti. Madje arsimi është një nga fushat ku fakti se kjo qeveri po e le Shqipërinë më keq se ç’e gjeti, vërtetohet lehtësisht. Nëse në vitin 2009 në arsim u investuan rreth 85 milionë dollarë, në vitin 2011 ato zbritën në rreth 50 milion dollarë dhe sot qeveria parashikon të shpenzojë më pak se 35 milionë dollarë në vit. Kryeministri mburret kotësisht se ka dyfishuar pagat e arsimtarëve, por në fakt realiteti është ndryshe. E vërteta është se fuqia blerëse e arsimtarëve ka rënë. Jo vetëm sepse sot çmimet janë rritur shumë më shumë se pagat, por edhe sepse sot një arsimtar taksohet më shumë se sa ministri i arsimit apo vetë kryeministri. Kjo qeveri e ka 10-fishuar taksën mbi pagën e arsimtarëve. Jo vetëm që u hoqi pagën e 13të, por me vendosjen e taksës së sheshtë vazhdon u merr prej pesë vjetësh edhe pagën e 12të. Edhe arsimtarët qeveria po i lë më keq se ç’i gjeti.”