Pse “asfiksia” e pensioneve rrit borxhin?

anazapta

Zërat që identifikojnë reformën e pensioneve me rritjen e moshës, nuk e çlirojnë skemën e pensioneve nga asfiksia. Përkundrazi, përveç falimentimit të skemës, rrezikojmë edhe dy pasoja të rënda: rritjen e borxhit publik dhe ligjërimin e evazionit kontributiv dhe punës informale.

 

  1. Fuqizimi i skemës, ul borxhin publik

Fuqizimi i skemës së pensioneve nuk është thjesht një aksion institucional, por ka një impakt të ndjeshëm ekonomik dhe financiar. Përveç ndikimit në sistemin e mirëqënies, një skemë e shëndoshë mund të çlirojë qeverinë nga borxh-marrja. Mungesa e të ardhurave nga kontributet e detyron qeverinë të subvencionojë skemën e pensioneve. Financimi buxhetor për skemën e pensioneve është i barabartë me defiçitin buxhetor vjetor. Sipas Open Data Albania, gjatë periudhës 2006-2010 subvencioni nga buxheti i shtetit për skemën e pensioneve puthuajse u dyfishua, nga 18 miliard në 34 miliard lekë. Nëse skema e pensioneve do të mbante vetveten, 330 milion USD e përdorur për subvencionimin e saj mund të zbriteshin nga borxhi. Pra, skema e sigurimeve shoqërore është një barrë e rëndë jo vetëm për mbrojtjen shoqërore, por për ekonominë e vendit. Gjithashtu, keqmenaxhimi i saj po pengon investimet në shërbimet jetike për popullsinë. Nëse nuk merren masa urgjente për rritjen e numrit të kontribuesve dhe uljen e evazionit kontributiv, në vitet që vijnë Shqipëria do të harxhojë për subvencionimin e pensioneve pothuajse sa shpenzon për investimet në rrugë, shkolla e spitale të marra së bashku. Ja, pra, si skema e pensioneve rrit borxhin dhe “grabit” financimet për shërbimet jetike për popullsinë. Prandaj reformimi i saj është në rendin e ditës.

 

  1. Pse rritja e moshës nuk është zgjidhje, por kapitullim i skemës?

Problemi më i madh që ka skema jonë e pensioneve është raporti midis kontribuesve dhe përfituesve. Ky raport është një gjyle e rëndë për të. Në fund të vitit 2012 raporti ishte 1.17 me 1 (651,613 kontribues:554,102 përfitues), pra në kuotën më të ulët të historisë njëzetëvjeçare të skemës. Periudha 2006-2013 ka qenë më fatkeqja për qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve. Numri i kontribuesve u pakësua me 80 mijë persona, ndërsa numri i të punësuarve u rrit me 35 mijë persona. Këto të dhëna janë më kokëforte se çdo lloj apologjie që mund të bëhet nga ISSh dhe agjensitë kontribute-mbledhëse.

Kontribues kundrejt të punësuarve, 2006-2012

instat

 Nga ana tjetër, reforma  e pensioneve nuk mund të realizohet e shkëputur nga reforma  e tregut të punës. Politikat e punësimit dhe politikat e pensioneve janë dy kolonat bazë të sistemit të mirëqënies. Nuk mund të reformohet skema e pensioneve, pa u rritur niveli i punësimit, pa u krijuar vende të reja pune dhe pa u reduktuar në mënyrë të dukshme informaliteti në punë. Gabimi që është bërë zakonisht me skemën e pensioneve është se janë absolutizuar manovrat brenda saj, ndërkohë që barra e vërtetë e skemës është numri i vogël i kontribuesve dhe evazioni kontributiv. Shpesh në këtë gabim kanë rënë edhe institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat kërkojnë reformimin e sistemit të pensioneve, pa reformuar dhe dinamizuar tregun e punës. Dhe pa mundësuar hapjen e vendeve të reja të punës. Si mund të pranohet që numri i kontribuesve në skemën e pensioneve të jetë sa gjysma e forcës së punës, e cila përbëhet nga të punësuarit dhe të papunët. Ku është e punësuar gjysma tjetër që nuk paguan kontribute? Këtë nivel informaliteti, që lexohet qartë jo nga të dhëna të klasifikuara, por nga raportet e publikuara të INSTAT dhe ISSh, mund të pranohet ose nga padija ose nga papërgjegjshmëria. Të dyja janë njësoj të rrezikshme për sistemin e mirëqënies. Prandaj, para se të propozojmë rritjen e moshës së pensionit, duhet të luftojmë informalitetin në tregun e punës, të zbardhim, pra, punën e zezë.

  1. Mosha e pensionit në vende të tjera

Mosha e daljes në pension në Shqipëri është e lartë, krahasuar me vendet  e tjera të Evropës. Siç shihet nga tabela e mëposhtme, shumica e vendeve evropiane e kanë moshën e daljes në pension për burrat nën 65 vjeç. Vetëm tre vende, Islanda, Irlanda dhe Norvegjia, për shkak të specifikave të tyre  demografike, e kanë moshën e daljes në pension mbi 65 vjeç.

Moshat e daljes në pension

Nën 63-60 vjeç 65-60 vjeç 65-65 vjeç 67-65 vjeç

Armenia, Azerbaxhani, Bjellorusia,  Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Moldavia, Mali i Zi, Sllovenia, Rusia, Sllovakia, Serbia, Turqia, Turkmenistani, Ukraina, Uzbekistani.

Shqipëria, Austria, Gjeorgjia, Greqia, Italia, Polonia, Rumania.

Australia, Belgjika, Kanadaja, Finlanda, Gjermania, Irlanda, Japonia, Luksemburgu, Hollanda, Zelanda e re, Portugalia, Spanja, Suedia, Zvicra, Britania e Madhe, ShBA.

Danimarka, Islanda, Norvegjia.

 

Burrat shqiptarë kanë numrin më të ulët të viteve të përfitimit të pensionit në Europë: 13 vjet.  Ndërkohë që totali i periudhës së përfitimit në BE në vitin 2013 ishte 19.4 vjet. Numrin më të vogël të viteve për burrat e ka Bullgaria (14 vjet) dhe më të lartin Franca (19.3 vjet). Nëse rritet mosha, numri i  viteve të pensionit për burrat shqiptarë ulet në 11 vjet, pra  afërsisht në gjysmën e mesatares europiane. Edhe ky tregues flet qartë që rritja e moshës së daljes në pension nuk është reformim, por pranim i dështimit. Pra, meqë nuk rrisim dot numrin e kontribuesve, atëherë të ulim numrin e përfituesve. Thënë troç, kjo alternativë është kapitullim  para informalitetit në ekonomi dhe në tregun e punës.

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *