Nëntorin e kaluar, kur Berisha foli për një Shqipëri etnike nga Preveza në Preshevë, shumica e analistëve, vendas e të huaj, u bashkuan në një pikë: e kërkuan burimin e toneve nacionaliste në zgjedhjet e qershorit 2013. Sondazhet tregonin se Aleanca Kuqezi, falë një retorike populiste me ngarkesë të rënduar nacionaliste, rrezikonte të merrte vota sidomos nga elektorati i djathtë. “Di dhe unë të bëj retorikë nacionaliste, dukej sikur thoshte Berisha, madje si usta i politikës dhe jo si rishtar”.
Tani që kanë kaluar disa muaj po bëhet e qartë se ligjërimi nacionalist i Berishës ka trazuar më shumë ndërkombtarët dhe fqinjët se sa elektoratin vendas. Ndodh edhe kështu, një person që flet aq shumë në publik duke bërë kompetentin edhe për arrorët, edhe për epokën dixhitale, edhe për doktrinat nacionaliste, edhe për… mund të ngatërrojë shënjestër dhe, në vend të bashkëatdhetarëve të verë në lëvizje të huajt. Gjithsesi kemi të bëjmë me një ligjërim që bëhet për qëllime propagande, ndaj për të gjetur motivet nuk duhet parë aq se çfarë thotë ligjëruesi, por si dhe ku e thotë. Dhe po të hulumtosh në këtë hulli tërheq vemendjen fakti se ligjërimi nacionalist i Berishës është përgjithësisht i improvizuar.
Deklarata e Vlorës me Prevezë e Preshevë erdhi disi e papritur, për të mos thenë si rrufe në qiell të kaltër. Tashmë oponentët e Berishës kanë venë në dukje se deklarata të tilla nuk mund t’i bëjë personi që theu embargon dhe furnizoi me naftë makinën luftarake të Millosheviçit, atë makinë që vetëm pak kohë më vonë ndërmori një spastrim të egër etnik kundër kosovarëve. Nuk mund të bëjë retorikë me troje etnike një person që me një të rënë të lapsit u përpoq t’i falte hapsira të tëra ujrash teritoriale Greqisë. Gjithsesi festohej 100 vjetori i shtetit shqiptar dhe mes haresë së festës edhe mund të humbisje koherencë duke veshur kostumin e nacionalistit.
Improvizimi bie shumë më teprër në sy gjatë samitit të Mynihut, ku Berisha foli nga plateja për albanofobinë. Edhe në këtë rast nuk paraqet interes ajo që tha, por si dhe në ç’rrethana e tha. Berisha merrte pjesë në këtë samit si kryeminstër i Shqipërisë. Më anë tjetër, nuk bënte pjesë në oratorët e planifikuar të ngjiteshin në podium. Ndërhyrja e tij u bë nga plateja, andej nga bëhen pyetje apo ndërhyrje të shkurtëra e të domosdoshme. Që kryeministri i një vendi të ngrihet nga plateja dhe të flasë në tone të larta kundër fobisë ndaj vendit të vet, duhet të ketë ndodhur diçka e rendë dhe e papritur në orët e fundit, diçka flagrante që kërkon ndërhyrje o sot o kurrë. Fobia kundër shqiptarëve në Ballkan nuk përbën lajm, është një dukuri shumë më e lashtë se shteti shqiptar. Diskutimi rreth çështjes: ka një apo shumë kombe shqiptare, po kështu ka vite që ka nisur, madje jo aq në kancelaritë e fqinjve sa mes vetë shqiptarëve. Eshtë në kufijtë e alogjikes që probleme të tilla, që s’përbëjnë kurrfarë lajmi dhe nuk kanë ndonjë kërcënim momenti të sillen në vemendje të të pranishmve me atë procedim zhurmëmadh që zgjodhi Berisha në Mynih. Kjo alogjikë e shtyu një deputet gjerman ta pyeste Berishën se çfarë po kërkonte, ç’mund të bënte NATO-ja kundër albanofobisë. Gjithsesi alogjikja gjen një shpjegim logjik kur merr vesh se dy ditë para samitit, departamneti amerikan i shtetit i kish dorëzuar ministrisë së jashtme të Berishës një memo tjete të rreptë për retorikën nacionaliste. Duket se kryeministri shqiptar kish zgjedhur një rrugë të tërthortë t’u thosh amerikanëve se s’kish për t’u tundur nga istikami.
I qepur trashë, e kuqe mbi të bardhë, u shfaq elementi improvizues gjatë seancës së parlamentit ku u përkujtuar 5-vjetori i pavarësisë së Kosovës. Edhe këtu nuk tërheq vemendjen ajo që tha Berisha, por mënyra si e tha dhe si u gjet sebepi për të folur. Kater pesë herë radhazi përsëriti lokucionin ne mbetemi të vendosur, duke krijuar një tiradë retorike që e përmbylli me strukturën deviante: “ne qendrojmë krenarë në nacionalizmin tonë”. Themi strukturë deviante sepse është tejet e vështirë të gjesh në ligjërimin shqip të të gjitha kohëve frazën foljore “qendrojmë në nacionalizëm”. Shumë shumë mund të gjesh “qendrojmë në pozita revolucionare”, por kjo i përket ligjërimit totalitar. Në fakt ky ligjërim të vjen ndër mend edhe nga që thenia e mësipërme e Berishës nxjerr në sipërfaqe konceptet qendresë, qëndrestar etj., aq shumë të mitizuara dje.
Me gjasë përkujtimi i pavarësisë së Kosovës u improvizua në çastet e fundit. Vetëm dy ditë më parë u ishin dërguar ftesat ambasadorëve të huaj, sikur të ishin nëpunës lokalë që parlamenti i thërret me një short notice dhe sikur të mos dihej prej kohësh se 17 shkurti shenonte një nga datat më të rendësishme të historisë tonë moderne. Në se improvizimi i kësaj seance ha diskutim, është jashtë çdo dyshimi që ajo u përdor vetëm e vetëm për t’i dhenë mundësi Berishës të thoshte me tone edhe më të ndezuara se nuk hiqte dorë nga retorika nacionaliste. Dhe kjo duhej bërë nga që publiku shqiptar sa ishte njoftuar për memon amerikane.
Karakteri tejet improvizues i ligjërimit nacionalist të Berishës tërheq vemendjen për një arsye substanciale. Historia e përbotshme tregon se platformat për bashkim kombtar janë strategji afatgjata, të përpunuara me kujdes e mençuri dhe jo shfryrje pasionesh, apo ca më keq akoma, inatesh të çastit. Në këtë kontekst është vështirë të besosh se prononcimet e fundit nacionaliste të Berishës bëhen sipas një strategjie kombtare. Eshte më lehtë të besosh të kundërtën, Berisha po përdor gjëra të mëdha e të shenjta si kombi, bashkimi kombtar etj. për qëllime afatshkurtra politike.
Me këtë përpjekje këmbëngulëse e inatçore Berisha të sjell ndër mend atë fëmijën trazovaç të kopshtit, që rrëmben një lodër dhe përgjak hundën e shoqes së vet, të themi Albës. Dhe e bën këtë jo se ka gjë kundër Albës, aq më pak kundër hundës së saj, por sepse kërkon të tërheqë vemendjen e edukatoreve dhe të përcjellë një mesazh. Duket se edhe Berisha po kërkon të tërheqë vemendjen e ndërkombtarëve, madje t’i cysë që ta kundërshtojnë publikisht. Amerikanët i dërgojnë një memo të rreptë, ai gjen sebep të ndërkombtarizojë retorikën e vet nacionaliste që nga Mynihu. Media, edhe me pëlqimin e amerikanëve, e publikon memon, kurse Berisha flakë më flakë sajon një seancë parlamentare për të artikuluar me tone edhe më të ndezuara të njëjtat qendrime.
Të paktën në këto dy raste Berisha e ka përdorur retorikën nacionalste si toreadori cohën e kuqe, për të ngjallur reagimin e ndërkombtarëve, sidomos të amerikanëve, jo në rrugë diplomatike por mundësisht në arenën publike. Nuk është e lehtë të gjesh prerë motivet pse Berisha është i interesuar të ketë një kundërshtim të tillë, të bërë medoemos në publik. Gjithsesi mund të tentojmë.
Vështirë të thuash se kemi të bëjmë me një kokfortësi prej malësori inatçor të tipit: ju më kritikoni, por unë nuk tutem, ua përplas hapur në surrat. Vështirë të jetë kështu nga që Berisha njhet si një politikan pragmatik, i gatshëm që në rrafsh retorik t’i thotë derrit dajë, mjafton që të arrijë synimet e veta.
Roli i nacionalistit të thekur mund të jetë instrument që Berisha po e farkëton për ta përdorur në epilogun e zgjedhjeve të qershorit. Në rrethana normale ështe tejet e vështirë që një qeverisje si kjo e tij të marrë mandatin e tretë kur vendi ka hyrë në krizë, varfëria dhe paunësia janë duke u rritur në raport të drejtë me korrupsonin dhe arrogancën e qeveritarëve. Por Berishës i duhet medoemos edhe një fitore; qoftë pse humbja do të shënonte fundin e tij në politikë dhe me sa duket ka krijuar varësi ekzistnciale nga droga e pushtetit, qoftë pse sintagma shtetasi Sali që është bërër fakt mediatik po ngjiz ëndërra me gjyqe e burgje. Me gjasë Berisha është i vetdijshëm se fitoren e ka thuajse të pamundur por të domosdoshme. Pmundësia mund tt vetëm duke përsëritur mëkatin e lashtë të zgjedhjeve shqiptare, manipulimin. Pengesa më e madhe dhe më ndëshkuese në këtë rast do të ishin ndërkombtarët. Karta e nacionalistit mund të shërbente si presion, pra mund të shërbente për t’u thenë të huajve: mos më ngacmoni se radikalizoj gjithë faktorin shiptar në Ballkan, bëni atë që keni bërë deri më sot, për hir të stabilitetit, mbyllni një sy për demokracionë dhe manipulimin e zgjedhjeve.
Në fakt kërcënimin me radikalizim e kanë bërë më se njëherë serbët dhe kanë patur sukses. Vetëm se në rastin e serbëve kemi një lojë në ansambël, forcat politike europianiste janë dhe mebeten europianiste sot dhe nesër, po ashtu edhe partitë shoviniste. Mesazhi që politika serbe u përcjell në raste të tilla Brukselit dhe Washingtonit është: të bëjmë kujdes, forcat regresive mund të fitojnë terren dhe legjitimitet dhe pastaj erërat shoviniste mund të ndezin gjakrat në rajonin që s’është qetësuar akoma. Kurse në rastin e Berishës kemi të bëjmë me një parodi radikalizimi, është i njjti persona që tani bën yesman-in pastaj të pabindurin. Përralla të tilla duan zjarr dimri dhe fantazi kalamajsh.
Ka të ngjarë që kundërshtimi publik i ndërkombtarëve, sidomos i amerikanëve i duhet Berishës edhe për ta marketuar më lehtë imazhin e nacionalistit në elektoratin vendas. Me që kostumin nacionalist e veshi vonë, vetëm muajt e fundit kur u bë e qartë se ligjërimi nacionalist shton vota, një ndeshje retorike me ndërkombtarët mund të krijojë në elektorat iluzionin se kemi të bëjmë jo me imazh, por me realitet. Kundërshtimi hapur dhe prerë i ndërkombtarëve mund ta shtyjë elektoratin të besojë se Berisha është nacionalist në shpirt dhe jo në petka, duke na sjellë edhe një herë ndër mend atë thenien e njohur për nacionalizmin si streha e fundit e maskarenjve.