Pse duhet rivendosur dënimi me vdekje

redaktor

Në vendin e çudirave, dënimi me vdekje është hequr, kur ndofta ai duhej më shumë se kurrë. Koha që ka kaluar, tregoi se kriminelët po marrin frymë të lehtësuar, kurse të pafajshmit ndihen akoma më të pasigurtë. E gjithë kjo u bë në emër të vajtjes në Evropë.

Për më tepër, tani, nga demokracia jonë duhet të mësojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat me gjithëse dallohen jo vetëm nga zhvillimi kolosal ekonomik, por edhe për respektimin e të drejtave të njeriut, përsëri me kokëfortësi e mbajnë dhe aplikojnë dënimin me vdekje. Dhe e bukura është se për të mbërritur deri te kjo ngjarje “historike”, u injorua opinioni i gjerë, opinion që me intuitën e pagabueshme, absolutisht ka qenë jo në favor të kësaj heqjeje. Dikush, jo vetëm me humor më tha një ditë: “Në qoftë se do të zhvillohet një referendum për heqjen apo jo të dënimit me vdekje, të jesh i sigurtë se pro tij do të votonin vetëm politikanët e lartë dhe anëtarët e Komisionit Shqiptar të Helsinkit”. E dimë se ka pasur presione dhe kushte nga organizmat ndërkombëtare për këtë çështje. Por ata që i kanë dalë Shqipërisë për zot, duhet t`ua bëjnë të qartë zotërinjve të Evropës, se ne ndodhemi në të tilla kushte zakonore, psikologjike, sociale, ekonomike dhe me një pafundësi armësh e municionesh ndër duar, sa po të ishin ata në të tilla kushte, puna e parë që do të bënin, do të qe, nxjerrja nga muzeu dhe prodhimi në seri i shpikjes së doktorit Gijotin (Guillotin) që në vetë Francën qëndroi e mprehur për mbi 200 vjet. Në rastin konkret, politikanët e Evropës, për të cilët kemi shumë respekt, s`duhet të harrojnë se edhe ata ranë dakort për heqjen e këtij dënimi nga kodet e tyre penale, vetëm pas më shumë se njëzet shekujsh diskutimi e debatesh, pra që nga koha e gjykimit të komplotit të Luç Serg Katilinës, ku u dënuan me vdekje Lentuli e Cetegu me shokë edhe pse Gaj Jul Çezari, këta armiq të republikës, bëri çmos t`i mbronte, sidomos nga Mark Tul Ciceroni, duke hedhur idenë se “Mendja nuk e gjen të vërtetën po të sundohet prej pasioneve” dhe duke propozuar i pari (sipas Sallustit) që ky dënim të mos zbatohet as në raste krimesh të rënda.

Parimisht, ky mendim, i shfaqur në epokën kur askush nuk donte t`ja dinte për humanizëm, e lartësoi figurën e këtij burri të shquar, për të mos thënë, më të shquarit të Romës së Lashtë. Por në fakt, gjatë dymijëvjeçarëve, njerëzimi u bë dëshmitar i mijra e dhjetra mijra kokave të prera, djegieve në turrën e druve, varjeve në litar, pushkatimeve e deri ekzekutimeve në karrigen elektrike, si pasojë e aplikimit të dënimit me vdekje për kriminelët.

   Edhe në aspektin fetar, historikisht është mbajtur i njejti qëndrim, derisa gjërat ndryshuan dhe sot pozicioni i klerit për këtë pikë është moderuar. Kështu që në kohët e vjetra, simbas Librit të Daljes (Testamenti i Vjetër) ky parim Moisiut iu dha nga Zoti kështu: “Çdo kob që do të kryhet, do të ndëshkohet vetëm me jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, vrajë për vrajë”. Madje, ky më pas u quajt “Ligji Mosaik” dhe ka vepruar në shumë vende si Palestinë, Kinë, Japoni, Arabi, Persi e deri në Greqinë e periudhës homerike, Romë e fiset gjermane të vjetra. Boll burra të mençur qenë fjala vjen, udhëheqësit e revolucionit borgjez francez, por as që e shkuan ndërmend t`i falnin jetën Luigj Kapetit.

Le të hedhim shikimin në shekullin që lamë pas. Të shohim aty periudhat e luftrave botërore, ku dhe në Shqipëri, shkoheshin në plumb me vendimin e një gjykate të improvizuar, ose pa të fare, luftëtarë që në kushte të tjera, shumë – shumë, për veprimin që kishin kryer, veç mund të qortoheshin.

Edhe në paqe ka shtete, madje me peshë, që për ca gram drogë, të ndëshkojnë me një plumb pas koke, m`u në mes të stadiumit, me synimin që elementi i lëkundur të mos guxojë t`a shkojë ndërmend, shpërndarjen dhe tregtimin e saj.

Në vendin tone, me dënimin me vdekje është spekulluar shumë. Ai është përdorur gjerësisht nga regjimi komunist ose për eliminimin e kundërshtarëve politikë ose për të trembur popullin. Duke pasur si tipar dallues padrejtësinë, qoftë mallkuar kush luante kështu me jetë njerëzish të pafaj. Nga ky lloj dënimi, njerëzit, afërmendësh që kanë dhe do të kenë alergji, pasi ai u kujton egësinë e barbarinë e një sistemi të urryer. Shpesh herë në Shqipëri janë vrarë në “emër të ligjit”, për faje të pa kryera kurrë, një numër i madh intelektualësh dhe klerikësh të ndershëm e atdhetarë, vetëm pse nuk u pëlqenin tiranit dhe xhahilëve të tjerë rreth tij. Lufta djallëzore e klasave, pasojat e së cilës i vuajmë edhe sot e kësaj dite, la një shije të hidhur për këtë lloj dënimi. Por kjo nuk do të thotë se njerëzit që e urrejnë zbatimin bizantin të dënimit me vdekje, për ata që nuk e meritojnë, të mos jenë dakort që ai të aplikohet kundër atyre kriminelëve që me lehtësinë më të madhe, marrin jetë njerëzish, që prishin qetësinë shpirtërore të një populli të tërë dhe që trondisin fundja qysh në themelet e saj, gjithçka të mirë solli e presupozon të sjellë demokracia.

Po t`u hedhësh një sy kronikave të zeza në vendin tonë, do të kuptosh se ato janë të ngarkuara me ngjarje të dhimbshme e shpesh makabre. Vriten njerëz për shkaqe banale. Mjafton rasti i freskët i dy turistëve të rinj çekë që na ka bërë si shtet një dëm të pallogaritshëm, paçka se përmblidhet te një fjalë e vetme; imazh. Kemi një përvojë të dhimbshme edhe me vëllezërit tanë kosovarë, të cilët për të vajtur në vatrat e tyre, nga që kanë qenë pre e sulmeve që shpesh u kanë kushtuar jetën, ndërrojnë rrugë, duke i dalë shumë më gjatë vetëm për të arritur gjallë, pavarësisht se kohët e fundit kjo nuk është më shqetësuese si dikur.

Pra, akoma Shqipëria është ashtu siç ka qënë në mesjetë. Veç janë ndërruar kuajt e udhëtimit, me vetura luksoze. Mendësitë janë po ato. Adoleshenti me të vënë një maskë në kokë dhe s`i bën syri dritë. Gjëja më e pavlerë është ajo më e shenjta: jeta e njeriut. Afaristët rrinë me gjak të ngrirë. Ata akoma u ruhen gjobave, rrëmbimeve, grabitjeve. Hakmarrja primitive s`do t`ja dijë për shtet e ligje. Këtu për një vijë të vogël uji, vëllai vret vëllanë. I dëshpëruari edhe i papërgjegjshmi, shuan me breshëri automatiku një familje të tërë, pa kursyer edhe fëminë në bark të nënës. Kallëpe dinamiti, deri dhe ministrit të Brendshëm, si të ishin llokume me arra, u vihen nëpunësve të shtetit. Kjo më së shumti nuk ka as motivimin më elementar, aq sa të krijohet përshtypja se hidhet në erë shtëpia e tjetrit, vetëm për t`u argëtuar. E kështu si për t`u argëtuar, vriten me granata e kallashnikovë policët, numri i të cilëve është tronditës. Qeveritë, sipas radhës ngushëllojnë familjet e tyre dhe u shpërndajnë dhurata jetimëve. Përfundimisht, nga të vrarët për një fjalë goje, nuk gjen më vend për të varrosur të vdekurit. Po shfrytëzohen për këtë në “qytetet e të vdekurve”, rrugët e kanalet. Ja kjo është e vërteta, para së cilës Evropa mban sehir, fqinjët dashakeq buzëqeshin dhe shteti e çon më tej “demokratizimin” e jetës, “respektimin” e të drejtave dhe lirive të njeriut, në radhë të parë të drejtën për të jetuar vrasësi e për të vdekur i ndershmi.

Fronte pune në këto kushte, vështirë se hapen. Plane bëhen shumë, por papunësia është ulur këmbëkryq. Evropa nga Olimpi këshillon: “Vendosni rendin që të çelim fronte pune dhe t`u fusim në vallen e pafund të përfshirjes në Bashkimin Evropian”. Lum si ne. Por si do të vendoset ky shejtan rendi, me sjellje kafshërore të disa elementëve të liq dhe me ligje moderne, të lëmuara e të buta për ndëshkimin e tyre? Faleminderit Evropë! Por më mirë le t`a themi troç: shartesa të tilla, janë të destinuara të mos kenë sukses. Veç haraçin e paguajmë ne.

Nuk mund të mos mohohet, se përpjekje serioze për të vendosur rendin te ne ka. Madje ka edhe suksese që duhen përshëndetur. Por kjo është e pamjaftueshme. Burrat tanë të shtetit, “trima” për t`u grindur me njeri – tjetrin, sepse i lëshon zemra kur duhet të përballen burrërisht me këto çështje kaq madhore për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Në vend që të tregojnë dhëmbët e thonjtë ndaj atyre që shkaktojnë këtë situatë në popull, rrinë e presin se mos i mbushet mendja të tjerëve të vinë e të vendosin rregullin, në këtë vend që mund t`a qeverisësh lehtë në kohë diktature dhe shumë vështirë në kohë demokracie. Paradokse historike për ne. Dhe kulmi arrin, se tamam tani, ne tregojmë një gjest “të madh civilizimi”, duke u garantuar jetën atyre që marrin jetën e të tjerëve, duke u thënë atyre “jepini shfre egërsisë dhe sadizmit tuaj, se këtu tani e tutje, ndalohet me ligj vrasja juaj! Ju çfarëdo që të bëni, do të rroni. Kjo nuk diskutohet, se e ka vendosur Evropa. Vetëm do të hani ca vjet burg. Por burgu tani është, ju e dini, shumë komod e s`do kaloni keq atje. Pastaj, më vonë ku i dihet. S`keni pse t`a humbisni shpresën; i vdekuri me të vdekurit dhe i gjalli me të gjallët.” S`ka si bëhet më mirë.

Çfarë të bëjnë tani njerëzit e shkretë? Ata të ndershmit dhe që janë shumica dërrmuese, por dhe që në praktikë nuk mbrohen nga ligji edhe pse ata e respektojnë atë, duke parë se ligjin nuk e ka më frikë vrasësi, grabitësi e përdhunuesi, do detyrohen të marrin hak vetë.

Ama le të jemi plotësisht të sinqertë. Thuhet nga analistë e të tjerë se janë kushtet e rënda ekonomike ato që çojnë në të tilla krime. Po ç`kushte zeza kishim në kohën e komunizmit. Apo ngaqë e merrnim qumështin me pikatore, mishin me gramë, vezët me kokrra dhe vishnim pantallona të arnuar e këpucë që na fusnin ujë? Jo or zotni jo. Për këto punë, shumë – shumë njerëzit mund të shaheshin mes tyre ose t`ja hiqnin nga një pëllëmbë shoku – shokut. Pastaj, hasmërira kishte dhe atëherë, por kush e shkonte ndër mend të shtinte me pushkë mbi tjetrin. E ç`qe ai trim që detyronte gra e fëmijë të ngujoheshin e të mos shkonin në punë a në shkollë.

Unë e di fare mirë se edhe politikanët tanë i dinë këto, dhe nuk po u them ndojnë gjë të re. Unë veç desha t`i falenderoj, se duke dëgjuar në këtë pikë Evropën, pra duke ja hequr atributin e vdekjes për kriminelët ligjit, ja dhanë vetëgjyqësisë. Dhe të jeni të sigurtë se populli asnjëherë nuk do t`a shpërdorojë këtë të drejtë. Veç Evropa e sidomos fqinjët tanë të mos na mërziten. Se e dimë që na duan shumë. Vetëm dijeni or miq; që të mos mallkojmë veten kur të jetë vonë, bëjeni një referendum për këtë çështje jetike për Shqipërinë. Dhe po nuk doli ajo që them unë dhe e duan të gjithë që është koha të rivendoset dënimi me vdekje, atëherë më dënoni mua me vdekje.    

Share This Article
5 Comments
  • Heqja e dënimit me vdekje, kaq shumë e proklamuar në shoqëritë kapitaliste stimulon imoralitetin e individëve. Ta zëmë se unë si kryefamiljar nuk gjej asnjë rrugë për të mbajtur familjen dhe vendos të sakrifikoj veten me burgim, qoftë ky dhe i përjetshëm duke kryer një vjedhje spektakolare me pasojë vrasje, siç ka ndodhur rëndom. Ky veprim është krejtësisht imoral për shoqërinë, por për individin është zgjidhje e problemit sepse ia hedh paq dhe nuk rrezikon jetën e vet sepse nuk ka dënim kapital në çdo rrethanë. Ndaj vendosja e dënimit me vdekje e bën shoqërinë më të sigurtë dhe kriminalitetin më të kufizuar, sidomos në vendet e varfëra.

  • pse nuk kerkon te ngrihet niveli ekonomik dhe social dhe korupsioni dy jan me te keqihat e keti vendi mjeksia dhe drejtesia. po te ket ekonomi dhe nivel jetese nuk ma mer mendja se do te vjedh dikush,po te ket drejtesi mendoi do ket me pak ligesi,po te ket ndim mjeksore do te ket me shume harmoni. po te qe denimi me vdekje i mir do kishim qen me mir ne diktaturen komoniste te hoxhes populli do ekonomi ekonomi ekonomi ekonomi drejtesiiiiiiiiiiiiiiii dhe shendetesiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii.

  • Degjojeni kete shrimtar qe quhet Shpend Topollaj. E njoh mire. Ai eshte nje njeri kaq i mire, kaq i sinqert, kaq i edukuar, mendjendritur, zemerhapur, i vertete. Nga Durresi i lashtesise se varrosur nga makuteria, ai flet me zemer ne dore. Eshte mjaft patriot gjithashtu.
    Atij me siguri nuk i ka shpetuar ajo shprehja e famshme e Napoleon Bonopartit se: “Burri duhet ta kete zemren ne koke!”. Shpendi e ka zemren ne koke. Atij i flet zemra e jo buzet duke u hapur e mbyllur mekanikisht e ftohtesisht, duke “prodhuar” fjale pa kuptim. Pra atij i flet zemra per atdheun, te ardhmen, brezat qe do vijne e, nuk i flet xhepi siç ka ndodhur per shume vite me politikanet qe e kane bere vendin paçaure.
    Degjojeni Shpend Topollajn! Shpejt do behemi pishman qe nuk e degjuam.
    Te pershendes miku im nga Tirana me shume mall. Balash!…

  • KY ‘SHPENDI’ PA EMER PAS 25 VJETESH SHPERBERJE ‘RILINDJEN’ DHE INTEGRIMIN E KERKON NEPERMJET VDEKJES!?
    Shkrime konfuze per te treguar qe di shume si karakteri me i keq qe kemi e nuk themi asgje.
    Kush jane shkaqet qe po vetevritemi,ato politike sociale e ekonomike ,civilizuese.
    Si na vendoska ky shpendi denimin me vdekje -kur ne nuk kemi 25 vjet skemi shtet pa le shtet te se drejtes.
    Kush ‘shpend’ ne emer te ligjit e te popullit do jame pretencen e vendimin e denimit me vdekje Atij shpendi te nesermen i ‘pritet koka si e zogut’.
    Kush do denohen me vdekje te paret:Nje ‘Sokol malesh’ me bisht qe vrau 2 çeke apo 140 ‘deputete’ me kollare qe kane 25 vjet qe kane bere e bejne gjenocid ndaj nje populli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *