Sot pasdite në Tiranë ra borë. Nuk ndodh shpesh që kryeqyteti të zbardhet nga reshjet e saj. Ndaj shumë njerëz që jetojnë në Tiranë, zakonisht u duhet të vrapojnë drejt zonave malore, qoftë edhe për një fundjavë, pasi borën e shohin si element çlodhës.
Fatmirësisht qielli u tregua bujar me ne dhe këtë fund shkurti na hodhi ca borë.
Në kryeqytet nuk bie çdo ditë borë dhe rënia e saj nuk është një fenomen i zakonshëm. Fëmijët, por edhe të rriturit i janë gëzuar çdo floku bore që ka prekur tokën këtë pasdite.
Kanë qenë të shumtë ata që këtë ndjesi e kanë ndarë në rrjetet sociale, duke shprehur gëzimin e tyre për këtë fenomen! Por… siç ndodh rëndom, vjen pala tjetër, ajo që kritikon çdo gjë, madje edhe fenomenet qiellore.
U dukë sikur rrjeti u nda në dy kampe këtë pasdite: ata që lumturohen nga rënia e borës dhe ata që ironizojnë personat që i gëzohen këtij fakti.
Disa njerëz, rënia e borës i bën të lumtur, por lind pyetja, kjo lumturi pse duhet të bezdis të tjerët?! Ç’punë i prish tjetrit një foto me borë?! Pse duhet që të ulesh dhe të shkruash një status ku shanë personat që shpërndajnë Tiranën e zbardhur!?
Dhe këta kanë qenë të shumtë!
Kjo tregon se jemi njerëz me probleme, ku çdo gjë e shohim me dyshim, madje duhet ta kërkojmë të keqen edhe në lumturinë që na e jep bora! Urojmë që nesër Tirana të gdhihet e zbardhur, e sigurt që lumturia nuk do të zgjas shumë, por mjafton, qoftë edhe një grimcë…! e.resuli./dita

