Pse duhet të ushtroheni me një trajner personal?

Ornela

Të gjithë kanë nevojë për pak ndihmë me ushtrimet qofshin fillestar apo edhe të stërvitur prej kohësh, dhe një trajner personal bën pikërisht këtë: Ju ndihmon, mëson, korrigjon, motivon… shndërrohet në hijen tuaj dhe nuk ju “lëshon” derisa të dizenjojë dhe ndërtojë një e nga një çdo muskul të trupit.

Në një farë mënyre është zëri i ndërgjegjes. Ndërkohë që ti mendon të bësh dhe 2 sete dhe të vraposh drejt dhomës së zhveshjes dhe dushit, vjen ai dhe të shtyn të bësh edhe 5 sete të tjera. Dhe natyrisht pas disa muajsh shihesh në pasqyrë dhe nuk e njeh më veten.

Në pjesën më të madhe të rasteve arsyeja pse zgjidhet një trajner personal është sepse është e vetmja mënyrë për të detyruar veten të ushtrohesh. Dihet që, pjesa dërrmuese e njerëzve ushtrohen më shumë nëse janë në praninë e dikujt që i mbikëqyr. Është e thjeshtë të bësh një pushim për t’u përgjigjur në telefon apo të lësh përgjysmë ushtrimet e abdominaleve. Megjithatë trajneri të shtyn të japësh maksimumin”, shpjegon Vullnet Manushi specialist i fitnessit, njëherësh dhe trajner personal.

Dhe me të drejtë… dembelizmi, nevoja për të arritur rezultate në një kohë të shkurtër dhe stili i sotëm i jetesës (gjithnjë e më shumë sedentar) ka bërë që trajnerët personalë të mos jenë më një tendencë e personazheve të njohur, por është kthyer në diçka të natyrshme dhe të arritshme për të gjithë.

“Synimi im është të humbas vetëm 5 kg”, ‘Dua të ul barkun dhe t’u jap formë vitheve”, “Krahët duhet të jenë më muskuloz”….ti mjafton të përcaktosh objektivin dhe trajneri do ju ndihmojë ta arrish.
Në funksion të objektivave dhe pasi vlerësohet forma fizike dhe në shumë raste edhe gjendja shëndetësore, ndërtohet një plan pune personal”, vijon Manushi.

Por një nga gjërat më të mira të një stërvitjeje të personalizuar është se trajneri të dedikohet ekskluzivisht ty, duke ndërhyrë në korrigjimin e qëndrimit, kohën e pushimit, teknikën e frymëmarrjes, etj..

Kjo është shumë e rëndësishme, sepse të lejon të qartësosh shumë nga gjërat që i bën gabim.

Fintessi është i ngatërruar, ka shumë informacion, duhet të hash këtë dhe jo atë, kardio para apo pas ushtrimeve të forcës… Ndërsa me një specialist mbi kokë ke mundësi të marrësh informacion të besueshëm dhe të ndjekësh rrugën e duhur.

Nga ana tjetër, sa herë keni thënë para se të shtriheni: “Nesër do zgjohem, do shkoj në palestër dhe do të stërvitem për një orë para se të shkoj në punë”? Të nesërmen zgjohesh dhe në vend që të ngrihesh për t’u ushtruar vendos të flesh edhe një orë tjetër. Por situata ndryshon kur keni lënë takim me trajnerin tuaj. Në këtë rast edhe pse, çfarë nuk do të jepnit për një orë më shumë gjumë, caktimi i një orari me një person tjetër ju “detyron” të ngriheni. Një trajner në krah ju inkurajon, ju jep energjinë dhe motivimin që ju nevojitet, të përcaktoni objektivat dhe gjithashtu të festoni disa muaj më pas kur t’i arrini ato.

Një trajner personal ndihmon që rutina ushtrimeve të mos jetë më e tillë…rutinë. Shumë njerëz nuk e duan palestrën sepse mërziten duke përsëritur gjithmonë të njëjtat ushtrime. Ndërsa trajneri di t’iu japë ushtrime të ndryshme për të stërvitur të njëjtët muskuj. “Çështja është të ushtrohesh duke u argëtuar, që stërvitja të mos e bëhet e mërzitshme. Duke futur gjithmonë ushtrime që nuk i ke bërë kurrë”, shpjegon Manushi.

Ashtu siç kuptohet nga vetë emri, programi është i personalizuar: “Nëse keni probleme shëndetësore kronike, lëndime apo qëllime të caktuara si për shembull vrapim në një maratonë, një trajner mund të punojë me ju dhe mund të sigurojë një plan të sigurt, efiçent që merr në konsideratë nevojat tuaja dhe ju ndihmon të arrini qëllimet”.

Stili i sotëm i jetesës, oraret e ngjeshura bëjnë që shumë persona të kenë në xhep justifikimin se nuk munden të regjistrohen në palestër për shkak të mungesës së kohës, por në këtë rast situata ndryshon. “Një trajner i kualifikuar është në gjendje t’ju japë ushtrimet e duhura për të arritur rezultate në kohë sa më të shkurtër me pak orë stërvitjeje”.

Nëse ushtroheni ngushtësisht me një person të specializuar atëherë do të kuptoni që ai shndërrohet shpesh herë në “engjëllin” tuaj mbrojtës. Një trajner i zoti e njeh klientin e tij, pikat e forta dhe dobësitë. Prandaj ai parashikon programe të sigurta që parandalojnë çdo lloj problemi gjatë apo pas stërvitjes. Në të njëjtën kohë ai monitoron gjendjen tuaj dhe njeh limitet tuaja.

“Shumë persona kanë tendencën të injorojnë sinjalet që trupi jep. Ka raste kur e shtyn veten përtej limiteve të dhimbjes ose dorëzohesh shumë lehtë. Është trajneri ai që duhet të thotë nëse duhet të vazhdoni, apo në të kundërt të bëni pushim në momente të caktuara”, këshillon trajneri Manushi.

Dhe ajo çfarë e bën më të bukur këtë lloj të ushtruari është, sepse ti fillon të kuptosh që ai nuk është thjesht një trajner fitnessi por, trajneri i jetës suaj. Edhe pse është diplomuar për shkencat e sportit, di të bëjë dietologun dhe psikologun: Ju jep këshilla për mënyrën e të ushqyerit bazuar në stilin tuaj të jetesës dhe di të kuptojë sa të stresuar jeni sepse kjo ndikon drejtpërdrejtë në motivim; Dhe si një psikolog i vërtetë ju dëgjon ndërsa ju “djersitni stresin” e një dite të lodhshme pune…

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *