Pse Enver Hoxha nuk e pranoi kompromisin e Beratit

Ornela

Prof. Xhelal Gjeçovi

(Vijon nga numri i kaluar)

Pavarësisht kësaj, ngjarja pati një vlerësim maksimal nga udhëheqja e luftës, e cila vuri në lëvizje dhe hallka e kuadro të tjerë të shquar si Nako Spiru, Ramadan Çitaku, etj. Komunikimet e tyre me Enver Hoxhën dhe verifikimet e analizat e bëra në bazë të udhëzimeve të tij, janë përshkruar me korrektësi nga Prof. Milo dhe besoj se nuk është nevoja të zgjatem në to. Përmes tyre u arrit të sigurohej informacioni i duhur mbi ngjarjen, çka i lejoi Enver Hoxhës që të bëjë një analizë më të thelluar e të saktë, të shoqëruar dhe me masa ndaj përgjegjësve kryesorë, siç ishin Gjin Marku dhe Mestan Ujaniku, i pari Komisar Politik dhe i deleguar i KQ dhe tjetri komandant i shtabit të forcave partizane. Ato patën ndikimin e duhur jo vetëm në rivendosjen e situatës normale, por dhe në nxjerrjen e mësimeve që raste të tilla të mos përsëriten dhe kjo kishte padyshim rendësi të dorës së parë. Rivendosja e situatës tregonte se forca e vërtetë që dominonte zhvillimet në tërë këtë zonë me rëndësi strategjike, nuk ishte ajo e K. Cakranit, siç shprehet Tare, mbështetur në kujtimet e tij. Forca që dominonte situatën, ishte ajo që gëzonte besimin dhe mbështetjen e popullit. Dhe këtë besim e mbështetje e siguroi qysh në fillim Lëvizja Nacionalçlirimtare, në balle të së cilës qëndronin figura të njohura komuniste e nacionaliste, si i paharruari Kahreman Ylli, nje figure e njohur, e dashur dhe e respektuar nga populli i Skraparit dhe Beratit, e përkrah tij dhe Neshat Hysi, i angazhuar familjarisht me Lëvizjen, që në fillimet e saj, e që për këtë arsye sulmohet e anatemohet edhe sot nga Butka me të tijtë, duke e akuzuar për bashkëpunim me gjermanët.

Të fundit që duhet të flasin e të adresojnë akuza të tilla, duke i ngatërruar me baballarët e tyre, duhet të jenë ata që kanë mizën nën kësulë, pikërisht pasardhësit e kolaboracionistëve. E kur akuza të tilla bëhen publikisht, në studio dhe emisione televizive serioze, siç ndodhi para ca kohe me një emision të moderatorit të njohur Sokol Balla, në prezencë të njërës nga historianet, e s’e hapi gojën për të sqaruar këtë moment që po keqpërdorej për qëllime të mbrapshta politike, për të krijuar përshtypjen se prirje dhe elementë që kanë bashkëpunuar me armikun ka patur në të dy krahët, në të dy forcat politike, Ballit dhe Frontit, duke iu referuar pikërisht të ashtuquajturit kompromis i Beratit, atëherë problemi bëhet serioz që kërkon dhe një përgjigje serioze.

***

Më lart theksuam se i ashtuquajturi kompromis i Beratit, nuk zë në histori vendin e ngjarjeve të mëdha të kësaj periudhe të ndërlikuar, nga të cilat varej vërtetë drejtimi dhe përfundimi i luftës. Por, kjo nuk don të thotë se ajo është injoruar nga historianët. Përkundrazi, me të janë marrë disa penda të njohura, si prof. Shyqyri Ballvora dhe prof. Xhemil Frashëri, ndër historianët më të shquar të kësaj periudhe, e krahas tyre dhe veteranët e Beratit, me kujtimet e depozituara në muzeun e qytetit, që janë shfrytëzuar e pasqyruar dhe në historikun e qarkut, të hartuar nga një grup autorësh, të udhëhequr nga profesor e akademik Kristaq Prifti, një historian serioz e skrupuloz, që nuk hidhte kurrë në letër mendime e vlerësime për ngjarje e figura historike pa i verifikuar e ballafaquar me dokumente nga burime të ndryshme, që të mos bëhen shkak për debate të stisura që ndajnë e përçajnë njerëzit.

Natyrisht, gjithkush është lirë t’i rikthehet kësaj ngjarjeje, pasi gjithnjë ka vend për të sqaruar e plotësuar më tej analizat mbi të. Dhe këtë përpiqet ta bëjë dhe prof. Paskal Milo, në një shkrim korrekt e me interes për opinionin. Miloja, në mënyrë të sintetizuar jep një informacion interesant mbi ngjarjen e mbi figurat e implikuara apo të angazhuara ne trajtimin e saj, përfshi dhe Enver Hoxhën, si udhëheqës kryesor i luftës.

E theksoj dhe e vlerësoj në mënyrë të veçantë këtë, pasi sot ekziston një prirje tjetër, prirja që të sulmohet ose të paktën të injorohet e anashkalohet çdo gjë që lidhet me këtë figurë, kur edhe ata e dijnë, dhe këtu kam parasysh historianët e vërtetë, e jo historianët e improvizuar, se pa të, nuk mund të kuptohet e të shpjegohet asnjë ngjarje e luftës. Për fat të keq ka ende historianë që i shmangen kësaj kërkesë jo thjesht politikë, por në radhë të parë metodologjike, që i mundon e i frenon që të mbështetin apo të pasqyrojnë rolin dhe aktivitetin e secilës figurë, nga të gjitha krahët, siç ka qenë në atë kohë, me ato pozicione e qëndrime, pavarësisht çka ndodhur me ta, më tej, gjatë ose pas lufte. Për rrjedhojë, jo pak prej tyre zgjedhin rrugën më të lehtë, por më të dëmshme, në rastin ekstrem, atë të kritikës e të sulmeve, me vend e pa vend, apo siç u tha dhe më lart, atë të injorimit e anashkalimit, që të evitojnë ndonjë kritikë e të mos cilësohen nostalgjikë e të pa rinovuar, pa u bërë merak për dinjitetin që humbet jo pak në opinionin publik, që e kupton se ku e ke hallin dhe as për dëmin që i sjell procesit të njohjes, pasqyrimit të plotë e objektiv të ngjarjes së marre në shqyrtim.

***

Është me interes, në këtë drejtim mendimi i shprehur nga Nako Spiru, në komunikimin me Enver Hoxhën, kur i shkruan, ndër të tjera, se nuk hezitoj të merrem me ngjarjen e personazhet e saj, po kush jam unë që t’u them mendimet që kam, mendime që, siç dihet shkonin larg, duke aluduar dhe për tradhti. Gjithsesi, kompleksiteti i ngjarjes e momentet kur ajo ndodhi, kërkonin, më së pari gjykimin e mendimin e udhëheqësit kryesor të luftës, që përsa ishte në atë detyrë, ishte dhe i pazëvendësueshëm e këtë e kuptonte mirë dhe Nakoja. Pavarësisht si erdhi e kush e solli, ngjarja duhej kapërcyer sa më parë, me kurajo e maturi, që t’u hiqej kundërshtarëve të luftës çdo mundësi për spekulime. Në këtë kuptim ajo ishte një provë për udhëheqjen e luftës, e cila u përballua në mënyrën, më të mirë të mundshme, duke evituar përkeqësimin dhe rrëshqitjen e situatës aty ku e prisnin dhe e dëshironin K. Cakrani me A. Ermenjin. Në rrethana të tilla, masat ndaj përgjegjësve kryesorë, Gjin Markut dhe Mestan Ujanikut, ishin të pritshme e të domosdoshme. Por, me vlere e rëndësi të veçantë ishin, padyshim analiza e kritika e rreptë publike që Enver Hoxha adresoi ndaj tyre. Kjo që bëtë ju, u drejtohej ai, as pritej e as që mund të mendohej nga një komandë partizane. Sikur tërë punën e arritur deri tani, e bashkë me të dhe efektivin që komandoni t’i humbisnit, kurrën e kurrës nuk duhet të binit në ujdi me armikun më të egër të njerëzimit, pra dhe të popullit tonë e të lejonit, që ai të levizë lirisht në territorin, që ju ishte besuar ta mbroni e administroni. Në këtë kuadër ai dënon dhe qëndrimin ndaj Ballit Kombëtar. Është toleranca e juaj, thekson ai, që krijoi këtë situatë, që krahas pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare të ekzistojë dhe ai i BK, organizatë që po bashkëpunon hapur me gjermanët,duke krijuar konfuzion e iluzione të rrezikshme. E kjo është e pafalshme.

***

Unë nuk e di, a ka vend këtu për të aluduar apo, akoma më keq, për të akuzuar PK për kompromis me gjermanët, siç bën K. Cakrani në kujtimet tij, një avaz që e vazhdojnë dhe sot tellallët e kësaj organizate, si Butka, Hoxha, Kaloçi etj. A thua nuk e dinë këta që fatet e luftës dhe qëndrimi ndaj ngjarjeve të tilla, nuk ishin në dorën e një komande partizane, por të forcës që drejtonte luftën, PK e të Frontit Nacionalçlirimtar, e sigurisht dhe Enver Hoxhës, si udhëheqës kryesor i saj, që po e dënonin rreptë qëndrimin ndaj saj? Mesa duket, në këtë rast, në gjykimin e ngjarjes ata kanë parasysh organizatën e tyre dhe me të kërkojnë t’i matin veprimet e qëndrimet e të tjerëve. Një qëndrim i tillë, si ai që u mbajt ndaj ngjarjes së Beratit, e ruajti të pa prekur vijën e luftës, nga devijimet majtas apo djathtas, nga sektarizmi dhe nga oportunizmi, që, në krahun tjetër zunë rrënjë, duke i zënë frymën dhe duke e çuar gradualisht, por pashmangësisht në bashkëpunim të hapur me gjermanët. E, pikërisht këtu shihet roli i udhëheqjes së një force politike, dallimi e ndryshimi rrënjësor që ekzistonte në drejtimin e Ballit e të Frontit, që përcaktoi e u rezervoi atyre dhe fate të ndryshme, në këtë provë të historisë së tyre e të vendit.

***

Me ngjarjen e Beratit e përgjithësisht të luftës, por dhe periudhës pas saj, janë bërë e vazhdojnë të bëhen manipulime skandaloze me dokumente, duke shfrytëzuar dhe mos interesimin e shtetit dhe një frymë liberalizmi që sundon në vend dhe për shkakun e tij. Nga kjo kanë përfituar autorë të papërgjegjshëm, si të përmendurit më lart, pasues e trashëgimtarë të kolaboracionistëve, që botojnë pa kritere, thjesht për interesa politike, por dhe përfitimi e pasurimi me parat e taksapaguesve të ngratë, që detyrohen t’u heqin nga buka e kalamajve për të mbushur xhepat e agallarëve të demokracisë, të futur në ombrellën e të ashtuquajturve institute studimore, kinse po na bëjnë histori, kurse në fakt bëjnë politike, politikën e forcave të vjetra, që e mbyllën si e mbyllën aktivitetin e tyre në vitet e luftës, nuk e konsiderojnë atë kapitull të mbyllur. Me këtë mentalitet vazhdojnë sulmet e shpifjet ndaj luftës e ndaj protagonistëve të saj, duke menduar se në këtë rrugë do të arrijnë të ndryshojnë vlerësimet mbi luftën dhe të justifikojnë e të mbulojnë turpin e paraardhësve të tyre, që bashkëpunuan me nazifashistët që kishin shkelur pavarësinë e atdheut.

***

Ky bashkëpunim dhe pozita e mjerë e ballisteve në këtë lidhje del dhe në kujtimet e Kadri Cakranit, kur përshkruan me nostalgji njërin nga takimet me përfaqësues të komandës gjermane, të cilëve u ankohet se në opinion flitet që ju po furnizoni me armë jo vetëm ne, por dhe armiqtë tanë, Lëvizjen Partizane. Deri këtu arrin mashtrimi e nënshtrimi i ballistëve, verëdemaskimi i Cakranit, njeriut më të besuar të Mit’hat Frashërit, që pa pikë turpi inskenon një skenë të neveritshme, bisedën që bënë me përfaqësuesin gjerman, ku qajnë hallet si vëllai me vëllain dhe i mërzitur e i çoroditur nga gjendja e pa shprese, në të cilën qe katandisur organizata dhe forca e saj ushtarake, i shpreh atij pakënaqësinë për këtë informatë që gjasme qarkullon në opinion, duke e inkuadruar atë në të ashtuquajturin kompromis në mes tyre, për të cilin K. Cakrani gjoja qenka bërë xheloz. Kurse në fakt e gjithë kjo ishte një sajesë e trashë e tij që e vetëdemaskon më së pari atë dhe organizatën ku bënte pjesë, manovrat e saj të paskrupullta, që synojnë të përlyejnë medoemos forcat partizane në turpë që i bënin vetë.

***

A ishte ngjarja kompromis, a është i drejt cilësimi “kompromisi i Beratit”, kjo pak rëndësi ka. Të mos kapemi pas termave, pas formës, por të shikojmë brendinë, thelbin e problemit.

Fjala kompromis më duket e rëndë, me një përdorim e kuptim të gjerë, që në këtë rast duhet bërë kujdes e të tregohemi të matur për të arritur në cilësime e përfundime të tilla, pasi kompromiset në politikë, me armiq e bashkëpunëtoret e tyre, si rregull kërkojnë medoemos vullnetin e qëllimin, që me veprim apo mos veprim, si në këtë rast, të favorizosh armikun, të perfitojë ai, duke dëmtuar pozitat tuaja, të forcës që të është besuar të komandosh. E, në këtë rast, unë këtë nuk e shoh.

Për mua ai ishte një veprim i çastit, i pa menduar mirë, nga drejtuesit e komandës, që për momentin nuk panë e nuk menduan për pasojat që mund të rezultonin për shkakun e tij. Përcaktimin më të saktë e ka dhënë vetë Enver Hoxha, kur e cilëson si një qëndrim me zemër prej murgeshe, të pajustifikuar e të papajtueshëm me vijën e luftës, por duke evituar jo pa qëllim e pa kuptim cilësimin si tradhti.

Në favor të këtij argumenti vjen dhe fakti që, si Gjini ashtu dhe Mestani do të vazhdojnë të komandojnë dhe më tej, deri në përfundim të luftës njësi partizane.

Rikthimi i analizave pas lufte, që do të rezultojë dhe me dënimin, si të njërit ashtu dhe tjetrit, nuk ka lidhje me ngjarjen e Beratit, por me problematika të tjera, të shfaqura në kohë e rrethana të tjera, që nuk janë në objektin e shkrimit tonë.

Por, edhe ashtu siç ishte e siç u trajtua, ajo e beri punën e vet, e solli dëmin që s’u shkonte ndërmend udhëheqësve të Komandës partizane, duke krijuar terren për spekulime, si ato të Kadri Cakranit dje dhe të pasuesve të tij sot, që mendojnë se në këtë rrugë, me sulme e gënjeshtra mund të hidhet poshtë Lufta e të justifikohet turpi që paraardhesit e tyre kolaboracionistë bënë duke bashkëpunuar me gjermanët.

Kadri Cakrani, pinjoll i një familjeje të njohur, me kontribute në momente të caktuara, për vendin, por dhe me probleme e mëkate të rënda në vitet kur luftohej për të hequr qafe zgjedhën nazifashiste, pati një shans që në kujtimet mbi të ashtuquajturin kompromis i Beratit të tregohej më i matur e më gjakftohtë, e pse jo të gjente forca që t’i kërkonte falje popullit të Beratit e të gjithë vendit për prapësite që u kushtuan jo pak, në ato kohë e vështira. Ateherë dhe sugjerimi i Tares do të ishte me vend, pasi dhe kujtimet do të kishin tjetër vlerësim e trajtim në historinë e vendit, e ndoshta do të kishin një ndikim e reflektim dhe për ballistët e sotëm, që për ironi të fatit ku janë katandisur, vazhdojne ta kërkojnë qimen tek të tjerët, tek fitimtarët, që i dolën zot vendit, kur të tjeret, paraardhësit e tyre e braktisën, e jo traun mbi vete, që nuk i lë të shohin realitetin, të pranojnë gabimet e të pajtohen me përfundimet e luftës, që ishin shpëtimtare për vendin.

Fund.

 

 

Share This Article
1 Comment
  • “Ky bashkëpunim dhe pozita e mjerë e ballisteve në këtë lidhje del dhe në kujtimet e Kadri Cakranit, kur përshkruan me nostalgji njërin nga takimet me përfaqësues të komandës gjermane, të cilëve u ankohet se në opinion flitet që ju po furnizoni me armë jo vetëm ne, por dhe armiqtë tanë, Lëvizjen Partizane.”

    Ka ndonje Dokument per kete se kur dhe ku me ke ky Cakrani ka folur me gjermanet?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *