Ilir Meta ende nuk e ka vendosur se ç’qëndrim do të mbajë e me këtë do të rreshtohet para e pas zgjedhjeve, dhe është kjo gjendje standby që e bën të nxjerrë nga goja veç fraza të rrumbullakosura, dy kuptimëshe, apo pa asnjë kuptim. Është vuajtja që vjen prej paqartësisë. Mbrëmë ka qenë i ftuar tek studioja e Babaramos, dhe redaktorët që e kanë publikuar intervistën e tij në gazetat e tyre e kanë patur me siguri të vështirë të gjejnë një titull përshkrues apo sintetizues,
Ja disa nga frazat e tij “më të qarta”: 1 – Gjyqi mbi 21 janarin? 21 janari është rezultat i një politizimi ekstrem, dhe opinioni që po më kërkoni të shpreh nuk ndihmon në depolitizimin e këtij procesi. Procesi duhet të jetë ligjor. 2 – Vendimi i Gjykatës? Nuk dua të paragjykoj apo vlerësoj vendimin e gjykatës. Kur flas për proces kam parasysh tërësinë e tij. Duhet pritur me shumë qetësi. 3 – Ambasadori Arvizu ëhstë shprehur se është tronditur, mirëpo mendoj se ky qëndrim është kompleks. SHBA-të janë investuar në këtë process. 4 – Ministrat që kanë folur për ndërhyrje në punët e brendshme pas deklaratës së Arvizusë nuk përfaqësojnë qeverinë. Janë vlerësime të caktuara individuale. Por ambasadori amerikan nuk mban qëndrime personale. 5 – Poli i tretë? Është e rëndësishme që të ketë një alternativë tjetër sa më të qëndrueshme e racionale. A do jetë Topi pjesë e polit të tretë? Ky është një proces që s’përjashton askënd. 6 – Puna e aleancave nuk vendoset nga unë; do të vendoset nga Konventa e LSI-së. LSI-ja do t’i shërbejë stabilitetit dhe përshpejtimit të procesit të integrimit…. Etj., etj., etj.
Nuk do ishte më mirë që politikanët të mos shkojnë nëpër studio, nëse s’kanë gjëra për të thënë?
Online nga adresa: respublica.al