Ligji i miratuar dje nga Kuvendi i Shqipërisë për hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste, duket një hap i nevojshëm, edhe pse mjaft i vonuar. Megjithëse ndarja kronike e partive politike vijoi edhe për këtë ligj, përsëri miratimi i tij me 84 vota, duket një hap në drejtimin e duhur. Një hap që duhet përshëndetur për mundësinë që i jep nisjes së mëkëmbjes të shoqërisë sonë, aq të traumatizuar nga një tranzicion i gjatë dhe i mundimshëm. Një tranzicion i sunduar realisht prej dy të majtave në rolet e caktuara e, fatkeqësisht, njëra më e sëmurë se tjetra nga gjakimi për pushtet.
Miratimi i ligjit për hapjen e dosjeve, edhe pse mbase mund të kishte pësuar ca amendime për t’i shërbyer më mirë ndarjes me të shkuarën, përsëri është mbase ligji më i mirë i mundshëm, me këtë Kushtetutë që kemi në fuqi. Tek e fundit, ndoshta nuk e kanë aq gabim ata që thonë se dhe ligjet ngjajnë ca me sahatët – të gjithë shërbejnë me atë mundësi që kanë si aparate, por asnjë nuk mund të jetë i përkryer.
Nga këto mangësi nuk shpëton dot as ligji i miratuar dje nga Kuvendi i Shqipërisë, por është mirë të merremi vesh që në krye të kuvendimit. E kanë kuptuar gabim ata që e quajnë ligjin e hapjes së dosjeve të diktaturës si një ligj që u shërben vetëm të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të asaj diktature. Madje nuk mund të shërbejë as për të shëruar nga zullumet zullumqarët e pashërueshëm të regjimit të shkuar. Se gunga e tyre nuk ndreqet dot me ligje. Ndaj duhet kuptuar mirë që ligji i hapjes së dosjeve, edhe me mangësitë e veta, nuk është një ligj as vetëm për të përndjekurit dhe as vetëm për përndjekësit e tyre. Ai është një ligj në dobi të mbarë shoqërisë, një ligj në dobi të shëndetit shoqëror, aq keq të dëmtuar nga diktatura e aq tepër të drobitur e të telendisur nga tranzicioni ynë, gjatë viteve të gjata të të cilit dosjet e errëta të diktaturës u përdorën si mjet për të garantuar pushtetet.
Do të kishte qenë më mirë që dy të majtat tona trashëgimtare të Partisë së Punës të mos qenë ndarë dhe në miratimin e një ligji, që u bën mirë edhe atyre vetë. Sepse shëndoshja e shoqërisë doemos që ndihmon edhe shëndetin e partive politike. Por ja që trashëgimtarët e Mëmës nuk heqin dot dorë nga gjakimi i tyre i sëmurë për pushtet dhe mbetën të ndarë në “klasa antagoniste” edhe për miratimin e një ligji, që i shërben ndarjes së shoqërisë sonë me të shkuarën e palavdishme. Ja që ashtu kanë mbetur edhe pas një çerek shekulli në pushtet dy të majtat tona në role teatrale të kundërta. Në s’kemi ç’t’u bëjmë për t’ua lehtësuar ca zjarrminë e tyre të trashëguar për pushtet me çdo kusht e me çdo mjet, nuk mund të themi dot as: “ato qofshin”!
Se do të dëshironim t’i dëgjonim të flasin dhe ato në Kuvendin e Shqipërisë me një shqipe të qëruar e më logjikë të shëndoshë, që të arrijnë të merren vesh kur flitet për të mirën e mbarë qytetarëve, siç do të uronim që të kujtohen dikur se politikë do të thotë shërbim qytetar në të mirë të qytetarëve dhe jo kacafytje kafshësh politike të kohëve të shkuara, që tek ne nuk po dëgjojnë të bëhen të harruara…
Por më në fund u miratua dhe tek ne një ligj për hapjen e dosjeve, që nuk mund të hidhet poshtë as nga gjyqësori ynë aq i përzier e i përlyer në politikë. Do të kemi një ligj që bën më të mirën e mundshme për të hedhur dritë në terrin e hidhur të dosjeve të diktaturës. Dhe nuk u heq të drejtën për të marrë pjesë në politikë as personave me shumë emra, se kështu thotë Kushtetuta që kemi e këtë merak kanë dhe partnerët tanë europianë me gjykatat e tyre përkatëse.
Por nuk besoj se e mohojnë dot, as ata që e votuan kundër, që ky ligj është një hap i nevojshëm në drejtimin e duhur. Sepse bën transparencë dhe e bën atë pa i shkelur të drejtat themelore as njeriut e as ariut…
Ky ligj veçse na ndihmon të shohim më qartë e më mirë se cilët jemi, se ku jemi e ku duhet të vemi. Sepse i bëhet me dije publikut se cilët kanë qenë dje ata që duan të mbeten apo të dalin tribunave publike. Ata që duan t’i përfaqësojnë e t’i drejtojnë qytetarët. E po qe se qytetarët, edhe pasi kanë marrë vesh se ç’kanë në dosje kandidatët për përfaqësim e për drejtim – që nga lëmi i politikës e deri në atë të arsimit – atëherë këtyre qytetarëve nuk ua ka fajin ligji në fjalë e madje nuk ua kanë fajin as vetë zullumqarët e djeshëm që duan të mbeten përsëri në tribunat publike.
Se ky hap i nevojshëm, po qe se hidhet me vendosmëri e me drejtësi, besoj që do të pasohet nga hapa të tjerë ca më të vendosur e më të dobishëm për shëndetin tonë shoqëror. Mbase pas këtij hapi, Kuvendi nuk besoj se e ka të ndaluar që, kur ta shohë të nevojshme e kur të ketë më pak apo aspak pjesëtarë të ngarkuar me zullumet e dosjeve të errëta, ai Kuvend pra, të miratojë ligje të tjerë në thellimin e transparencës. Atëherë besoj që shëndeti ynë politik e shoqëror do të kërkojë që të mos kemi njerëz me shumë emra jo vetëm në politikë e në drejtësi e në diplomaci, por as në shoqërinë civile, të cilën dosjet e të shkuarës na e kanë paraqitur shumë herë si shoqëri paraushtarake të pushtetit, Të mos kemi më njerëz me pseudonime as në media e as në arsim, ku farkëtohet e ardhmja e një populli.
Ndaj më duket se duhet përshëndetur miratimi i ligjit për hapjen e dosjeve dhe duhet uruar që të zbatohet si duhet me frymë e me germë. Sikurse duhet të urojmë sërish Kuvendin e Shqipërisë që këtë hap të mos e lerë të vetëm, por ta ndjekë me hapa të tjerë të kësaj natyre. Me hapa që do ta bëjnë shoqërinë tonë përherë e më të shëndetshme. Shëndet shoqëror, që do të kërkonte nga politika e nga të gjitha fushat e veprimtarisë publike më shumë përgjegjshmëri e më shumë përkushtim në kryerjen e detyrave që marrin përsipër në emër të qytetarëve e në dobi të zhvillimit të vendit.

Dauti tim i shume- vuajtur dhe i shume- pjekur,sikur tek shkrimi qe ke bere te
veje fjalen dy kaka dhe jo dy te majta,do te kishte me shume vlere ky shkrim.
Keto te majta nuk kane lidhje fare me ato te majta qe luftojne per te miren e kombit te
vet. Te majtat e kesaj bote prishen dhe regullohen,me vite jo te gjata. Nje qytetar normal
kur kujton 25 vjet karikatura te ketyre te majtave dhe ajo cike mendje qe i ka ngelur i shuhet.
Une mendoje o Dauti tim i burgjeve i pa perkulur kurre… ketij populli i duhet dicka tjeter, i
duhet nje rebelim total i pa meshirshem kunder ketyre dy kakave,ky rebelim pastron dhe
dosjet e te kaluares kaq te degjeneruar. Pershendetje Daut.
I respektuari Daut Gumeni, jam dakort me cka te shkruan Tartufi,mpasi te dy partite e “majta” jane thjeshte bijte, bijat, nipat, mbesat, krushqit, krushkat e PPSH,prandaj kerkesa e PD qe te vihej nje nen qe asnje person i administrates se para vitit 1990 nuk duhet te jete perseri ne administraten shteterore,perfshi gjykates, prokurore, perjashtuar arsimtaret dhe mjeket.