Pse kanoset vetëm populli?

redaktor

Gazeta Dita është e vetmja prej gazetave që e marr çdo ditë. Dhe Andrea Stefani është miku im që e njoh qysh prej vitit 1980. Por që të dy, Dita edhe Andrea, sipas meje, keni një gabim. Vazhdoni të keni shpresë se Edi Rama do të bëjë shtet dhe drejtësi. Prandaj edhe Dita ka filluar që të mos t’i botojë vërejtjet dhe kritikat e ashpra kundër Edi Ramës. Duhet të jesh miop që të mos ta shikosh dhe të mos ta kuptosh që Edi Rama sado që flet bukur në çdo fjalim, e ka personalizuar kaq shumë karrigen e Kryeministrit sa bën mu. Shteti shqiptar nuk është i Edi Ramës. Edi Rama i harroi të gjitha sa na tha në fushatë. Asgjë nuk bën me program dhe sipas premtimeve, por mbledh qeverinë sa here t’i dojë qejfi dhe shpall aksione. Shqipëria ka një Kushtetutë, ka ligje dhe detyra e Edi Ramës është që t’i vërë institucionet e shtetit në punë për zbatimin e ligjit. Kaq. Kë kanos Edi Rama kur thotë: “Burg për energjinë”, “burg për biznesin”, “burg për ujin”, “burg për pronat”? Shqiptarët duhet të kenë frikë Edi Ramën dhe ministrat e tij, apo ligjin?

Dilni shikoni kush janë drejtorët e “Rilindjes”, dilni shikoni kush është psikologjia e zyrtarëve të administratës së “Rilindjes” etj. etj. Nuk jam unë thotë drejtori, tako deputetin, ai të fut në punë dhe njerëzit rropaten lartë e poshtë. Ç’punë ka kryetari i partisë, apo deputeti, miku, fiku e soji e sorollopi me vendet e punës? A ka ligj në këtë territor për çdo gjë? Pse nuk zbatohet? Pse kanoset vetëm populli pra? Miku im Andrea flet shumë mirë për drejtësinë e munguar në këtë vend që quhet Shqipëri. Dhe shtron pyetjen: “Të jesh apo të mos jesh shqiptar?” Unë them: Të jesh shqiptar, por jo me një qeveri si ajo që mezi e flakëm tutje. A na tha Edi Rama ejani tek unë sepse unë di të bëj shtet, unë di të bëj drejtësi, unë di të bëj ligj, unë di të bëj ekonomi, unë ju jap punë, unë ju jap liri, unë ju jap drita, unë ju jap ujë etj. etj.? Ja pra, shkuam. Po tani? Ka më shumë se dy vjet dhe vazhdon të bëjë aksione kundër popullit të vet.

Sot Edi Rama del ditë për ditë me poza prej të forti karshi shqiptarëve dhe po e shohim drejtësinë dhe ekonominë e tij. Mjaft u grinde me vegjëlinë dhe me popullin që të votoi dhe të bëri Kryeministër. E di që nuk do ta botoni këtë që po shkruaj unë, por megjithatë, unë po jua them. Por e di mirë se ajo liri që trumpetohet me të madhe nga Edi Rama është liri xhungle. Unë jam një qytetar fare i rëndomtë dhe i thjeshtë, por edhe pa asnjë mbrojtje, dhe e di mirë që do të më shqyejnë kur të më dëgjojnë që po flas kështu. Por më mirë e vërteta duhet thënë se sa të mashtrojmë veten dhe njëri-tjetrin.

Përshëndetje, L.M.

 

Dërguar me email

në adresën e redaksisë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *