Kur bëhen zgjedhjet e pushtetit lokal, kandidatët afrohen shumë me moshën e tretë. Gjoja kanë një “dashuri” të madhe për këtë shtresë, si e si t’i afrojnë për të marrë votat e tyre. Ka shumë raste nga kandidatët që organizojnë ekskursione me fondet e shtetit edhe nga buxheti i tyre për të dërguar këta pensionistë në qytetet muzeale. Në vendet historike të luftës, edhe jashtë vendit kanë shkuar pensionistët për ekskursion, në Kosovë, Kroaci, Mal të Zi. Udhëtimi falas dhe një ushqim falas i paguan kandidati me qëllim që të marrin votën për t’u zgjedhur drejtues në organet e pushtetit. Me të marrë votën, dashuria për pensionistët zbehet, duke thënë: Nuk ka fonde për këtë shtresë të popullsisë. Kjo skenë po ndodh sivjet në 2015-ën kur ata që marrin pension pyesin: A ka ndonjë shtesë për ne? Kur sportelistja thotë “nuk di gjë”, të shkretët dalin të dëshpëruar nga zyra. Ç’të bëjnë me ato pak lekë, të paguajnë dritat, të blejnë ilaçe apo të festojnë Vitin e Ri? Pse kjo pakujdesi nga qeveria sivjet në 2015-ën? Kjo është tallje për këtë shtresë të varfër të popullsisë. Ne po dëgjojmë se tatimorët po marrin 7-8 rroga shtesë për punën që (nuk)bëjnë.
Letër e nënshkruar
Luftar Kuka, Patos
