Seit Jonuzaj
Nuk jam gjuhëtar, por një dashamirës i gjuhës sonë shqipe. E dua atë të pastruar nga huazimet e panevojshme, të pa çnatyrizuar dhe brenda standardit të gjuhës së sotme letrare kombëtare. Vite të tëra, duke i kushtuar jetën, punoi një plejadë e tërë atdhetarësh gjuhëtarë të shquar, si Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, Kostaq Cipo, Idriz Ajeti e plot të tjerë të kohës së tyre dhe pas tyre për ta bërë shqipen një gjuhë letrare me standarde bashkëkohore dhe të zhveshur nga huazimet e panevojshme të marra nga gjuhët e pushtuesve të shumtë të vendit tonë në rrjedhën e historisë së popullit shqiptar. Përpjekjet e tyre arritën të kurorëzoheshin me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, që ishte një arritje madhore historike në lëmin e gjuhës shqipe. Është fatkeqësi kombëtare dukuria e shfaqur gjatë tranzicionit famëkeq, me ndryshimin e sistemit politiko-shoqëror të mëparshëm dhe kalimin në sistemin e tanishëm, ku si çdo fushë tjetër që u dëmtua rëndë, edhe gjuha shqipe nuk i shpëtoi masakrimit, duke u shqelmuar puna vigane e bërë nga gjuhëtarët tanë atdhetarë të të gjitha kohërave.
Me dhimbje po e përjetojmë shformimin gjuhësor të shqipfolësve të brezave të sotëm në vendin tonë. Është e pafalshme që shumica e shtetarëve dhe politikanëve tanë, pa përjashtuar edhe mjaft gazetarë e madje edhe mësues, të cilët nuk e kanë apo e shpërfillin kulturën e nevojshme gjuhësore dhe çdo fjali e tyre mbushet me fjalë të huaja të panevojshme apo me gabime trashanike drejtshkrimore, duke u bërë një shembull i keq për dëgjuesit dhe lexuesit, veçanërisht për brezin e ri, tek i cili po merr një përhapje të gjerë zhargonizmi, shkurtimet pa kuptim të fjalive, mosnjohja apo shpërfillja e rregullave të drejtshkrimit etj. Po rendisim më poshtë disa nga dukuritë e prishjes së gjuhës shqipe.
Le ta nisim me emrat e bukur tradicionalë shqip të njerëzve që nga ilirët e deri sot. Është kthyer në mani për t`u vënë fëmijëve emra të huaj që nuk u dihet as kuptimi. Në kohën e pushtimit osman, shtrëngimi për të kaluar në besimin mysliman detyrimisht u shoqërua edhe me vënien e emrave turkoarabë, të huaj për shqiptarët. Por edhe kur u flak robëria pesëqind-vjeçare turke dhe Shqipëria shpalli Pavarësinë kombëtare, jo vetëm që ishte e pamundur të hiqej dorë nga emrat myslimanë për shkak të fesë, por me kalim vitesh nisi “importimi” i ri i emrave nga lindja dhe perëndimi për shkak të konjukturave politike. Disa vite u bë mani vënia e emrave rusosllavë, si Pushkin që ka kuptimin e topçiut, Zhukov që ka kuptimin e brumbullit etj. Tani një mori qytetarësh shqiptarë i janë kthyer emrave perëndimorë, larg emrave të traditës iliro-shqiptare, paçka se shumë nga emrat e huaj nuk kanë ndonjë kuptim për t`i pasur zili. Dhe sot, jo vetëm që vazhdon mania e emrave të huaj, por edhe po italjanizohen emrat tradicionalë: si Andon që bëhet Antonio, Ëngjëll që bëhet Anxhelo, Jorgo-Xhorxhio, Josif-Xhusepe etj, duke u lënë emrave mashkullorë edhe mbaresën zanore “o” të emrave mashkullorë të italishtes në vend të mbaresës me bashkëtingëllore që, si rregull, kanë emrat mashkullorë në shqipe. Kështu kemi: Valentino, Sebastiano, lavazho e plot të tjerë, që megjithëse janë emra të huaj, duhet t`i përshtaten shqipes, pa zanoren “o”, si Valentin, Sebastian etj. Ndërsa lavazho as që duhet të përdoret se në vend të këtij emri kemi fjalën shqipe “larje”, “larje makinash” ose “vendlarje makinash”, ashtu sikurse edhe lavatriçja që shqip është makinë larëse etj.
Përdoret nga folësit e medieve fjala argument në kuptimin që nuk e ka shqipja, po vetëm ndonjë gjuhë e huaj, siç është italishtja. Fjala argument në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe ka vetëm kuptimet arsyetim, që përdoret për të vërtetuar ose për të kundërshtuar diçka, d.m.th. provë dhe paraqitje e përmbledhur e përmbajtjes së një vepre letrare. Ndërsa në fjalorët e italishtes ka disa kuptime: 1. Provë e një arsyetimi. 2. Rast, shkas. 3. Temë, përmbajtje. Siç shihet, fjala argument në fjalorët e gjuhës shqipe, por edhe në fjalorë të shumë gjuhëve të tjera, nuk e ka kuptimin e temës. Atëherë, si mund të thuhet ndërrojmë argument, gjatë emisionit të lajmeve, kur duhet thënë ndërrojmë temën, apo pse thotë italiani cambiamo argomento, që në këtë rast ka kuptimin e temës. Shtrojmë pyetjen, formuluesit dhe folësit tanë të lajmeve e hapin fjalorin e gjuhës shqipe për të verifikuar kuptimin e fjalëve, apo marrin për bazë fjalorin e italishtes?! Tema mund të ndërrohet, po argumenti, prova, fakti kurrsesi.
Edhe përkthyesit e lajmeve të marra nga jashtë bëjnë gabime në shkrimin e emërtimeve. Po marrim vetëm një rast: fjalën cunami shpesh e shkruajnë tsunami. Kështu shkruhet vetëm në ato gjuhë që nuk e kanë shkronjën c, kurse gjuha shqipe, si shumë gjuhë të tjera e ka këtë shkronjë, prandaj, s`ka pse të shkruhen me ts. E njëjta gjë ndodh edhe me emra njerëzish që kanë brenda c, duke i shkruar me ts. Kjo na duket jo normale.
Nuk është e natyrës së shqipes përshtatja e foljes pësore bëhem sipas italishtes bëj, si bëj avokatin, bëj mjekun, bëj prostitutën etj., kur shqipja e kërkon të thuash u bëra apo u bë avokat, mjek etj. (me shkollimin përkatës që merr secili). Bëra avokatin etj. në shqip ka kuptimin që e bëra unë avokat, mjek, prostitutë ose e kam lindur unë atë që është bërë avokat, doktor etj.
Në vend të përemrit pronor mashkullor yni, përdoret rëndom përemri femëror jonë. Si mund të thuhet vendi jonë, shteti jonë, gabimi apo faji jonë, kur duhet thënë vendi ynë, shteti ynë, gabimi apo faji ynë etj. Ndërsa përemri jonë është vetëm për emrat femërorë: qeveria jonë, Shqipëria jonë, shtëpia jonë etj. Po kështu, përemri pyetës kush përdoret për njerëz: kush erdhi, kush iku, etj, por jo për sende. Është mungesë kulture gjuhësore të thuash kush janë gabimet, kush është origjina, kush janë shkaqet, mendimet, me kë tekst të punoj etj, në vend të përemrave cili, cilat, çfarë: cilat gabime, cilat ose çfarë shkaqe, me cilin tekst të punoj etj.
Në vend të emrit pre, preja që ka kuptimin e një kafshe a shpendi që zihet dhe hahet etj. shkruhet a flitet preh, që është folje, e cila në trajtën pësore ka kuptimin pushoj, çlodhem etj. Po kështu, njehsim që ka kuptimin numërim, llogaritje, përdoret në vend të njësim që ka kuptimin e bërjes të njëjtë, e unifikimit dhe anasjelltas, njësim në vend të njehsim. Pra, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me mosnjohjen apo me mos hapjen e Fjalorit të gjuhës shqipe për të parë kuptimin dhe si duhet shkruar apo folur.
Shumë politikanë në ligjërimin e tyre futin lloj-lloj fjalë të huaja, që jo vetëm shqipfolësi i thjeshtë nuk i kupton, por edhe vetë ligjëruesi i këtyre fjalëve, mendojmë se nuk ua di kuptimin, por i përdor për të lënë përshtypjen se është njeri me kulturë të gjerë, kur shumica e këtyre fjalëve të huaja kanë barasvlerëset shqipe që i kuptojnë të gjithë dhe përdoruesi i këtyre fjalëve të huaja të panevojshme, jo vetëm nuk tregon kulturë, por, përkundrazi, tregon mungesë kulture.
Një dukuri tjetër e sotme që dëmton gjuhën është shkurtimi i togfjalëshave që u humbet edhe kuptimin. Kështu, në vend të drekën apo ditën ose natën e mirë, thuhet drekën, ditën, natën. Po çfarë tregojnë vetëm këto urime gjysmake vetëm me një fjalë, pa i plotësuar me fjalën e duhur, mirë? Drekën e mirë, që është urim apo të hëngsha drekën, që është mallkim? Ndërsa fjalët ditën e natën pa u shoqëruar me fjalën mirë kanë vetëm kuptimin e ndajfoljes së kohës. Erdhi natën, iku ditën etj. Dhe kur i bëjmë vërejtje ndonjërit për këtë gjymtim, e ka në majë të gjuhës të përgjigjet se kështu përdoret në të gjitha gjuhet e huaja (madje pa ditur ndonjë gjuhë të huaj). Autori i këtyre vërejtjeve njeh disa gjuhë të huaja dhe ka qenë në disa vende, por dukuri të tilla nuk ka ndeshur, që të gjymtohen fjalët a fjalitë, që të urojnë, p.sh., natën e mirë vetëm me fjalën natë, p.sh. notte dhe jo bono notte (italisht), night dhe jo good night (anglisht), noçi dhe jo spakojnoj noçi (rusisht), noç dhe jo laku noç (serbokroatisht) etj. Atëherë, pse do gjymtohen shprehjet e shqipes?!
Mendoj se të gjitha këto dukuri dhe shumë të tjera po i sjellin një dëm të madh formimit gjuhësor të shqipfolësve me kulturë normale, veçanërisht të shkollarëve. Prandaj do të ishte shumë e nevojshme marrja e masave nga ana e autoriteteve shtetërore, duke krijuar struktura, udhëzime e mekanizma të posaçme, siç kanë propozuar edhe gjuhëtarë të veçantë, për t`i frenuar këto dukuri. Ashtu, siç duhet vënë dorë edhe për lloj-lloj tabelash nëpër rrugët dhe tregtoret e lokalet e qyteteve me emra e emërtime të huaja nga më të ndryshme, sa të krijohet përshtypja se nuk je në Shqipëri, por në ndonjë vend të huaj. Ndesh emërtime hotelesh edhe me emra të tillë, si italisht “Primavera”! Kur mund të quhej me fjalën e bukur shqipe “Pranvera”. Por shpesh në këto tabela të vrasin sytë edhe shumë gabime drejtshkrimore. Për sa i përket emrave të huaj për njerëzit, nuk do ishte keq që të rikthehej praktika e dikurshme e Gjendjeve civile, duke i udhëzuar për t`u bërë “postbllok” në regjistrimin e fëmijëve me emra të papërshtatshëm me traditën e emrave shqiptarë dhe duke i regjistruar emrat e tyre sipas rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
