Në një sallë mbushur plot me gra e vajza, kërkuesit shkencorë bënë këtë pyetje:
“Sa nga ju kanë tre ose më shumë miq e mikesha të ngushta, që u besoni dhe do të dëshironit t’i kishit pranë në raste nevoje?”
Shumica e grave u përgjigjën pozitivisht ndaj kësaj pyetje.
Kur e njëjta pyetje u drejtua në një sallë plot me djem e burra, thuajse, asnjëri prej tyre, nuk u përgjigj pozitivisht. Shumica e burrave kanë vetëm një mik të ngushtë, që shpesh, është gruaja e tyre.
Kur bëhet fjalë për marrëdhënie me të tjerë, shumica e burrave ndjehen të vetmuar.
Në historitë gojore dhe në letërsi ne kemi dëgjuar e lexuar për miqësitë midis burrave. Ato janë histori të romantizuara dhe idealizuara dhe kanë qenë përshkruar si trimëri dhe sakrifica fizike të burrave, në ndihmë të të tjerëve. Por, kanë qenë shumë rralla rastet, që këto miqësi të kenë qenë marrëdhënie interpersonale, me afrim dhe përkushtim ndaj burrave të tjerë. Siç thotë shkencëtari Bell: “Kjo ndodh, sepse afërsia dhe përkushtimi janë të papajtueshme dhe plot dyshime, për vlerat mashkullore -ato nuk janë burrërore”.
Përjashto miqësitë romantike me femrat, burrat kanë shumë pak miq të tjerë të ngushtë meshkuj. Në këtë konkluzion kanë arritur shumica e kërkuesve.
Në vend të këtyre miqësive mashkullore të ngushta, meshkujt kanë, shpesh, “miq aktivitetesh”, siç janë shokët për të luajtur tenis, futboll, ose shokët me të cilët shkojnë të pinë, e të tjera aktivitete të këtij lloji. Miqësitë midis burrave, bazohen në shkëmbime favoresh reciproke dhe aspak në mbështetje emocionale. Me këto lloj miqësish, ata avancojnë në karrierë. Këto miqësi prishen shumë shpejt, po qe se ata duan t’i prishin. Si rezultat, shumë burra, ndryshe nga shumica e grave, ndjehen të izoluar dhe zemëruar.
Herb Goldberg, Ph.D., në librin e tij “The Hazards of Being Male: Surviving the Myth of Masculine Privilege” i ka përshkruar në këtë mënyrë dilemat me të cilat ndeshen shumë burra: “Burri paguan një çmim të lartë për ‘privilegjet’ dhe forcën e maskulinitetit të tij. Ai e ka izoluar trupin nga emocionet. Ai luan me rregulla mashkullore, që e çojnë në vetë-shkatërrim emocional, psikologjik dhe fizik.”
Burrat nuk janë të aftë të përfitojnë nga vlerat shëruese të miqësisë. Duke u moshuar, kjo bëhet edhe më e rëndë. Moshimi i izolon burrat. Studimet tregojnë se burrat, krejt ndryshe nga gratë, nuk u besojnë të tjerëve dhe e kanë të vështirë të kërkojnë ndihmën e tyre. Në shumicën e raporteve mjekoligjore të burrave që kanë kryer vetëvrasje shkruhet: “Ai nuk kishte miq… Ai nuk ndjehej mirë me burra të tjerë… ai nuk u besonte doktorëve dhe nuk kërkonte ndihmë, madje, edhe atëherë kur ajo u këshillohej”.
Shkëputja nga të tjerët dhe dhimbja që ndjejnë brenda vetes, i çon burrat drejt depresionit. Studiuesi i menopauzës mashkullore, Jed Diamond, thotë: “Tek burrat, vetëvrasja është në shifra shumë të larta dhe ai rritet dramatikisht me moshimin e tyre. Burrat mbi moshën 65 vjeç, e vrasin veten 10 herë më shumë se gratë e së njëjtës moshë.” Ndryshe nga gratë, burrat, shpesh, bëhen agresivë, të dhunshëm bien në depresion dhe kryejnë vetë-vrasje. Elayne Boosler, një komediane e shquar, për të treguar për diferencat midis burrave në këtë drejtim thotë: “Kur gratë janë të depresuara, ato hanë pa fund ose shkojnë për ‘shopping’ (pazar). Burrat e depresuar duan të pushtojnë territore të tjera. Janë dy mënyra krejt të ndryshme të menduari.”
Çfarë duhet të bëjnë burrat për ta kapërcyer këtë situatë? Ata duhet të përpiqen të bëjnë më shumë miq të afërt, edhe pse e kanë të vështirë të krijojnë miqësira. Por edhe pse e vështirë, kjo është nga gjërat më të rëndësishme që ata duhet të bëjnë.
2. Burrat reagojnë dhunshëm kur turpërohen
Të gjithë e kemi provuar turpin dhe kemi ndjerë se na ka bërë më të vegjël dhe më vulnerabël. Shumica e burrave të turpëruar i fshihen opinionit. Ata ndjehen të vetmuar dhe të pavlerë. Bie shumë shkalla e vetëbesimit. Një studiues, turpin tek burrat e krahason me kancerin.
Ndjenja e turpit dhe fajit janë dy të këqija, që ndryshojnë nga njëra-tjetra. Faji është ndjenja e keqe që provojmë pasi kemi dështuar për të bërë diçka. Turpi është ndjenja e keqe ndaj vetes, ndaj asaj që jemi, ndaj gjithë qënies tonë.
Burrat e përjetojnë turpin ndryshe nga gratë. Burrat ndjehen të turpëruar kur bie perceptimi i të tjerëve për ta. Ata refuzojnë ta pranojnë turpin dhe përpiqen ta fshehin si nga vetja dhe nga të tjerët. Gratë, përgjithësisht, janë më të kujdesshme lidhur me turpin.
Kjo sjellje e ndryshme ndaj turpit, i ka rrënjët në mënyrën si rriten e edukohen djemtë e vajzat që nga fëmijëria. Le të kujtojmë çfarë na thoshin të rriturit kur ishim fëmijë. Djemtë gjithmonë janë vlerësuar më shumë se vajzat dhe shumica e meshkujve rriten duke ndjerë se kanë trashëguar diçka më të mirë. Femrat rriten duke ndjerë se trashëgimisht janë më poshtë. Kjo është fenomen që vihet re kudo, por në disa shoqëri e familje, siç është edhe kjo e jona, ky diferencim është shumë i theksuar. Në kushtet e familjeve të varfëra dhe me edukim të ulët kjo diferencë bëhet edhe më e madhe. Është kjo arsyeja që djemtë më të dhunshëm vinë nga familje të paedukuara dhe që jetojnë në varfëri. Ky diferencim në trajtim, bën që burrat të veprojnë si superiorë dhe t’i vlerësojnë gratë më poshtë nga vetja. Ata ndjejnë një dëshirë të brendshme për të qenë më mirë se të tjerët. Ata duan që të tjerët t’i duan dhe t’i respektojnë për atë që ata janë. Ata synojnë të arrijnë suksesin e jashtëm. Por këto privilegje nuk mund të sigurohen vazhdimisht dhe ata kurrë nuk ndjehen, plotësisht, të vlefshëm.
Kur dëgjojmë se një burrë ka kryer një krim të veçantë, ne habitemi dhe pyesim “pse ndodhi kjo?” Përgjigjen për këtë pyetje na i jep James Gilligan, M.D., i cili punoi shumë vjet me burrat violentë. Ai arriti tek zemra e problemit kur thotë: “Unë kam parë akte violente serioze, që provokoheshin nga ndjenja e turpit, e poshtërimit, e mosrespektit dhe e përqeshjes, që edhe pse nuk ishin aq të rënda, reaksioni ndaj tyre ishte i ashpër, deri në vrasje”.
Sa raste ka tek ne, kur djem të rinj vriten për një fjalë goje, për një gërvishtje të makinës, për një ndeshje futbolli, për një fjalë thënë një vajze?
Burrat dhe djemtë që e kërkojnë fort respektin e të tjerëve, bëhen lehtësisht violentë dhe të dhunshëm, kur ndjejnë se nuk e kanë më këtë respekt. Të burgosurit me të cilët punoi Gilligan, i kanë thënë arsyen se pse e kanë dëmtuar një person: “kjo ndodhi sepse ai nuk më respektoi mua.” Fjala “mosrespekt” është qendrore në fjalorin, në sistemin moral të vlerave dhe në psiko-dinamikën e këtyre të rinjve violentë kronikë.
Çfarë duhet të bëjnë burrat? Hapi i parë që duhet ndërmarrin është ta pranojnë turpin. Pranimi është më mirë nga refuzimi. Turpi kur qëndron i fshehur në errësirë është kërcënues. Ai është më pak kërcënues kur del në dritën e diellit. Burrat, veçanërisht, burrat violentë, kanë një sekret të fortë lidhur me turpin, ata më mirë vdesin, sesa të pranojnë turpin. Ata ndjehen thellësisht të fyer, kronikisht të poshtëruar, shumë të turpëruar, madje, edhe për çështje që nuk kanë shumë rëndësi. Ata duhet të gjejnë forcë t’i shprehin ndjenjat e tyre për turpin tek një mik i besuar, tek një pjesëtar i familjes ose një doktor. Të gjithë duhet ta dinë, se nuk është mirë që djemtë e burrat të poshtërohen shoqërisht, siç janë shakatë publike pa kripë, portretizimet në media, për të metat dhe rrëzimet e tyre.
Në një anketim të përbashkët për burrat dhe gratë, u kërkua që ata të tregonin se nga çfarë gjëje kanë më shumë frikë. Gratë u përgjigjën se ato tremben më shumë nga përdhunimi dhe vrasja. Burrat u përgjigjën, se ata tremben më shumë kur turpërohen e vihen në lojë.
Po qe se duam të ulim dhunën, duhet të rrisim respektin për çdo qenie humane dhe të fillojmë, së pari, të respektojmë ata që i kemi më afër, bashkëshortët, fëmijët dhe veten tonë.
Dr. Adem Harxhi – DITA

Burrat ndihen vetem…. eshte rregulli qe vete baza morale ku eshte ngritur i gjithe sistemi shoqeror(familja) imponon. Kur nje mashkull, per nga natyra dhe edukimi, e ka te veshtire te gjeje nje tjeter person te seksit femer, me te cilin te ndaje mendimet dhe ndjenjat e tij te verteta(kjo do te quhej tradheti), atehere nuk ka rruge tjeter vetem se te jetoje miqesi te bazuara ne interes ose sherbime me meshkuj te tjere, ose te qendroje vetem. Kjo eshte me te vertete nje kosto e larte qe mashkulli paguan per te pranuar dhe jetuar ne monogami. Respekt