Sipas përkufizimit më të pranuar në botë, një ekonomi konsiderohet në krizë kur dy tremujorë që pasojnë njëri-tjetrin rezultojnë me rritje negative (pra ulje) ekonomike. Mirëpo ky përkufizim vlen për një ekonomi funksionale të tregut. A është e tillë ekonomia jonë? Sigurisht që jo! Jemi ende një ekonomi në tranzicion. Jemi ende ekonomia më e dobët e rajonit, e cila i përket vendit me të ardhurat më të ulëta për frymë. Ndërkohë, nëse e gjykojmë në terma konkretë, ekonomia shqiptare është në krizë. Arsyet për të arritur në këtë konkluzion lidhen me një sërë zhvillimesh negative. Së pari, jemi më të varfrit e rajonit në vitin 2012, sikurse ishim të tillë që nga viti 1991. Meqenëse synojmë integrimin në Bashkimin Europian, e kemi të detyrueshëm sjelljen në nivelin ekonomik të BE-së, dhe meqë e nisëm këtë garë ekonomike të fundit, duhet të vrapojmë me ritme më të shpejta se të tjerët, në mënyrë që t’u afrohemi disi. Këtë nuk e kemi bërë gjatë viteve të fundit. Situata e ritmeve të shpejta të rritjes ekonomike ndryshoi kryekeput në vitin 2009. Përgjysmuam rritjen ekonomike dhe arritëm në vitet në vijim të kemi ritme nën mesataren e rritjes ekonomike të vendeve të rajonit. Pra, kemi qenë, jemi, dhe së fundmi mësuam që do të vazhdojmë të jemi qytetarët me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon. Nga ana tjetër, jemi vendi me nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon. Edhe ky tregues përkeqësohet ndjeshëm pas vitit 2009, ku shifrat flasin për një nivel borxhi publik sa dy buxhete vjetore e gjysmë të Shtetit. Këtu nuk janë llogaritur investimet e kryera, por ende të papaguara publike, apo detyrimet e tjera të prapambetura që ka krijuar qeveria jonë pa marrë borxh mirëfilli, sidomos ndaj kompanive shqiptare të biznesit. Që nga viti 2010, qeveria korrigjon planifikimin e gabuar buxhetor të sajin në mënyrë periodike, duke na treguar qartë një prej simptomave faktike të krizës ekonomike, e cila nuk i mundëson mbledhjen e të ardhurave. Së treti, edhe pse ritmet e rritjes ekonomike ende nuk kanë rënë nën zero, ato janë gjithsesi shumë të dobëta. Në një ekonomi ku mirëqenia shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, pra ku një pjesë e vogël e shoqërisë pasurohet vrullshëm në kurriz të pjesës tjetër, por dërrmuese të popullsisë, rritjet ekonomike me shifra të vogla tregojnë rënie të mirëqenies për shumicën. Pra, ndonëse deklarohet formalisht rritje ekonomike vjetore prej 1, 2 apo 3 për qind, kjo do të thotë që prej kësaj rritjeje përfiton një segment shumë i ngushtë i shoqërisë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve ndodhen de facto në situatë recesioni, rënie ekonomike. Së fundmi, janë një sërë treguesish ekonomikë të përkeqësuar në tërësi gjatë viteve të fundit. Rënia drastike e konsumit, rënia e investimeve publike dhe private, rënia e rritjes së eksporteve dhe përkeqësimi i bilancit tregtar, rënia e indeksit të shitjeve me pakicë, rënia e indeksit te çmimeve të konsumit, rënia e remitancave (dërgesave nga emigrantët), rritja e perceptimit të riskut për Shqipërinë në tregjet globale, ulja e vlerës së eurobondit shqiptar, si dhe përkeqësim i të tëra parashikimeve mbi ekonominë vendase nga FMN, Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim e institucione të tjera prestigjoze. Simptomat tregojnë qartë për një kapllim, mbërthim të ekonomisë shqiptare në darën e krizës. Ndonëse është tentuar të fshihet apo shtyhet efekti i kësaj krize, nëpërmjet marrjes së borxheve, treguesit fiskalë flasin qartë për një përkeqësim të të gjithë treguesve ekonomikë. Kur të publikohen shifrat e punësimit për këtë periudhë, do të vërejmë edhe rënie të numrit të të punësuarve në vend. Nga ana tjetër, borxhi publik është në një nivel që nga shumë organizma ndërkombëtare është konsideruar si problem që meriton të ndiqet nga afër. Vendi ynë, sipas Bankës Botërore, ka një mesatare borxhi publik që është më e larta në rajon. Shkaqet e kësaj gjendjeje të borxhit janë shumëplanëshe. Së pari, ishte goditja nga kriza në një vit të rëndësishëm elektoral. Viti 2008 tregoi shenja të qarta mosekuilibri fiskal dhe u mbyll me një defiçit prej 5,1 për qind të Produktit të Brendshem Bruto, nga 3 që ishte synuar. Niveli i borxhit në vitin 2007 ishte prej 53,8 përqind e Produktit të Brendshëm Bruto dhe kishte ardhur duke u ulur gradualisht prej disa vitesh. Kjo tendencë ndryshoi që prej vitit 2008 dhe në vitin 2012 kapi nivelin kritik mbi 60 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto. Por viti 2008 përkon dhe me vitin e parë fiskal të zbatimit të reformës së taksës së sheshtë. Kjo paraqitej një ndërhyrje shumë e diskutueshme. Ishte zbatuar së fundmi në disa ekonomi të ish bllokut të lindjes së Evropës, të cilat ofronin karakteristika specifike. Kjo ndërhyrje i shfaqi që në fillim simptomat negative në mbledhjen e të ardhurave, duke mbyllur vitin financiar 2008 me defiçit fiskal të lartë dhe e bëri të detyrueshme rritjen e borxhit publik, sepse duheshin prerë shirita në vitin zgjedhor 2009. Së treti, në rritjen e borxhit publik, apo thënë ndryshe, në thyerjen e tendencës së uljes së borxhit në vitet e para 2007-tës, ka ndikuar edhe mungesa e të ardhurave nga privatizimet, të cilat, në rastet paraprirëse përdoreshin kryesisht për uljen e borxhit. Së fundmi, në janar të vitit 2009, qeveria shqiptare vendos të mos rifirmosë marrëveshjen me FMN-në duke deklaruar se jemi pjekur profesionalisht sa të mund të administrojmë mirë financat tona publike. Në fakt, të tëra buxhetet që ka hartuar Ministria e Financave që prej kësaj dite, kanë qenë të pasakta dhe janë ridërguar në Parlament në mes të viteve fiskale, për t’u korrigjuar me ulje, duke dhënë imazhin e një menaxhimi financiar konfuz.