Pse nuk po martohemi?!

redaktor

Entela Resuli – DITA

Të rinjtë në vendin tonë duket se po zgjedhin të martohen gjithmonë e më vonë në moshë. Ky numër nuk është aq i lartë sa ata që zgjedhin martesën e hershme, por është mjaftueshëm sa për ta konsideruar një fenomen shoqëror.

Një vajzë që i ka kaluar 25 vjeçe beqare, përpara 15 viteve ishte një “vajzë e mbetur në derë”, ndërsa sot diçka ka ndryshuar në këtë drejtim.

Sipas Institutit të Statistikave, mosha mesatare e martesës për shqiptarët u rrit në 30.4 vjeç për meshkujt dhe 25.1 vjeç për femrat gjatë vitit 2016, ndërkohë që numri i vajzave të martuara në moshë ka rënë ndjeshëm në krahasim me vitin 2015.

Mosha mesatare e martesës është rritur vazhdimisht që nga viti 1990, kur djemtë martoheshin mesatarisht në 27.3 vjeç, ndërsa vajzat në 23 vjeç.

Po çfarë ka ndodhur! Martesa është parë vazhdimisht si pjesë e listës së detyrave që duhen bërë në jetë, por duket se ky brez është treguar më i guximshëm duke pranuar hapur se njerëzit dashurojnë në forma të ndryshme dhe jo domosdoshmërisht duhet të shkojnë përballë gjendjes civile për të firmosur në një copë letër “dashurinë e përjetshme”.

A ka kuptim kjo? Për shumë që zgjedhin ta bëjnë këtë sigurisht që po. Për të tjerë është thjeshtë një procedurë e pavlerë.

E në fund të fundit një gjë është më e rëndësishme në këtë çështje dhe ajo është dashuria. Dashuroni si të doni, por mjafton të dashuroni!

Rritjen e moshës së martesës e kemi diskutuar me një psikologe klinike. Ajo është Sonila Meçaj dhe punon si psikoterapiste. Meçaj ka ndarë në këtë intervistë në Dita mendimin se çfarë po ndodh me martesat në vendin dhe si e sheh ajo këtë fenomen…

– Sonila, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT të rinjtë në Shqipëri po martohen gjithmonë e më vonë, çfarë ka ndodhur, nga se ka ardhur ky ndryshim?

Për të qenë të saktë do të duhej një studim i mirë dhe gjithëpërfshirës i faktorëve që kanë kontribuar në këtë rënie të numrit të martesave. Por nga ana tjetër, besoj se të gjithë janë të vetëdijshëm për numrin e madh të ndryshimeve ekonomike, sociale dhe kulturore që kanë ndodhur gjatë afër 3 dekadave të fundit që pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri. Në një këndvështrim të përgjithshëm është shumë e natyrshme që shoqëria të dojë të reagojë kundër martesës, e cila ishte pjesë e listës së detyrave që duhet të kryeje në një jetë që ishte sa e jotja, aq edhe të tjerëve. Vërtet të rinjtë e sotëm nuk e njohin këtë qasje kolektive dhe të detyruar ndaj martesës, por ajo mbetet e pranishme tek prindërit e tyre, tek presioni i dukshëm dhe i padukshëm që ata ushtrojnë, për të mos thënë që në rajone të caktuara të vendit nuk është dhe kaq e dalë jashtë mode, përkundrazi aplikohet si pjesë e detyrave prindërore gjetja dhe sistemi i fëmijëve me martesë.

Faktorët mund të jenë të ndryshëm. Njëri prej tyre mund të jetë liria më e madhe në përgjithësi dhe e jetës seksuale në veçanti që të rinjtë kanë në ditët e sotme. Për aq kohë sa përfitimet e jetës në çift mund të merren edhe në kushtet e një jete të pavarur, jo të lidhur me martesë, nuk ka një shtysë natyrale për t’u martuar. Është nevoja ose dëshira për të sjellë fëmijë në jetë ajo që shtyn një pjesë të mirë të të rinjve të konsiderojnë martesën.

Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për vitet e fundit ka një dëshirë të shtuar për t’u larguar nga vendi, për të kërkuar një alternativë tjetër më të mirë dhe të sigurt jetese, gjë që bie në kundërshtim me dëshirën për të krijuar diçka të rëndësishme dhe me rrënjë siç është familja.

Në kuadër të lirisë së shtuar, të rinjtë ndihen më të pavarur e për pasojë kanë më shumë nevojë të sigurojnë mbijetesën në një shoqëri kaq dinamike, në ndryshim të vazhdueshëm, dhe mbi të gjitha të pasigurt. Kjo bën që në një shumicë rastesh të rinjtë të jenë të fokusuar te zhvillimi në karrierë, sigurimi i një stabiliteti financiar, gjë që kërkon energji dhe kohë jo të pakët, duke e shtyrë për një kohë më të vonë krijimin e familjes.

– Është frikë nga marrja e përgjegjësisë apo ka diçka tjetër?

Padyshim që liria do të thotë përgjegjësi dhe përgjegjësia zakonisht sjell frikë e ankth. Për pasojë, gjithmonë e më tepër të rinjtë e sotëm kanë një raport më të vërtetë dhe të drejtpërdrejtë me përgjegjësitë, ndihen më shumë autorë të jetës së tyre, kanë më shumë mundësi t’i shohin veprimet e tyre si zgjedhje dhe jo si detyrim.

Në momentin që martesa shihet si një zgjedhje pa dyshim që frika nga përgjegjësitë ndihet më e fortë. Krahas kësaj, martesa nuk shihet më si një kult i shenjtë, ku gjithçka rrjedh e lehtë e bukur, përkundrazi ajo shihet si kërcënuese e lirisë individuale. Ajo është një marrëveshje serioze dhe afatgjatë mes nevojës për të krijuar familjen tënde, grupin tënd të vogël të përkatësisë dhe kufizimit të lirisë të të jetuarit si individ më vete. Si e tillë, ajo nuk është vetëm hapja e një mundësie për një jetë të re, por edhe heqja dorë nga shumë mundësi të tjera, pra është një ndërmarrje jo e lehtë në kuptimin ekzistencial individual.

– Por në fakt ky nuk është një fenomen që po ndodh vetëm në Shqipëri?

Sepse nuk është vetëm në Shqipëri që është rritur niveli i individualizmit, i tipareve narcisistike të njeriut të kohëve të sotme, i dëshirës për të kundërshtuar dhe rebeluar ndaj grupit shoqëror të cilit i përket dhe me të cilin, pavarësisht nëse është shoqëri lindore, perëndimore apo aziatike, ka kaq shumë fenomene negative, me të cilat është e vështirë të konformosh. Mbi të gjitha sepse martesa lidhet gjithnjë e më shumë me fenomenin e divorcit, me fëmijë me probleme pasi janë rritur në familje me probleme. A nuk është më e drejtë që një i ri i rritur të dijë dhe të dojë të jetë më i përgjegjshëm përpara një zgjedhjeje të tillë?

Gjithashtu sa më e vështirë dhe e egër bëhet jeta që jetojmë, sa më i rrezikuar planeti dhe njerëzimi nga sëmundshmëritë, nga pasiguria e jetës, aq më shumë humbet misioni i martesës, i cili në thelb është të riprodhojë qenien njerëzore në kushte sa më të rregulluara dhe normuara shoqërisht e ligjërisht. Në këndvështrimin tim, reagimi i pavetëdijshëm i të riut të kohëve që jetojmë ndaj martesës dhe krijimit të familjes është pikërisht i lidhur me pasigurinë për të sjellë në këtë jetë riprodhimin e vetes. Mendimi që mbizotëron kudo është “ky nuk është vendi që unë dua, kjo nuk është bota që ne duam”.

– Po bashkëjetesa është një zgjidhje apo është e njëjta gjë?

Secili e përcakton dhe e ndien vetë se çfarë është një zgjedhje e mirë apo e keqe. Në këndvështrimin e problemeve psikologjike që lidhen me marrëdhëniet është pak e rëndësishme nëse njerëzit janë të martuar apo bashkëjetojnë. Ndarja është gjithmonë ndarje që shoqërohet me pasojat e veta, ashtu si problemet relacionale që shfaqen dhe shqetësojnë një marrëdhënie janë po ato pavarësisht formës që një çift zgjedh ta ndërtojë marrëdhënien.

– Çfarë pasojash sjell kjo frika nga krijimi i familjes?

Nuk mendoj që frika nga krijimi i familjes ka pasoja të caktuara, por mendoj që kjo frikë është pasojë në vetvete e shumë presioneve që përjeton individi nga shoqëria. Në më të paktën mund të thuhet që duke patur frikë ose rezistencë për të krijuar familje, disa të rinj e gjejnë të përshtatshme të mos përfshihen në marrëdhënie në çift ose të krijojnë vetëm marrëdhënie të shkurtra apo sipërfaqësore, gjë që mund të mos përkojë me nevojat e tyre të vërteta.

– Sa ndikon gjendja ekonomike?

Si në çdo fushë tjetër besoj se ka rolin e saj të rëndësishëm.

– Ju jeni psikologe dhe mund të na jepni një këshillë, në këto kushte pasigurie, të rinjtë a duhet të kenë drojë të krijojnë familje?

Psikologjia gjithmonë i orienton njerëzit jo drejt frikës dhe drojës, por drejt të jetuarit të një jete sa më autentike, duke përfshirë këtu edhe njohjen dhe përballjen me frikëra të ndryshme. Është shumë e rëndësishme që individi të bëjë një jetë që bazohet në zgjedhje sa më të lira, por kjo nuk e shpëton atë nga pakënaqësitë, problemet, mosrealizimet e ëndrrave, të cilat janë po aq pjesë e jetës. Ajo që unë vlerësoj shumë të rëndësishme është që të rinjtë të mos kufizohen të hyjnë në marrëdhënie dhe të jetojnë marrëdhëniet në çift, pavarësisht nëse janë në gjendjen e duhur ekonomike, financiare, statusin e duhur social, pasi jeta në çift nuk është një performacë, por është plotësim i një prej nevojave bazë të njeriut, ajo për dashuri.

 

Grafik mosha e martesës

Sipas INSTAT hendeku mes moshës mesatare të djemve dhe vajzave u zvogëlua lehtë në vitin 2016 në 5.3 vjet ndërsa pati shënuar kulmin në vitin 2009, kur dhëndurët ishin mesatarisht 6 vjet më të mëdhenj se sa nuset. Në vitin 2016 u regjistruan 22,562 martesa, nga të cilat, rreth 3300 martesa i kishin nuset më pak se 19 vjeç ndërsa 179 martesa i kishin nuset më shumë se 50 vjeç. Numri i martesave në moshë të re ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Në vitin 2007 p.sh, 29 për qind e vajzave të martuara ishin më pak se 19 vjeç ndërsa në vitin 2016 nën 18 vjeç qenë vetëm 15 për qind e vajzave. Shqipëria nuk e lejon martesën nën 18 vjeç me përjashtim të rasteve të rralla, kur leja për martesë jepet nga gjykatat për shkaqe të tilla si shtatzënia në moshë të re. Nga djemtë, pati vetëm 88 raste kur dhëndri qe nën 19 vjeç. Pjesa më e madhe e martesave për vajzat kryhen nga mosha 20 deri në 30 vjeç ndërsa për djemtë nga mosha 25 deri në 34 vjeç.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *