Vangjel Hanxhari
Është e vërtetë që këtu tek ne, pushtetarët përpiqen që edhe gjënë më të thjeshtë, ta ndërlikojnë në atë mënyrë sa mos ta kuptojnë shumë njerëz!?
Kjo traditë negative ka shumë ditë që më intrigon për të shkruar rreth formës së fletës së votimit, qysh atë dite kur z. Celibashi ishte ftuar në një studio dhe e tirrte kaq shumë së bashku me disa të ftuar, saqë të dukej sikur Shqipëria do ishte e para në botë që do bënte zgjedhje!?
E vërteta është që unë njihem me z. Celibashi dhe kam konsideratë për formimin e tij si njeri e si jurist.
Por me sa duket nëna parti i ka vënë detyrë ta ndërlikojë problemin në atë mënyrë që njerëzit e zonës gri të mos e kuptojnë nga indiferentizmi që i karakterizon e të mos shkojnë të votojnë për opozitën! Sepse militantët do ta mësojnë dhe do votojnë edhe sikur pa ujë, pa drita, pa punë e pa bukë të jenë!?
Prandaj sorollaten në kërkim të një modeli sa më të vështirë, jo me 1500 emra, jo me 1500 numra, jo po modelin kroat, jo po atë holandez, etj.,etj. A thua se vetëm atje votohet se atje qenka shpikur demokracia?!
Ndërkohë që gjithë bota e di se demokracia ka lindur në fqinjën tonë, Greqinë ! Ashtu siç mësoi gjithë bota se Kosova po bën zgjedhje demokratike!
Nuk na mjaftojnë këta dy shembuj neve?!
Unë po ju marr shembullin e Greqisë meqë si mijra shqiptarë me shtetësi greke, edhe unë votoj në Greqi.
Dhe ndonëse nuk kisha dijeni sesi votohej para 10 vitesh, me dy fjalë e kuptova kur votova për herë të parë në moshën 55 vjeçare!
Dhe që të mos zgjatem po ua them se si.
Atje votohet me sistem proporcional e me lista të hapura, ku secili votues mund të votojë deri në 3 kandidatë.
Nuk ka një fletë votimi “turli”, siç duan ta bëjnë këtu, por ka aq fletë votimi sa ka parti apo koalicione dhe një fletë për të pavarurit e renditur me rend alfabetik të mbiemrit.
Pra, çdo parti apo koalicion ka fletë të veçante me listën e kandidatëve, me siglën në krye të fletës.
Votuesit i jepen të gjitha fletët e votimit dhe një zarf, shkon në dhomën e fshehte, mban vetëm fletën e votimit që preferon dhe të tjerat i hedh te koshi brenda dhomës së fshehtë, shenjon me kryq ose plus tre emra që dëshiron dhe fletën e palosur e fut në zarf, të cilin e hedh te kutia e votimit!
Meqënëse ligji e përcakton se një e treta e deputetëve duhet të jenë zonja, mund të zgjidhet që këtu problemi, pa patur nevoje për makinacione, ku të paktën një nga tre votat ti jepet një zonje, përndryshe fleta e votimit të quhet e pavlefshme!
Dhe numërimi do jetë shumë i thjeshtë, me një kalim të fletëve numërohet vota e partisë apo koalicionit dhe tre kandidatëve.
Prandaj Greqia i shpall rezultatet brenda dy orëve dhe të nesërmen krijohet qeveria, të martën votohet në Parlament e të mërkurën fillon punë!
Kurse te ne dalin rezultatet pas një muaji dhe qeveria fillon pune pas gjashtë muajsh! Një skandal më vete!
Por, për ta përmbyllur i kërkoj mikut tim Ilirjan Celibashi, të bëjë diçka për të kujtuar ato vite të para të pluralizmit, ku kishim aq shume ëndrra për demokracinë edhe këtu në Fier,
Dhe ëndrra kryesore ka qenë votimi i drejtë, i fshehtë, por edhe i thjeshtë për çdo njeri, pavarësisht se sa i shkolluar apo militant është.
Interesi i shoqërisë është që të votojnë sa më shumë njerëz, që fituesit të jenë përfaqesues të vërtetë!
E di që te ne ka shumë komplekse për Greqinë, por harrojmë qe atje ka lindur Demokracia, ai shtet është 200 vjeçar dhe në të gjitha arritjet atje kane dhënë dhe japin kontribut edhe shumë arvanitas dhe shqiptarë.
Nqs Demokracia do kish lindur në Kroaci apo Holandë, le te merrnim sistemin
e tyre, nuk kam komplekse, por më parë le të mësojmë nga vendlindja e Demokracisë, Greqia, dhe nga vëllezerit tanë të Kosovës, shtetit më të ri në botë, që votimet u bënë demokratike dhe rezultatet dolën shumë shpejt!
Nqs duam vërtet që të rrisim nja dy standarde, besoj se e kuptojnë të gjithë se sa e thjeshtë është kjo mënyrë votimi dhe jo ato “turlitë”që duan ca burokratë, karrierista apo militantë të sëmurë pas pushtetit!
