Pse politika italiane është që tani jashtë Evropës

anazapta

Italia është i vetmi shtet i madh ku formacionet kryesore politike kanë një raport të ndërlikuar, madje asgjë të përbashkët me familjet politike evropiane

Italia ka dalë tashmë jashtë Evropës: një pohim që mund të duket paradoksal por që e përshkruan mirë përfundimin e mundshëm të zgjedhje të ardhshme evropiane në këtë vend. Në këtë moment tri partitë kryesore: Partia Demokratike, Lëvizja 5 yjet dhe Forza Italia nuk zënë vend në ndonjë grup të Parlamentit Evropian.

Jashtë Evrope

Zgjedhjet e ardhshme evropiane lajmërohen si një referendum mbi monedhën unike dhe mbi vetë natyrën e Bashkimit Evropian. Në Kontinentin e Vjetër kriza e euros e shtyn shumë fort erën e protestës kundër Brukselit, aq sa në këtë moment në vende të ndryshme themeluese si Franca apo Holanda, në krye të sondazheve renditen formacione si Fronti Kombëtar i Le Pen apo Partia Liberale e Widers, që kanë në ADN luftën kundër “përbindëshit euro”. Forcat populiste dëshirojnë të krijojnë një aleancë të partive nacionaliste euroskeptike, për të ndaluar politikat e shpëtimit të monedhës së vetme. Në këtë kontekst do të jetë vendimtare përgjigja e partive të tjera evropiane.

Në këtë kuadër aleancash politike që do vendosin për të ardhmen e unionit, Italia luan një rol pak a shumë margjinal. Partitë politike më të rëndësishme të këtij vendi kanë një raport të papërcaktuar me vetë grupet e Parlamentit Evropian. Edhe më e strukturuara Partia Demokratike, që tani do të drejtohet nga Matteo Renzi, ka një raport shumë të ndërlikuar me atë çfarë ndodh jashtë Italisë, për të mos përmendur këtu Forca Italia-n e Berlusconi-t, apo Lëvizjen 5 Yjet e Beppe Grillos.

Partitë kryesore evropiane

Neni 10, paragrafi 4 i Traktatit të BE-së pohon se “partitë politike në nivel evropian kontribuojnë në formimin e ndërgjegjes politike evropiane dhe në shprehjen e vullnetit të qytetarëve të unionit”. Në Parlamentin Evropian janë tri grupe të mëdha politike. E para është Partia Popullore Evropiane, në të cilën është anëtar presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy dhe ai i Komisionit Evropian, portugezi Hose Manuel Barroso. Drejtuesja de facto e kësaj partie është kancelarja gjermane Angela Merkel.

PPE në Evropë përfaqëson qendrën e djathtë, ndërsa qendrën e majtë Partia Socialiste Evropiane (PSE), grup parlamentar në të cilin aderon vetë drejtuesi i Parlamentit Evropian, Martin Schulz dhe ministrja e Jashtme e BE-së, britanikja Catherine Ashton. Pas këtyre dy grupimeve kryesore renditen liberalët e Aleancës Liberal Demokrate për Evropën (ALDE). Pjesa më e madhe partive të shteteve evropiane që janë pjesë e partisë së liberalëve dhe demokratëve në PE janë të qendrës së djathtë. Gjithashtu ekzistojnë edhe parti të tjera evropiane me më pak ndikim.

Italia  mungon

Tërmeti i zhvillimeve të fundit politike në Itali me afirmimin e Lëvizjes 5 Yjet dhe rilindjen e Forca Italia-s, vuri në dukje mungesën e këtij shteti në lojën e politikës evropiane. Brenda tri partive të mëdha evropiane PPE, PSE dhe ALDE, nuk janë të pranishme asnjë nga formacionet italiane. Në PD kanë lindur debate nëse do të aderojë në qendrën e majtë evropiane, por disa eksponentë të partisë kanë shfaqur kundërshtime të ashpra kundër kësaj hipoteze.

Forca Italia ka pasur probleme të ngjashme nga viti 1999 deri më tani për aderimin në PPE. Prefernca e hapur e qendrës së djathtë evropiane për ish-kryeministrin italian Mario Monti dhe shpërbërja e PDL-së, po e shtyjnë Silvio Berlusconi-n të gjejë një tjetër koalicion europarlamentar për Forza Italia-n e re. Edhe më konfuze dhe problematike duket një zgjidhje e tillë për Lëvizjen 5 Yjet, e cila në Evropë nuk ka praktikisht asnjë referim.

Kriza e përjetuar në sistemin politik italian gjatë viteve të fundit, e nisur me rënien e qeverisë Berlusconi dhe e vijuar me tripolarizimin e krijuar në zgjedhjet e 24 shkurtit 2013, ndiqet me largimin e Italisë nga politika evropiane, e filluar që me kolapsin e Republikës së Parë. Tranzicioni i gjatë italian drejt një kuadri më shumë evropian dukej se do të arrihej në vitin 2008, kur PDL dhe PD u përballën si përfaqësuese përkatësisht të PPE-së dhe PSE-së. Dy partitë e mëdha italiane më pas aderuan  në dy grupet e mëdha të Parlamentit Evropian, por mungesa e afrimit të mëtejshëm të  PD-së me socialistët evropianë, ashtu edhe largimi progresiv i PDL-së nga linja e PPE-së e konfirmoi irritimin e sistemit politik në Itali. Në 20 vitet e Republikës II në këtë vend ka munguar një formacion italian i rëndësishëm që t’i referohej ALDE-së, partisë së tretë evropiane për nga rëndësia/D.Gjuzi.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *