Janë të shumta elementët përbërëse dhe mesazhet e fshehta që mund të dallohen në dokumentin zyrtar serb të bisedimeve, ne të ashtuquajturën Platformë politike të Serbisë në bisedime me Kosovën. Në platformën Serbe, ka një referencë të qartë në modelin e Katalonjas në Spanjë e cila mund të zbërthehet në disa rrafshe. Ai simbolik do të vinte i pari. Katalonasit sot e kësaj dite kujtojnë betejën me humbjen e së cilës humbën edhe autonominë e që njihet me emrin Lufta e Trashëgimisë spanjolle (1701–1714) e cila u zhvillua mes disa fuqive evropiane , përfshirë edhe Spanjën e ndarë, nën frikën e një bashkimi të mundshëm ndërmjet Mbretërisë së Spanjës dhe Francë, ndërsa Serbia evokon prej dy shekujsh, që në fillesat e nacionalizmit te saj Betejën e Fushë-Kosovës, 1389. Këto beteja kanë të ngjashme humbjen dhe rënien nën pushtime të huaja.
Së dyti, fjala Katalonja është përmendur 7 herë në tekst. Rajoni Autonom i Katalonjas, i përket një shteti të BE-së, i cili është pozicionuar fuqishëm kundër pavarësisë së Kosovës. Spanja bën pjesë në pesëshen e vendeve që jo vetëm nuk e njoh pavarësinë e Kosovës, por kundërshton me forcë çfarëdo iniciative të BE-së për të folur me një zë për Kosovën. Dhe Akademia Serbe e di mirë këtë prandaj ka përzgjedhur një model nga ky vend. Duke marrë këtë shembull për qeverisjen autonome, kërkohet të ndërtohet një aleancë diplomatike me këtë vend, sado flirtuese të jetë, në mënyrë që Spanja edhe më tej të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, por të betonojë qëndrimin e saj kundër.
Ta zëmë, Akademia serbe nuk ka zgjedhur Skocinë si model, e cila do të ketë një referendum për pavarësi në vitin 2014. Ky shtet ka institucionet e veta, përfshirë parlamentin dhe qeverinë. Është vetëm politika e jashtme, ajo e sigurisë dhe taksat të cilat ndahen nga parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar. Skocia dhe Britania janë përkrahëse të fuqishme të pavarësisë së Kosovës, kështu që kjo kurrsesi nuk është në interes të Serbisë. Pra përzgjedhja e Akademisë serbe nuk është thjesht punë kompetencash por tentativë për të ndërtuar aleanca me kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.
Së treti, Katalonja është përzgjedhur edhe për një arsye tjetër: t’i dërgohet Spanjës, në mënyrë të kamufluar një kërkesë për mbështetje në lidhje me autonominë territoriale të kërkuar. Ashtu sikurse Spanja ka ofruar autonomi të gjerë për rajonet autonome , të cilat janë disa, mes tyre dhe Katalonja. Pra përzgjedhja e këtij modeli është një ftesë e qartë për Spanjën, që të vijë në një pozicion apo qëndrim, i cili nuk do ta shihte si diçka të papranueshme autonominë e komunave në Veri të Kosovës, përkundrazi. Vetëm pavarësia është e papranueshme për Spanjën, kur është fjala për Katalonjan dhe Baskët. Duke e ditur këtë, në platformën serbe, është hequr dorë nga kërkesa për ndarjen e pjesës veriore, (edhe pse ne e dimë se ky është qëllimi final i shtetit Serb).
Së katërti, Katalonja kohët e fundit është përfshirë nga disa protesta për pavarësi nga Spanja, edhe pse referendumet për këtë çështje në dekadat e fundit nuk janë ndalur asnjëherë. Vetë protestat përcjellin mesazhin e pakënaqësisë me nivelin e autonomisë. Serbia përcjell mesazhin se ajo çfarë ofron Plani i Ahtisaarit për komunat në pjesën veriore të Kosovës, por edhe komuna të tjera ku jetojnë serbë, është shumë larg një niveli të autonomisë siç e ka Kalalonja. Nënteksti është se autonomia territoriale e kërkuar në Platformë duhet të shihet si një lloj kompromisi mes dëshirës së banorëve për t’iu bashkuar Serbisë dhe refuzimit të tyre për të qëndruar nën autoritetin e Prishtinës.
Se pesti, është qëllimi për të shembur argumentimin e shpalljes së pavarësisë se Kosova është rast Sui Generis. Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është shoqëruar me këtë diskurs të fuqishëm, në mënyrë që të ruhen balancat ndërkombëtare dhe Kosova të mos përdoret si shembull për lëvizjet seperatiste. Serbia nga ana tjetër është përpjekur të ndërtojë diskursin e saj në arenën ndërkombëtare, dhe jo pa sukses, diskursin e precedentit. Edhe kjo Platformë, duke kërkuar që në Kosovë të aplikohet modeli i marrë diku tjetër, është një tentativë e sofistikuar për të ndërtuar precedentin. Aplikimi i modeleve të ngjashme të vetëqeverisjes, për veriun, de facto rrëzon diskursin tonë dhe të partnerëve ndërkombëtare, në lidhje me arsyetimin e shpalljes së pavarësisë. Kjo çon një mesazh dramatik edhe tek vende të ndryshme të botës, ku Kosova po bën përpjekje për të marrë njohjen e tyre. Frika nga precedenti secesionist është shumë i madh në plot shtete , ku kufijtë nuk janë përcaktuar përgjatë vijave etnike apo fetare etj,.
Së gjashti në platformën Serbe janë integruar nene të marra drejtpërdrejt nga Statuti i Autonomisë së Katalonisë, janë marrë pra bruto, pa ndonjë përpunim, pa riformulime. Kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme në mënyrë këto formulime të mos mund të kundërshtohen nga askush. Në të vërtetë në rast se do të pranoheshin kërkesat e serbëve, duhet shkruar një Statut autonomie, I cili do të sfidonte drejtpërdrejt Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në fakt do ta bënte atë të pavlefshme, jo vetëm për pjesën veriore por në të gjithë Kosovën pasi do të shkatërronte modelin unitar të shtetit të Kosovës.
Problemi me këtë Platformë serbe, pra është shumëdimensional. Kërkesa për autonomi, në një territor i cili ka vazhdimësi me shtetin tjetër që ka pretendime territoriale, është i papranueshëm. Asnjë shtet Evropian anëtar i BE-së apo anëtar i Këshillit të Evropës, nuk ka shkuar kaq larg sa të japë autonomi territoriale në emër të mbrojtjes apo akomodimit të minoriteteve . Rasti i Katalonjas, është i ndryshëm. Ata kërkojnë pavarësi nga Spanja, për arsye historike dhe ekonomike (Katalanasit pretendojnë se kontribuojnë më shumë në të ardhura se pjesët e tjera të Spanjës, dhe marrin në kthim më pak, raporti 15 me 14%) në kushtet e mungesë së ambicieve territoriale të ndonjë shteti tjetër.
Arsyet historike gjithashtu janë të pakrahasueshme. Katalonja ka qenë principatë para tre shekujsh, mirëpo kufijtë e saj humbën përgjatë modernizimit të Spanjës, pra zhdukjes së rendit feudal dhe ndërtimit të shtetit modern. Natyrisht ky vend mund të kishte qenë subjekt i parimit të Vetëvendosjes, mirëpo nëse e krahasojmë me pjesën veriore të Kosovës, kemi të bëjmë thjesht me një minoritet të mbledhur artificialisht. Të gjithë jemi dëshmitarë se pjesa veriore e Mitrovicës, ku është e përqendruar pjesa më e madhe e banorëve serbë, sot është me shumicë serbe për shkak të spastrimit etnik që është bërë gjatë ditëve të fundit të luftës me 1999.
Nga ana tjetër, në platformë përmendet spastrimi etnik i serbëve në Kosovë, gjithashtu një fjalë me peshë shumë specifike, një akuzë e drejtpërdrejtë për Shqiptarët, pasi nuk ka pasur ndonjë fushatë të organizuar të spastrimit etnik nga ana e shqiptarëve por largim të popullatës serbe me ushtrinë, si pasojë e frikës për krimet e kryera. Sado që kjo është një tezë e vjetër e viktimizimit serb, e dalë boje, Serbia nuk heq dorë, duke shfrytëzuar kështu edhe një lloj paaftësie të shqiptarëve për të përdorur historinë dhe rrëfyer krimet mbi ta.
Eksluzivitetet e kërkuara për organizmin politik, policinë, taksat, ambientin etj, në Platformë, janë bazë ë mjaftueshme për të ndërtuar një shtet fantazmë dhe problematik, brenda shtetit të Kosovës, me pak fjalë një Republika Srbska. Dhe vijmë këtu tek një tjetër arsye, dhe më kryesorja do të thoja, se pse akademikët serbë përmendin Katalanjan e Spanjës; qëllimi është që të largojnë krejtësisht vëmendjen nga shembulli më i afër e famëkeq, Republika Srbska, një monstrum politik, pjellë e gjenocidit, i cili i ka vënë përjetësisht minat funksionalitetit të shtetit të Bosnjës. Pra Autonomia Territoriale e kërkuar në veri, në emër të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve nuk është tjetër veçse ambicia e Serbisë për të klonuar Republikën Srbska në territorin e Kosovës. Edhe këtë herë nën mentorimin e Akademisë së Shkencave….
*(Autorja është Deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE!)