Pse Skrapari e nderon Spartak Brahon

J L

Një reportazh i vonuar për një trevë të mënjanuar nga koha, por me lavdi të papërsëritshme

Xhevdet Shehu

 

Kisha më shumë se 30 vjet pa qenë në Skrapar, një nga trevat më të mrekullueshme të Shqipërisë. Nuk kisha arsye që të hyja në atë “xhep” që nuk të nxjerr kurrkund. Por mbase këtu qëndron magjia. Sepse janë ca gjëra që të shtyjnë drejt aventurës. Janë ca instinkte që të shfaqen edhe në ëndrra. Është një Tomorr atje, janë ca vise të papërsëritshme, janë ca kanione unikale…. Por mbi të gjitha janë njerëzit. Janë skraparllinjtë e patjetërsueshëm që, po nuk i ke njohur nga afër, të duken të pabesueshëm në identitetin e tyre.

Skrapari ka histori. Kjo është kryesorja.

Nuk e teproj aspak, por e them me bindje se jam një nga ata që skraparlinjtë i çmoj si një nga vlerat më identike dhe më të qenësishme kombëtare.

E një nga këto vende që mua më është shfaqur shpesh edhe në ëndrra është Skrapari, Çorovoda, Helmësi dhe Lirëza e famshme ku u mbajt Kongresi i Parë i Rinisë Antifashiste.

Kam shkuar shpesh në Skrapar para vitit 1990 në përkujtim të ngjarjeve historike që lidhen me atë trevë të lavdishme. Kam shkruar reportazhe me entuziazmin dhe euforinë e një gazetari të ri të asaj kohe. Nuk jam aspak pishman që i kam shkruar ato reportazhe. Ditët e fundit duke shëtitur me miqtë e mi, kujtova Iljaz Kapxhiun një njeri i mirë dhe po aq një shkrimtar i veçantë. Shëtisja mbrëmjeve me Iljazin buzë Osumit, debatonim, grindeshim dhe pastaj shtroheshim te Sorkadhja dhe pajtoheshim…

Kthimi pas 30 vjetësh në atë trevë jo vetëm më emocionoi, por edhe më vuri në mendime. Pse jo edhe të vuaja… Pashë masakrimin e plantacioneve të famshme me fiq dhe pemë frutore të Uznovës dhe të Roshnikut dhe… mu mbushën sytë me lotë…

Në Bogovë bëmë një ndalesë të shkurtër. Bogova e famshme me atë ujin qelibar. Dhe me pyllin përballë. Aty vinte dikur Mehmet Shehu, ish-Kryeminstri dhe gjuante derra të egër. Pasi u vetëvra Mehmeti, me urdhër nga lart u pre pylli! Një krim më vete. Pylli i famshëm ende nuk e ka marrë veten. Por unë e pashë si përtërihej. Do të përtërihet! Nuk ka rrugë tjetër!

***

Para disa ditësh, më 22 janar, duke udhëtuar drejt Çorovodës më brohorisnin në mendje një pafundësi kujtimesh dhe pjesëzash historie.

E vetmja gjë që më kënaqi dhe që më bëri të hyja si në shtëpinë time ishte Skrapari. Ai mu shfaq i njëjtë si para 30 vjetësh. Tomorri, mali madhështor kishte hedhur një kësulë reje qesëndisëse mbi krye dhe mua më dukej sikur më shkelte syrin e më thoshte: Ç’je ti more vagabond që edhe bën sikur më do, edhe më harron për 30 vjet me radhë?…

Më fal, Tomorr!, i thashë në heshtje. Ti je i përjetshëm dhe ke të drejtë. Ne të tjerët jemi të përkohshëm. Lavdi, Tomorri ynë!

Çorovoda ishte po ai qytet që kisha në përfytyrimin tim ku mund të ecja thuajse symbyllazi. Nuk ishte tjetërsuar nga ndërtimet kuturu dhe nuk ishte prishur nga deformimet e përbindshme të pas 90-s. Qendra e qytetit ishte zbukuruar. Riza Cerova në qendër të qytetit me vështrim nga malet, ishte sa epik, aq dhe heroik e poetik.

***

Nejse, sebepi i vajtjes sime në Skrapar këtë radhë ishte Spartak Braho. E bënë Qytetar Nderi të Skraparit. Përmend me respekt në këtë rast kryetarin e Bashkisë, Adriatikun dhe kryetaren e Këshillit bashkiak, Edlirën. Nuk është pak të nderohesh nga ajo krahinë. Sapo përmendet Skrapari, menjëherë të vetëtijnë në mendje figura të tilla emblematike të historisë si kapedanët Lace Backa, Riza Kodheli, Zylyftar Veleshja apo emra të shquar si Riza Cerova, Zylyftar Veleshnja, Kahreman Ylli, Neshat Hysi, i papërsëritshmi Demir Zyko, poeti Xhevahir Spahiu, Dr. Ajli Alushani. Dhe pasi përmenden këta emra, natyrshëm vjen edhe Spartak Braho, politikani dhe njeriu që me fanatizëm ecën në gjurmët e të parëve të tij të ndritur.

Kur isha para një jave në Skrapar dëgjova dhe shijova ca këngë të mrekullueshme të skraparllinjve të sotëm. Nga kënaqësia, shkrova emrat e tyre në bllokun tim. Quhen Sokol Memollari, Ferdinand Dabi… e të tjerë. Kur të shkoj herën tjetër jo vetëm do t’u shënoj emrat të gjithëve, por edhe do të dal në fotografi me ta. Kënduan ata burra edhe për Luftën Antifashiste. Edhe për Enver Hoxhën. Sidomos me atë këngën e Tendës së Qypit më mallëngjyen jashtë mase. “Në Tendën e Qypit, lufta seç u ndez/ Komandant Mehmeti sulm po thërret!…”

***

Gjatë viteve të fundit deputeti Braho u vu me apo pa dashje në epiqendër të një debati publik që herë fashitet e herë rindizet furishëm. Për këtë arsye ai ka patur dhe vijon të ketë një bashkëpunim të ngushtë me gazetën DITA, ku ai ka folur vazhdimisht për këto dy luftëra:

Në rastin e parë në mbrojtje të Luftës Antifashiste dhe dëshmorëve të saj, pasi jo krejt papritur ajo luftë u sulmua dhe anatemua egërsisht në prag dhe gjatë 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pinjollë të ish-bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe nga forca politike që vazhdojnë traditën e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit të rreth tetë dekadave më parë.

“Lufta” e deputetit Braho në këtë rast konsiston se ai e radhiti veten si rrallëkush politikan tjetër aktiv, kundër atyre që sulmojnë luftën dhe dëshmorët e saj. Pavarësisht se shumica e deputetëve, sidomos ata të majtë heshtën duke bërë një kompromis lehtësisht të kuptueshëm për shkak të karrigeve dhe posteve të rëndësishme që mbanin dhe mbajnë, kjo nuk e stepi aspak deputetin Braho ta vazhdonte me heroizëm betejën e tij me apologjetët e Ballit dhe pinjollët e tyre.

Mirëpo ai nuk qe krejt i vetëm në këtë luftë. DITA ishte në krah të tij dhe i la hapësirat e nevojshme për vazhdimin e betejës së tij. Por në krah të Spartakut u vunë edhe plot figura të njohura të jetës publike, historianë, shkrimtarë dhe intelektualë të fushave të ndryshme. Ndër ta përmendim Pëllumb Xhufin, Presidentin Alfred Moisiu, Dr. Sabit Brokajn, Paskal Milon, Xhelal Gjeçovin, Shaqir Vukajn, Arben Dukën, Fatos Tarifën, Moikom Zeqon, Ksenofon Krisafin, Marenglen Kasmin e të tjerë. Kishte dhe ka në krah Organizatën Kombëtare të Veteranëve të LANÇ-it dhe Organizatën e Dëshmorëve të Atdheut që i kanë dhënë Spartakut titullin më të lartë, atë të Nderit të këtyre Organizatave të shquara.

Në rastin e dytë, Spartaku denoncon autorët ende të pandëshkuar të gjëmës së vitit 1997. Sa më shumë vite kalojnë aq më shumë nxin gjëma e atij viti, që me të drejtë është quajtur një vit i i zi, i mbrapshtë si ai 1913. Ai i tregon me gisht autorët dhe shkaktarët e tragjedisë me emër dhe mbiemër, sado influentë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në politikën shqiptare.

Dhe në gjithë diskursin e tij, ku pleksen sa juristi aq edhe deputeti e publicisti, kërkon drejtësi në emër të atyre mijëra viktimave që u vranë nga një politikë e mbrapshtë që e çoi vendin në pragun e një lufte civile në fundin e shekullit XX. Ndërkaq ai shpreh indinjatën për mosndëshkimin e autorëve të asaj tragjedie dhe për më tepër amnistimin e tyre për shkak të një kompromisi të turpshëm politik që u dha atyre shansin që jo vetëm të mbeten në politikë, por edhe të rikthehen në pushtet për të shkaktuar gjëma të tjera mbi këtë popull, sikurse kanë qenë tragjedia e Gërdecit dhe vrasjet në bulevardin para kryeministrisë më 21 janar 2011.

Të akuzuarit kryesorë si shkaktarë të tragjedisë së vitit 1997, të nxitjes së luftës vëllavrasëse të Veriut kundër Jugut, të përdorimit të lëndëve kimike dhe të shfarosjes në masë, morën poste ministrore deri dhe atë të kryeministrit. Dhe tashmë na hiqen jo vetëm si të pafajshëm, por duan të luajnë rolin e shpëtimtarit. Një absurditet sa politik, aq dhe moral! I turpshëm dhe i pafalshëm!

Spartaku i ka denjuar publikisht këta mëkatarë. Dhe unë në këtë rast gjeta arsyen pse Spartak Brahon e nderojnë në Skrapar. Ai është si ata, skraparlinjtë e tij të shtrenjtë. Stoik dhe i patjetërsueshëm. Ndoshta, ndonjëherë do të bëjmë ndonjë muze për reliket e qëndrestarëve të historisë sonë dhe të identitetit tonë kombëtar. Skrapari do të jetë aty. Edhe Spartaku gjithashtu. Në fund të fundit për këtë qëndresë e vlerësojnë në Skrapar.

Share This Article
6 Comments
  • Edhe një herë urime Spartak Brahos, këtij shqiptari të madh! Urime edhe gazetarit Xhevdet Shehu! Shkrime të tilla sikur na shkëputin nga lodhja dhe bezdia e përditshme e botimeve pa vlerë… Lexuesi i kulturuar ka nevojë për të vërtetën dhe për njerëz që luftojnë për të vërtetën, siç bën Spartak Braho. Ai na nderon të gjithëve me mbrojtjen e palëkundur për Luftën Kundërnazifashiste Nacionalçlirimtare, për qëndrimin dinjitoz në Kuvendin e Shqipërisë, për urtësinë dhe dashamirësinë e tejskajshme me të cilat i trajton shokët, miqtë dhe gjithkënd takon. “Pikërisht tipare të tilla që nuk i hasin në mjediset e tyre,- shkruan Bajroni,- e bëjnë të turpërohet çdo europian”.

  • Skrapari eshte dhe ngel nje vend me merita patriotike. Dhe nuk mund ta perlyejne Ilir Meta me te shoqen. Po desha tju them se Skrapari ka nxjerre shume emra te tjere pervec atyre qe ju keni shkruar. Hajri Shehu e nisi me rinine ne kohen e luftes dhe mbas lufte dhe e mbylli me nder Kryetar Gjykate ne Durres ku kerkoi te kishte prane edhe Spartak Brahon. Sepse pervec si bashkepatriot e kisnte edhe si nje ndihme ne te gjitha punet qe gjykata i nxirrte. Me fal po nuk dua te ebidencpj tim Ate po ne Skrapar emri i tij eshte i njohur shume me shume sec mund ta ermend une ketu. Faleminderit

  • Spartakut i uroj shendet e jete te gjate dhe suksese ne punen e tij te ndritur ne te mire te hostorise se krahines se Skraparit.
    Nje pyetje per ty z.Xhevdet: Kur kalove Policanin a i.hodhe nje sy Tomorrit ,a e pe se si eshte sakatosur sikur e kane shqyer egersirat……qe ne fakt ishin egersira dy kembesh, te punesuar nga i neverituri president i Republikes,qe duhej t’i ishin hedhur hekurat per masakren e pashoqe ne monomentin e kultures Tomorrit te famshem.
    Besoj se patjeter e ke pare,ama nuk e preke fare me shkrimin tend te stergjatur.

  • Z. Xhevdet Shehu,
    une qe po te shkruaj jam pinjoll skrapari dhe pikerisht nga mali i Tomorit.
    Me keqardhje me detyrove te te them se je shume i percipte ne kostatimet e tua.
    Mua do me vinte turp te lancoja figuren e dikujt qe ka manipuluar faktet per te cfajtesuar nje hajdut qe vidhte dhe qe me pas vazdoi te vjedhe jo individ por pasurine e popullit.
    Une i njoh madje edhe nga afer personazhet qe ti i mer shemduj krenarie per treven e Skraparit (perjashto personin qe i dedikon kete shkrim) dhe nuk kam verejtje per ndershmerine e tyre por ata nuk perbejne figura te inteligjences te kesaj krahine.
    Ne kete konteks kjo krahine ka shume shembuj te tjere si; kryeredaktori i gazetes “Rilindja Demokratike” ne qeverine e Fan Nolit ka qene nga skrapari i cili ne qeverine e Ahmet Zogut ishte kryetari i Bashkise Korces dhe ne periudhen e socializmit kryetari Komunes (Bashkise) Fierit, Lushnjes, Beratit dhe Skraparit ku mbylli dhe karieren e tij.
    Mbledhesi me i madh i folklorit te shqiperise dhe njekohesisht edhe shkrimtar ka qene gjithashtu nga skrapari.
    Pra keta kane lene vepra sikurse ka edhe shume te tjere qe kane sherbyer ne pozicione te larta shteterore qe per te mos e zgjatur vlejne si shembuj i krenarise se krahines se Skraparit.

  • Balllendrituri qe VETETIN per tere Atddheu jo vetem SKRAPARIN Dite Njemije,
    *Pasuesi Veteran *85 vjecar me te
    Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *