Tejkalimi i të ardhurave nga administrata fiskale, përkatësisht tatimet dhe doganat, në muajt e fundit të vitit të shkuar bënë që qeveria të miratonte një Akt Normativ për rishpërndarje fondesh. Javën që lamë pas Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot Aktin Normativ nr.7, datë 14.12.2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr.119/2012 “Për Buxhetin e vitit 2013”, të ndryshuar”.
Akti kap vlerën e 4.9 miliardë lekëve dhe shkon konkretisht për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës (3 miliardë lekë) dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (1.9 miliardë lekë). Ministria e Financave ka sqaruar pse u bënë këto ndryshime dhe përse ishin pikërisht këto dy dikastere që ju alokua ky fond. Në mesin e muajit dhjetor, të ardhurat e pritshme për 2013-ën krijuan pritshmëri se do të ishin mbi 5 miliardë lekë më shumë se parashikimet e Aktit Normativ të muajit tetor. Në fakt, sot pas mbylljes së vitit, vetëm të ardhurat nga tatim-doganat janë tejkaluar mbi 8 miliardë lekë. Ministria e Financave arriti që në tremujorin e fundit të ndryshonte krejtësisht rrjedhën e mbledhjes së të ardhurave për buxhetin e shtetit, të cilat për 9 muaj të qeverisjes së mëparshme kishin marrë të tatëpjetën.
Kështu, të ardhurat nga tatimet dhe doganat për 9-mujorin e vitit 2013 janë 6.5% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2012; kurse në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2012, të ardhurat nga administrata tatimore për tremujorin e fundit të vitit 2013 janë 6.2% më shumë. Në krahasim me aktin normativ të muajit tetor, të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë 8.7 miliardë lekë më shumë.
Pse këto sektorë?
Hendeku i madh i krijuar midis shumës që shtresat e personave me aftësi të kufizuar dhe në nevojë ekonomike përfitojnë në bazë të ligjit, dhe shumës që vendosej në buxhetin e shtetit për këtë qëllim, u thellua në përmasa të frikshme, sqaron Ministria e Financave. Fakti ishte gjithashtu se buxheti i miratuar nga ish-Qeveria për këtë shtresë mjaftonte për të kryer pagesa të plota vetëm për 8-9 muaj nga 12 muaj që ka viti!
Shto këtu dhe faktin që numri i përfituesve ishte rritur artificialisht, duke fryrë faturën financiare të likuidimit. Kjo solli vonesa të pagesës së ndihmës ekonomike deri në ndërprerjen e saj. Të gjendur përballë kësaj situate si dhe sensibilitetit të lartë të Qeverisë për përmbushjen e plotë të nevojave të kësaj shtrese, Ministria e Financave vendosi që një pjesë e të ardhurave suplementare t’i caktohej Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për të kryer të plotë pagesën e një muaji, me një efekt financiar prej 1.9 miliard lekë. Kjo pagesë u lehtësoi sadopak barrën e rëndë ekonomike kësaj shtrese, si dhe krijoi kushte më të mira për Qeverinë që, pagesat e mbetura të pashlyera, të mund të paguhen sa më shpejt që të jetë e mundur në vitin 2014. Por përtej kësaj mundnësie, relacioni sqaron se Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë duhet të vazhdojë të identifikojë të gjithë personat që kanë përfituar padrejtësisht dhe sidomos për të gjithë punonjësit e strukturave shtetërore që kanë qenë palë në këtë proces mashtrimi e vjedhjeje ndaj shtetit, duke i vënë para drejtësisë. Po kështu duhet të rishikohet i tërë kuadri ligjor e nënligjor i skemës së përfitimit të paaftësisë, në mënyrë që, nga njëra anë, të mbyllen një herë e përgjithmonë shtigjet e abuzivitetit dhe nga ana tjetër, të mundësohet një jetesë dinjitoze e kësaj shtrese duke e bërë atë njëkohësisht edhe pjesë aktive të shoqërisë shqiptare. Sektori i dytë janë rrugët. Niveli i faturave të papaguara për punimet e kryera nga firmat private në projektet e infrastrukturës rrugore deri në 31 Gusht 2013, i certifikuar nga firma audituese “Deloitte”, arriti në 24.6 miliardë lekë. Një shifër e konsiderueshme dhe tepër shqetësuese, pasi kjo vlerë e lartë e borxhit që Qeveria i detyrohet këtyre firmave ka sjellë një sërë implikimesh:
Ka ulur dukshëm seriozitetin e shtetit në marrëdhëniet konktraktuale që ka me sektorin privat, duke ulur kësisoj nivelin e besueshmërisë së tij për angazhime të kësaj natyre në të ardhmen. Ndërprerjen e punimeve në projektet infrastrukturore, duke rrezikuar të degradohen në mënyrë të konsiderueshme, nëse nuk përfundohet investimi. Po kështu ndikon dhe në rritje të papunësisë duke krijuar, njëkohësisht, edhe pagesa të prapambetura të pagave për forcën punëtore të angazhuar në këto projekte. Sa i takon firmave private, gjendja e tyre financiare po vështirësohej deri në falimentim.
Të gjendur përballë kësaj situate me këto implikime thellësisht negative për ekonominë e vendit, Ministria e Financave e ka gjykuar si të domosdoshme shlyerjen e një pjese të kësaj fature (3 miliardë lekë), e cila, fillimisht, dha një sinjal të qartë tek biznesi privat se Qeveria e ka seriozisht angazhimin e saj për të shlyer 100% dhe sa më shpejt detyrimet e saj kontraktuale, duke synuar, njëkohësisht, dhënien e një impulsi të mëtejshëm rritjes ekonomike përgjatë vitit 2014 e në vijim.
