Kriza ka përçudnuar zakonet konsumuese të shqiptarëve, duke ua ndryshuar sjelljen konsumatore. Shifrat më të fundit të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë dëshmojnë se shpenzimet për blerjen e ushqimeve janë rritur ndjeshëm dhe kanë rënë po aq ndjeshem shpenzimet për blerjen e mallrave dhe shërbimeve të tjera me afate më të gjata konsumi (rroba, elektroshtëpiake, etj.). Banka qendrore e pohoi këtë fakt në vlerësimin e fundit që i bëri ekonomisë në katërmujorin e parë të 2013-ës, kur deklaroi se ecuria e inflacionit në 90 për qind mbizotërohet nga ushqimet. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, ndërsa inflacioni mesatar gjatë muajit prill 2013 ka qenë 2.5 për qind, çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur me 5.8 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Banka e Shqipërisë shpjegon se inflacioni i artikujve ushqimorë është balancuar nga ulja e inflacionit të mallrave të konsumit jo-ushqimor. Dhe dihet që çmimet bien atëhere kur nuk ka kërkesë për to. Kriza ekonomike po ndikon fort në sjelljen e shqiptarëve për të shpenzuar. Edhe ata që dikur kishin mundësi të harxhonin, sot kanë ulur kuotat për mallrat e jo-ushqimore dhe po mjaftohen me blerjen e mallrave dhe shërbimeve të domosdoshme. Gjithcka është në krizë, konsumi, investimet publike dhe private, kreditë e këqija të rritura, mungesa e parave në duart e njerëzve. Kriza ka rritur frikën, pasigurinë për të ardhmen. Këto ndjenja të konsumatorëve të zakonshëm në treg dhe jashtë tij i pohojnë disa faktorë; rritja e kursimeve në banka dhe nga ana tjetër, rënia e ndjeshme, shumë e dukshme e kërkesës për të blerë shtëpi, prona, pajisje shtëpiake, etj. Në kushtet e një pasigurie për të ardhmen dhe sidomos për vendin e punës, shqiptarët nuk po kryejnë disa lloj shpenzimesh që kishin zakon t’i kryenin më parë. Gjë që dëshmon se niveli i jetesës në tërësi ka rënë. Kjo sjellje ka ndikuar në rënien e konsumit në tërësi e për pasojë në vlerat e çmimeve të disa artikujve. Ky vit ka nisur me rënie të çmimeve për mobiliet dhe pajisjet shtëpiake dhe të pasurive të paluajtshme, të cilat, të ndikuara nga psikologjia e krizës, nga mosblerjet masive, nga frenimi i investimeve shtepiake, janë shtyrë për t’u kryer më vonë. Pagat mesatare në privat janë tkurrur me të paktën 8 për qind në katër muajt e parë të këtij viti. Firmat po gjejnë gjithnjë e më shumë vështirësi të paguajnë punëtorët dhe madje, edhe t’i mbajnë ata në punë. Shqiptarët po e mbajnë dorën jo vetëm te shpenzimet për shërbime, por edhe te mallrat, ku futen ushqimet. Ngadalësimi i konsumit privat dëshmohet edhe nga zvogëlimi i të ardhurave prej Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) , i cili në tre muajt e parë të këtij viti ra me 11 përqind, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. Prirja rënëse e të ardhurave nga tatimi i të ardhurave personale sinjalizon për rënie të mëtejshme të pagës edhe gjatë gjithë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Burimet e tjera të financimit, kredia konsumatore dhe flukset hyrëse të dërgesave të emigrantëve, kanë rënë aq fort, sa nuk përbëjnë më motorrë zhvillimi e besimi në të ardhmen. Kemi pushuar praktikisht së investuari, thjesht duke u ushqyer dhe parë për kohë më të mira, mes një zhurmnaje politike që pjell vetëm pasiguri.