“Pseudoguta”, këshillat për trajtimin e infeksionit në artikulacione

Pranvera Kola

Pseudoguta është një lloj inflamacioni (infeksioni) i nyjeve (artikulacioneve). Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, se kjo sëmundje është një lloj artriti që shkaktohet nga depozitimi i kristaleve të quajtura pirofosfat kalciumi. Sipas saj, ky depozitim bëhet në nyje dhe përreth nyjeve. “Pseudogut, fjalë për fjalë do të thotë “përdhes, ngërç i rremë”. Kjo rrjedh nga ngjashmëria që ajo ka me ngërçin. Pseudoguta ka shumë ngjashmëri me ngërçin e vërtetë, që gjithashtu mund të shkaktojë artrit.

Megjithatë, kristalet që nxisin inflamacionin gjatë ngërçit janë uratet monosodium dhe jo pirofosfatet e kalciumit si në rastin e pseudogutës. Kur këto substanca ekzaminohen në mikroskop, vërehen tipare të dallueshme që i veçojnë nga njëra-tjetra. Kjo bën të mundur që të përcaktohet saktësisht shkaku i inflamacionit dhe trajtimi të bëhet në mënyrën e duhur”, thekson mjekja Xhelili. Më tej, ajo shton se shpeshherë është raportuar që pseudoguta mund të bashkëjetojë me ngërçin.

Kjo do të thotë se të dy llojet e kristaleve të sipërpërmendura ndonjëherë mund të gjenden njëkohësisht në të njëjtën nyjë (artikulacion). Studiuesit po ashtu kanë vërejtur se kërcet e pacientëve që kishin të dy format e kristaleve shpesh ishin të kalcifikuara dukshëm në ekzaminimin me rreze x (radiografitë e kockave). Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara simptomat se si shfaqet kjo sëmundje, si dhe masat që duhet të merren për lehtësimin dhe trajtimin e dhimbjeve të shkaktuara prej saj.

Cilët janë shkaktarët e pseudogutës?

Siç e theksova edhe më lart, pseudoguta shkaktohet kryesisht nga depozitimi në një nyje (kyçet) dhe përreth tyre i kristaleve të pirofosfatit të kalciumit. Pseudoguta lidhet qartë edhe me plakjen, pasi është më e zakonshme tek të moshuarit dhe shoqërohet me artrit degjenerativ. Gjithashtu, sulmet akute (të menjëhershëm) të artritit pseudogutit mund të shkaktohen nga dehidrimi. Kjo është veçanërisht e zakonshme tek pacientët e shtruar në spital e sidomos ata që i nënshtrohen operacioneve të ndryshme. Kjo sëmundje mund të shkaktohet edhe nga çrregullimet në metabolizmin e kalciumit nga hyperparatiroidizmi (funksionimi i shtuar i gjëndrës paratiroide). Pra faktorët kryesorë të rrezikut për shfaqjen dhe zhvillimin e kësaj sëmundjeje janë mosha e madhe dhe historia e traumës (për shkak të një aksidenti, ose operacioni). Faktorë të tjerë mund të përmendim edhe artritet degjenerative (osteoartritet).

Cilat janë shenjat më të zakonshme klinike të kësaj sëmundjeje?

Pseudoguta zakonisht prek një nyje, por mund të prekë edhe disa nyje në të njëjtën kohë. Artikulacioni me i prekur zakonisht, është gjuri, por mund të preken edhe shpatullat, nyjet e këmbëve, bërrylat. Inflamacioni i artikulacioneve karakterizohet nga edema akute e përbashkët (enjtja e menjëhershme), nxehtësia në vendin e prekur, ngurtësimi dhe dhimbja që mund të zgjasin nga disa ditë, deri në disa javë, por që mund të zgjidhen edhe spontanisht. Inflamacioni çon në humbjen e gamës së lëvizjes dhe funksioneve të përbashkëta që kryejnë artikulacionet e ndryshme.

Si vendoset diagnoza e kësaj sëmundjeje?

Diagnoza fillimisht dyshohet nga pamja klinike dhe pastaj nëpërmjet ekzaminimit me rrezet X (radiografitë). Diagnoza përfundimtare bëhet kur ekzaminohet lëngu i grumbulluar në artikulacion dhe identifikohen kristalet e pirofosfatit të kalciumit me formën dhe ngjyrën e tyre karakteristike. Artriti pseudogutit është veçanërisht i shprehur tek të moshuarit dhe veçanërisht në kontekstin e dehidrimit siç ndodh gjatë hospitalizimit dhe kirurgjive. Prandaj në këto raste, kjo diagnozë duhet mbajtur më në fokus, natyrisht lidhur këto edhe me shenjat klinike që paraqesin pacientët.

Sa i takon trajtimit të kësaj sëmundjeje çfarë duhet të kemi parasysh?

Trajtimi i pseudogutës synon të zvogëlojë inflamacionin dhe të qetësojë dhimbjet.  Së pari gjatë fazës akute, rekomandohet pushim dhe kufizimi i lëvizjeve, si edhe aplikimi në artikulacion i kompresave me akull. Duhet pasur parasysh që qeset me akull duhet të mbështillen edhe me materiale rrobe dhe pastaj të vendoset mbi kyçin e sëmurë. Rekomandohet të mbahet 10 minuta mbi artikulacion me 15 minuta pushim ndërmjet.

Pra qeset me akull nuk mund të mbahen pa ndërprerje mbi artikulacion. Për qetësimin e dhimbjeve mund të përdoret ibuprofeni, i cili ka mjaft efikasitet në qetësimin e dhimbjeve, por duhen pasur kujdes problemet me stomakun dhe me presionin e gjakut. Prandaj çdo gjë duhet bërë me këshillimin e mjekut.

Në rastin e grumbullimit të lëngjeve në artikulacione, apo përreth tyre, heqja e tyre ndihmon gjithashtu në lehtësimin e dhimbjeve, por mund të ndikojë edhe që infeksioni të zvogëlohet më shpejt. Natyrisht që në varësi të gravitetit (rëndesës) se situatës mund të përdoren preparate të tjera specifike sipas këshillës së mjekut specialist. Parandalimi afatgjatë i pseudogutës se përsëritur shpesh arrihet më mirë duke përdorur doza të vogla për periudha të gjata të medikamenteve specifike. Natyrisht që çdo gjë sa i takon trajtimit bëhet në përputhje me situatën individuale shëndetësore dhe receta duhet të përshkruhet vetëm nga mjeku specialist.

Me çfarë çrregullimesh, apo patologjish të tjera shoqërohet pseudoguta?

Pseudoguta mund të ketë edhe karakter familjar, mund të ndodhë së bashku me plakjen, ose mund të shoqërohet me hemofilinë, çrregullime hormonale (si hiperparatiroidizmi, ose hipotiroidizmi), apo edhe patologji të tjera të cilat duhen pasur parasysh në trajtimin e pacientit me pseudogutë. Pseudoguta mund të komplikohet me vështirësi në ecje dhe kufizime të lëvizjeve të tjera, më dëmtime të kërceve, apo nyjeve të prekura.

Cila është prognoza e pseudogutës?

Në përgjithësi prognoza (ecuria) e pseudogutës është shumë e mirë. Trajtimi i fortë dhe i kujdesshëm i inflamacionit mund të çojë në zgjidhjen e plotë të inflamaacionit, të dhimbjes dhe në rikthimin e funksioneve të humbura. Përsëritjet e shpeshta të këtyre proceseve inflamatore mund të çojnë në dëmtime të kërceve dhe të kockave të prekura.

A është e mundur të parandalohet pseudoguta?

Pacientët me pseudogutë të njohur duhet të kujdesen që të jenë vazhdimisht të hidratuar, duke përdorur sasinë e duhur të lëngjeve sipas situatës individuale shëndetësore dhe të kryejnë kontrolle të rregullta te mjeku për çdo shqetësim që paraqesin. Vetëm në këtë formë mund të mbajnë larg komplikacionet që kjo sëmundje mund të shkaktojë.

 Pranvera Kola/Dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *