Pseudonismat e pseudoshoqërisë civile…

redaktor

Këto vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të sa e sa nismave për luftën antikorrupsion, për ndalimin e importit të plehrave, për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të homoseksualëve, për frenimin e fenomenit të gjakmarrjes etj. Së fundi kanë spikatur në vendin tonë nisma të shoqërisë civile për dhunën ndaj grave apo problemin e strehimit të romëve etj. Këto iniciativa qytetare kanë pasur shumë energji në start, por pas nisjes ato kanë ardhur duke u shuar, apo duke u kthyer në instrumenta për individë të caktuar, e diku më keq akoma, këto iniciativa i janë bashkuar apo nënshtruar politikës. Këto nisma kanë pasur në fillim edhe entuziazmin e  popullit, mirënjohjen e tij, krenarinë, gëzimin dhe ndjenjën e pastër të përkatësisë. E gjithë kjo është krijuar nga njerëz që janë duke bërë gjënë e tyre të preferuar në këmbim të shpërblimit me fonde donatorësh të ndryshëm, si në çdo rast në emër të popullit dhe për popullin. Rasti i fundit, problemi i romëve të zbuar e pa shtëpi. Të gjithëve po u “qan” shpirti nga halli i tyre…. Po deri dje ku ishin? Mos vallë këto shoqata kanë “rilindur” bashkë me njërin kah politik dhe po performojnë në llogoren antibashki, qoftë edhe për t’i bërë qejfin Ramës? Sepse ai do të jetë kryeministri, ai do t’i ketë lekët, fondet? Në të gjitha rastet, nismat janë sikur do të heqin plehrat! Duke na imponuar me ndërgjegjen e tyre “të pavarur” e duke na stimuluar për të vepruar, pa e kuptuar se për të vepruar është e nevojshme për të ndryshuar mendjen! Unë dëgjoj shpesh kësi idesh, madje shumë shpesh në një formë apo në një tjetër me tonin komik emocional. Në rastin aktual “qajnë” për romët, por mos harroni energjitë e harxhuara për plehrat. Dhe përtej imponimit, ne si shoqëri civile nuk ndërgjegjësojmë apo edukojmë dot qytetarët tanë për të ndarë plehrat në shtëpi, sepse ndryshimi duhet të fillojë nga mendja dhe jo nga veprimi për të fituar fonde. Pra, përpara se të bëjmë këto, duhet të vëmë një reklamë përpara “luftëtarëve” të shoqërisë civile, pak a shumë me këtë tekst: “Të ndryshojë logjika dhe deviza juaj në funksion të humanizmit dhe qytetarisë!” Që shqip do të thotë: “Besoni dhe dashuroni atë që do të bëni, dilni jashtë interesave dhe bërjes palë më pushtetin…”

Unë shpresoj se të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, që nuk kanë renditur ende llojet dhe rrezikshmërinë e “mbeturinave” në shtëpi dhe që duhet të lënë mbeturinat në natyrë, që heshturazi ose shmangen nga kjo përballje me antishtetin dhe shoqërinë civile, duhet të fillojnë të ndryshojnë mendjet e tyre, pastaj të dalin për të vepruar në rrugë. Por është e qartë se kur tranzicioni nga niveli i vendimeve kalon në nivel veprimi, në mënyrë të pashmangshme lind  pyetja: Si do të ndryshojë? Dhe guxoj të mendoj se nuk ka mjete të efektshme dhe të punës. Televizioni dhe reklamat nuk janë për t’u besuar. Ato bëhen palë. Analistët, edhe pse strapacohen shpesh nëpër ekrane, janë për një grup të caktuar interesi politik, jo për të verpuar mbi vetëdijen e masave. Dhe ja, shikoni regresin në dhunën ndaj grave, në gjakmarrje, në aksidentet rrugore, në  indiferentizmin ndaj keqbërsit, në dorëzimin përpara korrupsionit të çdo niveli etj., etj.

Ka disa vite që ekologjistët merren me luftë titanike kundër masakrës ekologjike, si nga shteti apo dhe mafia e plehrave, ajo e shfrytëzimit të lumenjve, pyjeve, bregdetit e detit vetë! Dhe e kanë bërë jo keq detyrën, por nuk kanë bërë asgjë për ndërgjegjësimin qytetar rreth këtyre problemeve që shkatërrojnë të ardhmen tonë. Pse ka ndodhur kjo: nuk kanë gjetur instrumentat juridikë, apo janë dorëzuar përpara bashkëpunimit politikë-mafie? Vështirë të thuhet. Ka me mijëra shqiptarë që protestojnë në shtëpi, në tavolina, në biseda konfidenciale për barbarinë ekologjike që zhvillohet në vendin tonë, për dhunën, drogën etj.,etj., por ata nuk janë unifikuar, nuk ka forcë që t’i mbledh nën urganin e protestës qytetare jashtë ombrellës së PS-së dhe PD-së. Kjo vjen ngaqë populli ka humbur në njëfarë mase shpresën dhe besimin tek shoqëria civile. Kam qenë vet pjeswmarrës në disa nisma qytetare nga Av.Erion Kristo për problemet kardinale të Shqipërisë në tranzicion, por aty mezi vijnë 200-300 vetë, edhe pse problematika është për miliona shqiptarë. Përse? Si ka mundësi, ky palo reagim? Dhe përgjigjja ka qenë vetëm një: Ka humbur busulla dhe besimi për të protestuar ndaj padrejtësisë! Jemi dorëzuar, se ky vend nuk bëhet! Se organizatorët ose fitojnë për vete donacione, ose janë palë me këtë ose atë kah politik. Shkurt, nuk ka ndryshuar ndërgjegjja!

Duke qenë se jam në Golem duke e shkruar këtë shkrim, m’u kujtua vulentarizmi për të pastruar plazhet, mundi dhe propaganda e OJQ-ve të ndryshme. Mirëpo, nëse këto ditë bën një xhiro pas plazheve private, apo dhe pranë resorteve luksoze, plehrat të mbysin. Përse e përse, dreqi e mori? Përgjigjja është vetëm një: S’ka ndryshuar mentaliteti! Nuk janë edukuar ata që vinë të pushojnë se plehrat e kanë vendin tek plehrat! Ose tjetra, dëgjoja përpara pak kohësh një politikan që thoshte: Të mbrosh ekologjinë është si akt heroik! Por kunati i tij ka gëlqerore pranë Tiranës dhe ai vetë është aksioner në një ndërmarrje betoni në lumin e Matit!!! Të mbrosh ekologjinë është e vështirë, e rrezikshme, sepse kjo është luftë bëhet edhe me mafien! Por kur mafia ka kapur shtetin e drejtësinë, çfarë mund të bëjë Sazan Guri për të ndryshuar mentalitetin popullor të vetëdorëzimit? Mentaliteti, natyrisht, ai duhet ndryshuar, por si dhe nga kush? Organet e shtetit dhe shoqëria civile jashtë varësisë nga qeveria, pushteti, nga partitë politike, nga biznesi i madh apo i vogël. Të mos shiten për pak fonde publike apo grante, por në bashkëpunim me institucionet fetare dhe organizatat e huaja të punojnë për të ndryshuar mentalitein, për të edukuar këtë komb në qelizën indivduale e jo nga konferenca luksoze në Sheraton e gjetkë. Mjaft me pseudoshoqata apo pseudolëvizje të shoqërisë civile, por të krijojmë një institucion të ri të shfrytëzimit të fjalës në favor të një mentaliteti apo mendimi qytetar ndryshe, modern, bashkëkohor, guximtar, protestues e reagues, që energjitë individuale të gjithsecilit të kthehen në uragan për të sjellë atë ndryshim që duam. Dhe kjo duhet bërë, sepse po vdes shpirti i protestës si shfaqje reagimi ndaj së keqes, jo si demonstrim për të fituar fonde. Ish-presidenti amerikan, Xheferson, përpara më shumë se 150 vitesh ka thënë: Një popull që nuk reagon ndaj padrejtësive, ai ka pranuar diktaturën! Edhe pse nuk jemi si amerikanët përpara 150 vjetëve, mos ndoshta politika qëllimisht na e ka vrarë nervin e të protestuarit vullnetarisht? Të shpresojmë që jo!

Share This Article
1 Comment
  • e c,te komentoj po nuk pastrove plerat reth shtepise tende ,je nje qenie qe ron se nuk vdes dot po nuk protestove e behesh pale me te keqen ke mbaruar ..ne vetem diktatura na ka ardhur per hak ..ne duam dru se keshtu nemi mesuar turpi na mbulofte per jete ,..ha dhe e hedh mbeturinen ku mundesh shkund ..mbulesen e tavolines se bukes nga dritarja ,pa asme te voglin shqetesim se poshte kalojne njeres njeres kafshe ,,qeveri vendore harbutesh ,qeveri qendrore hajdutesh rugacesh mediokerish e c,mund te besh kur peshku eshte i qelbur nga koka ..jo,jo per ne duhet ligji dhe huri .ky eshte xheneti per ne

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *